Një jetë pazhurmë dheme gjurmëtë thella

Në kujtim të ekonomistit, funksionarit publik dhe intelektualit që ndërtoi institucione dhe kultivoi dinjitet njerëzor

Ndarja nga jeta e Osman Rexhës, më 1 janar 2026, shënon mbylljen e një kapitulli të rëndësishëm të jetës institucionale dhe shoqërore të Ulqinit dhe më gjerë. Ai ishte ndër ata njerëz që nuk e kërkonin vëmendjen, por që linin gjurmë të thella përmes punës, përkushtimit dhe korrektësisë së rrallë. Ekonomist i formuar, funksionar publik, drejtues komunal dhe veprimtar politik, Osman Rexha i përkiste atij brezi intelektualësh që ndërtonin pa zhurmë, por me përgjegjësi dhe vizion afatgjatë.
Lindi më 3 maj 1939 në Klleznën e Epërme, në një familje fshatare që për breza ishte marrë me bujqësi dhe blegtori. Ishte një kohë e vështirë ekonomikisht, por familja Rexha arriti të ruajë stabilitet dhe dinjitet falë organizimit të mirë të punës, disiplinës dhe ndjenjës së fortë të përgjegjësisë kolektive. Vetë Osman Rexha shpesh theksonte se suksesi i familjes nuk ishte rastësi, por rezultat i planifikimit, punës së ndershme dhe respektit për tokën dhe njerëzit.
Babai i tij, Selim Isufi, ishte i njohur për solidaritetin shoqëror dhe ndihmën ndaj familjeve në nevojë. Dhjetëra familje gjetën mbështetje ekonomike dhe njerëzore falë tij, ndërsa kjo frymë humane e përgjegjësisë sociale u bë pjesë përbërëse e karakterit të Osman Rexhës. Ai e trashëgoi këtë ndjeshmëri dhe e shndërroi në parim jetësor dhe profesional.
Familja Rexha jetonte në bashkësi të madhe, me 18 anëtarë nën një kulm – një mënyrë jetese që forconte ndjenjën e bashkësisë, respektit dhe ndarjes së përgjegjësive. Pas vitit 1970, një pjesë e familjes emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Osman Rexha zgjodhi të qëndrojë dhe të ndërtojë jetën e tij profesionale në Kosovë, e më pas në Mal të Zi.
Arsimin fillor e kreu në Krythë të Anës së Malit dhe Katërkollë, shkollën e mesme Normale në Prishtinë, ndërsa studimet universitare në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë dhe më pas në Nish, ku u diplomua në ekonomi. Ky formim i gjerë arsimor u bë themel i një karriere të gjatë dhe të qëndrueshme institucionale.
Veprimtarinë profesionale e nisi si mësues në Prishtinë dhe Ferizaj, për të vijuar më pas si profesor i lëndëve ekonomike në Qendrën Teknike Shkollore në Obiliq. Nga viti 1971 deri në vitin 1973 ishte drejtor i statistikës shoqërore në Entin Krahinor të Statistikës. Pikërisht në vitin 1971, gjatë regjistrimit të popullsisë në Kosovë, ai u emërua drejtor i Qendrës për Përpunimin e Materialit, ku për herë të parë u realizua përpunimi i centralizuar i të dhënave statistikore – një hap i rëndësishëm institucional për kohën.
Nga viti 1973 deri në vitin 1976 punoi në Kuvendin e Kosovës si sekretar i Komisionit për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, ndërsa më pas mbajti poste drejtuese në sektorin industrial dhe investues, përfshirë Fabrikën e Amortizatorëve dhe projektin e Ujësjellësit Rajonal Batllava, ku ishte kryeshef për investime. Në fund të viteve ’80 u angazhua në Institutin për Vlerësimin e Projekteve Investuese, sipas metodologjisë së Bankës Ndërkombëtare.
Në gusht të vitit 1971 u martua me Hasibe Sykën, juriste e diplomuar nga Peja, bashkudhëtare e jetës dhe mbështetje e palëkundur në rrugëtimin e tij profesional dhe njerëzor. Ndarja e saj nga jeta në vitin 2015 la tek Osman Rexha një zbrazëti të thellë dhe të dhimbshme, të cilën e përjetoi në heshtje, me vetëpërmbajtje dhe dinjitet. Ishte një dhimbje që e shoqëroi deri në fund, por që ai e mbajti me fisnikëri, pa e shndërruar kurrë në ankesë, duke e përballuar humbjen ashtu siç jetoi: me maturi, respekt dhe forcë të brendshme.
Nga kjo martesë, në vitin 1975, lindi vajza e tyre e vetme, Mirlinda, sot mjeke dhe nënë e dy fëmijëve – një krenari e veçantë dhe burim i vazhdueshëm force për të. Në një rreth të mbyllur dashurie dhe përkushtimi familjar, Osman Rexha e mbylli jetën aty ku e kishte gjithmonë zemrën: pranë vajzës së tij, në duart e së cilës dha frymën e fundit, teksa kishte shkuar për të festuar Vitin e Ri.
Në vitin 1991, në një periudhë sfiduese për shoqërinë shqiptare, Osman Rexha u kthye në vendlindje me kërkesë të udhëheqësve pluralistë. Për gjashtë vite radhazi mbajti postin e sekretarit për ekonomi dhe buxhet, ndërsa nga viti 1996 deri në fund të vitit 1998 ishte kryetar i Komunës së Ulqinit. Më pas ka qenë këshilltar i kryetarit të Komunës dhe nënkryetar i Komunës së Ulqinit deri në vitin 2006, kur doli në pension në bazë të ligjit në fuqi.
Në rrafshin politik, ishte pjesë e organeve më të larta të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, ndërsa për gjashtë vite udhëhoqi Partinë e Prosperitetit Demokratik. Kam pasur nderin të jem që nga fillimi pjesë e kryesisë së kësaj partie gjatë gjithë kohës sa Osman Rexha e drejtoi atë. Për ne, ai ishte një enciklopedi e gjallë, me autoritet të natyrshëm, mendje të kthjellët dhe qëndrim parimor.
Përtej funksioneve dhe titujve, Osman Rexha ishte mbi të gjitha njeri: pedant, i matur, racional, por edhe jashtëzakonisht vital. Deri në momentin e fundit të jetës mbeti aktiv, i interesuar për zhvillimet shoqërore, dashamirës i shoqërisë dhe bashkëbisedimit. Ai i respektonte njësoj të rinjtë dhe të moshuarit, pa dallime, duke kultivuar një kulturë qytetarie dhe respekti njerëzor.
Kam pasur nderin që Osman Rexha të ishte ndër protagonistët e parë të emisionit “Portreti”, ku me qetësi dhe dinjitet rrëfeu jetën, sfidat dhe përvojën e tij shumëdimensionale – një dëshmi e çmuar për brezat që vijnë.
Ai u përcoll për në banesën e fundit më 3 janar 2026, duke u prehur në varrezat e vendlindjes së tij, në Klleznën e Epërme, aty ku kishte nisur rrugëtimi i një jete të jetuar me dinjitet.
Ikja e tij lë një zbrazëti të ndjeshme në jetën publike të Ulqinit dhe më gjerë. Por vepra, shembulli dhe kujtimi i Osman Rexhës mbeten të gjalla – si dëshmi se institucionet ndërtohen nga njerëz me karakter.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Osman Rexhën!

Hatixhe Nelaj

Të fundit

më të lexuarat