Superioriteti etik i tavolinës së kafenesë

Njeriu që e kupton politikën nuk është domosdoshmërisht ai që e ushtron politikën. Postanimalizmi e vendos theksin te njeriu që del nga instinkti territorial dhe hyn në dimensionin e reflektimit etik, sepse te burrat e kafenesë, shohim demonstrimin e heshtur të qytetarisë. Dhe pikërisht ky është njeriu postanimalist: ai që nuk ka nevojë për podium që të ketë dhe të thotë një mendim, duke e zhvilluar politikën si fenomen të brendshëm dhe jo si profesion të jashtëm, dhe atë të paguar mirë

Është një tavolinë aty, në një skaj të kafenesë ku unë gravitoj rregullisht, ku në një mbrëmje të ngrohtë lindi ideja e kësaj eseje, një tavolinë e burrave të thinjur, ish-profesionistë të padeklaruar, të padalluar, ku, duke pirë kafenë e zakonshme, diskutojnë politikën ditore të pushtetit aktual. Jo me urrejtje, as me ironinë e rrjeteve sociale, apo të analistëve zhurmëmëdhenj, por me një lloj përvoje të akumuluar prej vitesh, me një qetësi mbase të frikshme. Mes bisedave të tyre për politikat e ndryshme shoqërore, qoftë për pensionet, energjinë, arsimin, kulturën, artin, por edhe bujqësinë, madje edhe bletarinë, infrastrukturën…, del në pah një strukturë e qartë mendimi, qoftë në analiza, në krahasime, në diagnoza, parashikime, një proces që asnjë komision parlamentar nuk e parashtron kaq të qartë.
Kjo ese (studimore) synon të analizojë përmbysjen e funksioneve të mendimit politik në shoqërinë tonë aktuale, duke u nisur nga fakti, tanimë i vërtetuar, se politikanët e institucionalizuar shpesh prodhojnë diskurs performativ dhe të zbrazët, pa rezultate, ndërsa qytetarët e zakonshëm – nga cilat do kategori qofshin ata – prodhojnë analizë të matur, empirike dhe etikisht të thelluar. Edhe Habermas, edhe Arendt, edhe Sloterdijk, edhe Canetti, edhe Bauman e ndonjë tjetër, përmes kornizave teorike të tyre argumentojnë se sfera publike tanimë është zhvendosur jashtë institucioneve dhe se ekziston një politikë postanimaliste e cila realizohet në hapësirat e padukshme të përditshmërisë, ku nuk ka pushtet, por ka mendim. Ky tekst ndërthur një analizë akademike me ton polemik dhe estetik, duke pohuar se mendimi serioz shpëton vetëm atje ku nuk paguhet.
Në realitetet politike të shekullit XXI, vërehet një fenomen që rrallë shqyrtohet teorikisht: politika e paguar dhe institucionale shfaq dështim të mendimit etik, ndërsa politika e kafenesë – e ulët në hierarki, por e lartë në substancë – prodhon analiza më të drejta dhe më të sinqerta. Në shumë kontekste rajonale, por edhe ballkanike, tavolinat e kafeneve janë më të afërta me atë që Habermas e quan racionalitet komunikativ, sesa vetë parlamentet. Ky fenomen kërkon analizë jo sociologjike, por topologjike: ku ndodh sot mendimi politik? Kush e zotëron atë? Kush e artikulon të vërtetën? Dhe, më e rëndësishmja, pse pushteti nuk është garant i racionalitetit?
Në shikim të parë, politika duket të jetë si një art i sofistikuar i së ardhmes – sallone të stolisura parlamentare, komisione, buxhete, programe qeveritare, ekranizime dhe intervista televizive. Por në thelb, teatri politik – sidomos ai i zgjeruar në hapësirat zyrtare – ruan një dozë zoologjike, një post-instinkt mbijetese ku fjalët janë forma të evoluara të mbllaçitjes së pakontrolluar të gjuhës si organ. Andaj dhe parlamenti (lexo edhe – kuvendi) nuk është larg një kopshti zoologjik të formalizuar duke pasur të njëjtat grinta (energjinë, pasionin, këmbënguljen, dhe vullnetin e fortë si të zooparkut), të njëjtat kufizime instinktive, vetëm se të veshura me protokoll, kinse serioz dhe legjitim. Nga ana tjetër, kafeneja – ajo skenë gjithnjë e nënvlerësuar, e ulët, e përditshme ku të gjithë ne frekuentojmë, ku tavolina është podium dhe filxhani i kafesë është mikrofon – materializon një rend tjetër, një rend që për çudi është më i qetë, më racional, e gjithsesi më i sinqertë. Këtu nuk ka kamera dhe nuk ka buxhet, nuk ka premtime, por ka të vërtetë. Dhe për të njëjtën arsye, është më njerëzore.
Duke u nisur nga kjo del se kemi dy specie të të menduarit politik. Në një anë politikanët, një klasë e specializuar, e paguar nga taksat e po atyre njerëzve që ulen në kafene. Ata flasin për funksione të shtetit, për reforma, për konsensus, për investime strategjike… Gjithçka e kodifikuar, gjithçka e filtruar, por shpesh del të jetë edhe e maskuar. Në anën tjetër, njerëzit e zakonshëm, pensionistë që mbajnë në mend një gjysmë shekulli punë e lodhje, punëtorë me shpina të përkulura nga ekonomitë e gjithfarshme, artistë me sy të lodhur nga përpikëria, mësues me përvoja të gjata arsimore, inxhinierë e doktorë të harruar, intelektualë që kanë lënë gjurmë të dukshme në jetën shoqërore, letrare, artistike, por edhe shkencore, pa dekorata… diskutojnë për skemat buxhetore, ligjet fiskale, marrëveshjet ndërkombëtare me maturi që do ta turpëronte çdo komision parlamentar. Në një tavolinë të një kafeneje të zakonshme, një botë e tërë profesionistësh të padukshëm që nuk kanë qenë kurrë deputetë, por kanë vepruar dhe përjetuar realitete të vërteta. Pra, dy botë, dy specie të mendimit: politikanët, që bëjnë politikë përmes fjalëve të mëdha dhe rezultateve të vogla, dhe njerëzit e thjeshtë të kafeneve, që bëjnë analiza të vogla përmes fjalëve të thjeshta, por me rezultate mendore të mëdha. Pikërisht kjo përmbysje është thelbi i dukurisë – ata që paguhen për të menduar, shtrembërojnë realitetin, ata që nuk paguhen – e bëjnë realitetin të dukshëm.
Në politikë, problemi është shpesh teknika e fjalës së deklaruar, ndërsa në kafene, problemi është vetë realiteti. Kështu kafeneja luan rolin e një seminari të hapur ku secili kontribuon jo si ekspert politik, por si ekspert i jetës. Kjo është ajo që politika ka humbur plotësisht dimensionin antropologjik. Si profesion, ajo ka pësuar një deformim etik – nga arti i së mirës së përbashkët është kthyer në menaxhim të mbijetesës së pushtetit dhe së bashku me të edhe të vetë politikanëve, për përfitime të majme materiale. Shpesh, politikanët mbajnë në mend strategjitë por harrojnë njerëzit, flasin për statistika por harrojnë biografitë, prodhojnë ligje por harrojnë jetësimin e tyre, premtojnë projekte por nuk i realizojnë fare, projektojnë buxhete me anomali të pashpjegueshme, madje fyese për mjedise të ndryshme të veçanta. Në këtë kuptim, politikanët po shndërrohen në specialistë të shkëputjes nga përditshmëria. Gjenden në një nivel ku gjuha është e sofistikuar, por mendimi është primitiv, ku forma është e shkëlqyer, por përmbajtja është e cunguar. Dhe pikërisht këtu hyn dimensioni postanimalist: politika zyrtare është një rikthim në ritualin territorial – instinkt, pushtet, hierarki, territor – shumë pak njeri, pak ose aspak etikë civilizuese.
Andaj në një shoqëri si kjo e jona, ku askush nuk është apolitik, klasa e vetme që vërtet prodhon mendim është ajo që nuk e kërkon pushtetin. Te ne ka më shumë mençuri në një tavolinë kafeneje sesa në një sallë parlamenti. Jo sepse kafeneja është institucion, por sepse është kundër-institucion. Dhe nëse politika e kafenesë fiton, kjo ndodh sepse ka ruajtur etosin e njeriut, atë gjuhë të vjetër që nuk e ka braktisur tokën, plehun, humbjen, pagat, çmimet, shpirtin, turpin dhe krenarinë. Aty ku taksimi është real, ku çmimi i bukës, i rrymës, i karburantit dhe artikujve jetikë nuk janë statistika, por dhimbje stomaku, pikërisht aty ndodh debati civilizues. Kështu tavolina e kafenesë prodhon analizë më të pjekur, sepse aty nuk ka interes elektoral, nuk ka kamera, nuk ka parti, nuk ka fonde, as kontrata, por ka një luks të rrallë: lirinë e mendimit pa detyrim.
Dhe kjo e bën mendimin më të kthjellët, më të drejtë, më etik. Njerëzit e kafenesë nuk kanë interes të marrin pushtet; ata kanë interes të kuptojnë botën. Dhe ky është fillimi i filozofisë, sepse në një kuptim civilizues, masa e pensionistëve të heshtur me atë filxhan kafeje përpara vetes, është më racionale se parlamenti, është më e pjekur, sepse ka jetuar, ka paguar, ka punuar, ka dështuar, ka përmbajtur… Dhe në fund fare, është më njerëzore.
Dhe kjo dukuri na çon drejt një përfundimi antropologjik: njeriu që e kupton politikën nuk është domosdoshmërisht ai që e ushtron politikën. Postanimalizmi e vendos theksin te njeriu që del nga instinkti territorial dhe hyn në dimensionin e reflektimit etik, sepse te burrat e kafenesë, shohim demonstrimin e heshtur të qytetarisë. Dhe pikërisht ky është njeriu postanimalist: ai që nuk ka nevojë për podium që të ketë dhe të thotë një mendim, duke e zhvilluar politikën si fenomen të brendshëm dhe jo si profesion të jashtëm, dhe atë të paguar mirë.
Andaj dhe për një botë civile, post-animaliste, estetike dhe etike, zëri i tavolinës së kafenesë, aty ku si ritual pihet kafeja e përditshme, duhet dëgjuar dhe trajtuar, jo si folklor, por si interpelancë politike.

Të fundit

më të lexuarat