
Çdo fillimvit i ri shoqërohet pothuajse me njëfarë shprese nga gjithsecili nga ne. Dhe shpresa, siç thuhet shpesh, është ajo që vdes e fundit.
Në mbyllje të një viti dhe në hyrje të një tjetri, pavarësisht sfidave, disfatave apo zhgënjimeve personale e kolektive, njerëzit priren të besojnë se përpara i pret diçka më e mirë, më shumë stabilitet në marrëdhëniet ndërpersonale, më shumë qetësi shpirtërore dhe, mbi të gjitha, më shumë siguri ekonomike.
Pikërisht kjo e fundit mbetet ëndrra më e madhe për shumicën, veçanërisht për ata që jetojnë nga puna e tyre e ndershme, nga një pagë minimale ose mesatare, duke përmbushur çdo ditë obligimet profesionale, por që nga viti në vit nuk shohin as përmirësim real dhe as perspektivë afatgjatë.
Inflacioni global, i cili ka prekur pothuajse mbarë globin vitet e fundit, ka goditur rëndë shumë familje, veçanërisht ato me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Çmimet e produkteve bazë ushqimore janë rritur në mënyrë disproporcionale, ndërsa pagat me disa përjashtime, kanë mbetur në të njëjtin nivel. Ky hendek midis kostos së jetesës dhe të ardhurave, krijon një realitet ku mbijetesa bëhet prioriteti i vetëm, ndërsa çdo planifikim për të ardhmen shndërrohet në luks.
Mjafton të imagjinohet një çift i ri që synon të krijojë familje në këtë vend. Përballë një inflacioni të pakontrolluar, ata jo vetëm që e kanë pothuajse të pamundur të kursejnë për blerjen e një banese, por edhe qiratë janë shndërruar në barrë të rëndë financiare.
Në shumë raste, kërkohen qindra euro për një banesë njëdhomëshe, duke e bërë strehimin një problem serioz shoqëror dhe individual.
Të gjithë këta faktorë, të lidhur mes vete në një zinxhir të pandërprerë, e vënë seriozisht në pikëpyetje idenë e përmirësimit real të mirëqenies, se a ekziston vërtet ajo “dritë në fund të tunelit” për të cilën flitet çdo fillim viti, apo vitet thjesht kalojnë dhe gjërat mbeten në vendnumëro, pa ndryshim, pa progres dhe pa përgjegjësi?!
Në këtë kontekst, nuk janë të rralla as rastet kur edhe ata që punojnë me përgjegjësi të lartë, në kushte dhe standarde jo gjithmonë adekuate, nuk trajtohen me dinjitetin që meritojnë. Përkundrazi, shpesh përballen me presion, nënshtrim apo tentativa për t’u frikësuar, si dhe me praktika që synojnë të krijojnë një realitet artificial, ku gjithçka paraqitet si funksionale, edhe kur nuk është.
Prandaj, edhe pse përvoja e viteve të kaluara nuk ka dëshmuar ndonjë përmirësim thelbësor në mirëqenien ekonomike të atyre që jetojnë nga puna e tyre, shpresa mbetet.
Prandaj, uroj që viti 2026 të sjellë mbi të gjitha shëndet, veçanërisht për ata që kanë më së shumti nevojë. Por më shumë se kaq, le të jetë një vit vetëdijesimi dhe reflektimi, një vit ku problemet e trashëguara nuk mbulohen me retorikë festive, por trajtohen me përgjegjësi reale, ku secili, brenda kompetencave dhe detyrave që i takojnë, merr përsipër pjesën e vet për ndryshim, në përputhje me standardet, etikën dhe rregullat e një shoqërie që synon të ecë përpara.
