Gripi spanjoll dhe “varrezat ulqinake” në Katania

Ibrahim Kahraman Kahramanaga ka qenë duke lundruar me disa ulqinakë prej Bengazit (Libisë) deri në Katania (Siçili, Itali) me barkën e tyre ‘Pepina’. Atëherë janë sëmurë prej gripit spanjoll, i cili shkaktoi vdekshmëri të madhe. Aty mbaroi edhe jeta e tyre. Barkën e tyre e kanë djegur për ta ndaluar përhapjen e sëmundjes

Gani Karamanaga

Pandemitë e shekullit XX janë emërtuar mbi bazën e vendit të origjinës. Gjatë këtij shekulli janë shfaqur disa pandemi vdekjeprurëse, ndër të cilat po veçojmë: Gripi spanjoll (1918-1920) – ka shkaktuar vdekjen e 20-50 milionë njerëzve; Gripi aziatik (1957-1958) – ka lënë të vdekur rreth një million njerëz; Gripi i Hong Kongut (1968-1969) – ka shkaktuar rreth një million të vdekur.
Edhe në kohën e sotme, pandemia përbën një rrezik të vërtetë për shëndetin në mbarë rruzullin tokësor. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përhapja e epidemisë së gripit paraqet një ndër rreziqet më të mëdha, duke llogaritur sistemet e mbingarkuara shëndetësore në shumë vende të botës.
Para pandemisë COVID-19, të cilën e kemi përjetuar dhe që ka lënë pasoja të mëdha te ne dhe në tërë botën, pandemia e fundit globale ishte “Gripi spanjoll”, që në vitet 1918-1920 shkaktoi vdekjen e 20-50 milionë njerëzve, më shumë se që janë vrarë në Luftën e Parë Botërore. Në atë kohë e kanë quajtur “kolera”. Babai tregonte se për një kohë të shkurtër vdiqën edhe babai dhe nëna e tij – Mulla Ismaili dhe Zylihaja.
”Për çdo ditë, në Ulqin ka pasur disa të vdekur. Nuk ka pasur kush t’i varrosë”, tregonte babai Hasan Cano Karamanaga, ose siç e kanë quajtur Cani i Hoxhës.
Epidemia e Gripit spanjoll ose Ethet spanjolle (La Gripe Española, La Pesadilla) ka filluar pas Luftës së Parë Botërore, në vitin 1918. Për dy vjet kanë vdekur 20-50 milionë njerëz, d.m.th. tri herë më shumë se në luftën që sapo kishte përfunduar. Gripi spanjoll ka qenë posaçërisht i rrezikshëm për moshën rinore. Sëmundja është zhvilluar shumë shpejt dhe vdekja ka qenë pasojë e pneumonisë fatale (ndezje e mushkërive infektive).
Sëmundja është përhapur shpejt në tërë botën. Kjo ka qenë pandemia e parë e regjistruar e gripit vdekjeprurës. Pas pasojave të mëdha, Ethet spanjolle u zhdukën shpejt në vitin 1920, ashtu siç edhe ishin shfaqur.
Edhe pse quhet “Gripi spanjoll”, nuk e ka zanafillën në Spanjë. Mendohet se origjinën e ka në bazat ushtarake në SHBA (vendi i fillimit të infektimit ka qenë rajoni Haskel në Kanzas) dhe është përhapur në Evropë, kur Amerika është përfshirë në Luftën e Parë Botërore.
Epidemia e gripit është përhapur së pari në tërë Amerikën Veriore, pastaj ka kaluar në Evropë, Azi, Afrikë, duke mbërritur deri në pjesën e Arktikut dhe pjesët jugore të Pacifikut. Aktivitetet ushtarake, si dërgimi i ushqimit, teknikës dhe trupave ushtarake për luftë në front, vetëm e kanë ndihmuar përhapjen e epidemisë së gripit fatal për jetën e njerëzve në tërë botën. Në këtë mënyrë është zhvilluar pandemia.
Emërtimi “Gripi spanjoll” ose “Ethet spanjolle” vjen nga momenti kur epidemia kalon prej Francës në Spanjë. Atëherë janë infektuar disa miliona njerëz. Personat me imunitet të lartë, siç janë të rinjtë, kanë qenë më shumë të rrezikuar sesa fëmijët ose të moshuarit. Hulumtimet e mëvonshme të shkencëtarëve e kanë vërtetuar se citokinët ishin shkaktarë të virulencës dhe të vdekshmërisë së madhe nga Gripi spanjoll.


Katania (Catania) është qyteti i dytë dhe kryeqyteti i kësaj province në Siçili, në jug të Italisë. Gjendet në bregdetin e Siçilisë, rreth 30 kilometra nga vullkani Etna.
Vajza e Nail Karamanagës, Miliha Karamanaga – Hidri, e cila jeton në SHBA, shpeshherë vjen në vendlindjen e saj në Ulqin si dhe të bashkëshortit të saj Zija Hidrit, në Ohër. Ajo më tregoi:
“Kumara jonë (Selim Karamanaga, axha i Nailit) më ka thënë se në vitin 1918, kur ka qenë epidemia e parë e regjistruar e gripit (në popull është qujtur “Kolerë”), babai i tyre Ibrahim Kahraman Kahramanaga ka qenë në lundrim me disa ulqinakë prej Bengazit (Libisë) deri në Katanie (Siçili, Itali) me barkën e tyre ‘Pepina’. Atëherë janë sëmurë prej gripit spanjoll, i cili shkaktoi vdekshmëri të madhe. Aty mbaron edhe jeta e tyre”.
Barkën e tyre e kanë djegur për ta ndaluar përhapjen e sëmundjes. Në Katania edhe sot gjenden “Varrezat ulqinake”.
Djemtë e tij – Kahramani-Mani dhe Selimi – kanë shkuar në vitin 1918 për të kërkuar varrin e babait të tyre, Ibrahim Kahramanagës. Shumë më pas, djali i Kahraman-Mano Kahramanagës, Basriu (1933-2011), gjithashtu detar, i ka gjetur “Varrezat ulqinake” në Katania dhe kështu vizitoi varrin e gjyshit të tij.
Këtë histori (tregim) ma vërtetoi edhe Burhan Nail Karamanaga (1954).

Të fundit

më të lexuarat