
Në rrjetet sociale, veçanërisht në atë të facebook-ut, siç mund të vërehet, çdokush mund të dalë dhe të thotë diçka, pavarësisht se sa e rëndësishme ose e saktë është ajo.
Njeriu nuk arrin më t’i përthithë të gjitha, por përkundrazi hutohet dhe çorientohet. Përmbajtja prodhohet çdo minutë, më tepër për të gjeneruar reagime dhe vëmendje sesa për të thënë diçka me peshë, ndërsa se çfarë thuhet, sa e rëndësishme mund të jetë, se çfarë pasoje ka, shpesh mbetet në plan të dytë.
Kohëve të fundit, facebook-ut i janë shtuar gjithnjë e më shumë “analistë” ose “gjithologë”, të cilët shfaqen duke “zbuluar” diçka, duke bërë bujë rreth saj dhe shpesh duke lartësuar punë apo persona që deri dje kanë qenë pothuajse anonimë, pa ndonjë kontribut ose arritje të njohur publikisht, ndërsa ata që do ta meritonin vërtet të potencoheshin, heshtën dhe lihen në harresë. Por jo vetëm kaq. Një pjesë e tyre kapen pas temave të mëdha dhe flasin për ngjarje të ndryshme me ton analitik e konstatues, duke krijuar përshtypjen e autoritetit profesional, ndonëse shpesh mbetet e paqartë nëse kanë realisht formimin ose kompetencën nga fushat përkatëse.
Ky fenomen është i pranishëm mjaft, veçanërisht aty ku rrjetet sociale kanë marrë rolin kryesor në formësimin e perceptimit publik.
Brenda një kohe të shkurtër në këtë rrjet krijohen figura që paraqiten si të “rëndësishme” dhe të pazëvendësueshme, njerëz për të cilët dihet shumë pak se çfarë kanë bërë realisht, por që nga këta ‘analistë e gjithologë’ prezantohen si vlera të mëdha shoqërore. Lavdërimet shpërndahen lehtësisht, superlativët përdoren pa kursim dhe publikut i krijohet përshtypja se këta individë janë domosdoshmëri për shoqërinë.
Këta “analistë”, në vend që të kufizohen në atë çka mund të kuptojnë nga përvoja e tyre e kufizuar, shpesh zgjedhin të glorifikojnë individë, të japin gjykime mbi njerëz dhe dukuri që nuk i përkasin fushës së tyre dhe të ndikojnë në opinion, bazuar në perceptimet ose simpatitë personale.
Në vend që të fokusohen në çështje reale të shoqërisë, se sa respektohet meritokracia dhe sa njerëz mbajnë pozita për të cilat nuk janë të kualifikuar, vëmendja shpesh përqendrohet në krijimin e imazheve artificiale dhe interpretimin sipërfaqësor të ngjarjeve.
Dhe kur secili mund të vetëshpallet analist dhe çdo mendim personal të paraqitet si e “vërtetë absolute” krijohet një vorbull absurditeti, një realitet ku zhurma mbizotëron mbi dijen, ku injoranca shpesh vlerësohet më shumë se kompetenca dhe ku kriteret zbehen dita-ditës.
Në fund, pyetja që shtrohet nuk është vetëm se çfarë po ndodh në rrjetet sociale. Pyetja thelbësore është se, çfarë po ndodh me ne si shoqëri? A dimë ende të dallojmë vlerën nga fasada, meritën nga propaganda, dijen nga zhurma?
