Koha javore: Z. Nika, si e vlerësoni punën e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi për vitin 2025 dhe cilat projekte i konsideroni më të rëndësishmet ose që kanë pasur ndikimin më të dukshëm te komuniteti shqiptar në Mal të Zi?
F. Nika: Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, në kuadër të veprimtarisë së vet, një ndër prioritetet kryesore ka çështjen e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, pasi që e konsideron si njërën ndër shtyllat kryesore të ruajtjes së identitetit. Në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë dhe në koordinim edhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit në Mal të Zi, KKSH ka arritur që në mënyrë zyrtare të përfshijë dhe fusë në shkollat shqipe në Mal të Zi Abetaren Mbarëkombëtare, që besoj se është një arritje elementare, sepse tashmë me këtë abetare vogëlushët mësojnë edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe kjo është një arritje shumë e mirë gjatë këtij viti. KKSH-ja ka formuar grupet e punës për hartimin e teksteve alternative për historinë kombëtare të shqiptarëve dhe atë do të synojmë që në tremujorin e parë të vitit që vjen ta kemi në përdorim për nxënësit e shkollave fillore dhe nxënësit e shkollave të mesme në Mal të Zi. Kjo është ndër punët kryesore për vitin që lamë pas të KKSH-së, duke përfshirë edhe aktivitetet e përditshme, siç janë shënimi i datave me rëndësi kombëtare për shqiptarët në Mal të Zi, e po ashtu edhe mbështetjen, brenda mundësive që kemi, të aktiviteteve të rëndësishme të organizatave, shoqatave, autorëve shqiptarë etj.
Koha javore: Cilat kanë qenë sfidat kryesore gjatë zbatimit të politikave për arsimin shqip dhe çfarë ndryshimesh parashikoni për vitin 2026?
F. Nika: Sigurisht, ne kemi hasur këtë vit, konkretisht këto ditët e fundit, një sfidë të re, e cila është në zbatim e sipër, kur janë bërë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit të përgjithshëm për arsim në Mal të Zi. Studentët shqiptarë, të cilët i kanë përfunduar studimet në Republikën e Shqipërisë dhe në Kosovë, por edhe në vende të tjera, duhet të bëjnë përkthimin e të gjitha kurrikulave dhe silabuseve të viteve të studimit në gjuhën malazeze dhe të bëhet pastaj, nëse e vlerëson komisioni, që t’iu nënshtrohen provimeve të ndryshimit, në mënyrë që të bëhet barasvlershmëria e diplomave. Kjo praktikë nuk ka qenë vite më parë dhe është një risi në ndryshimet e Ligjit aktual për arsimin, dhe ne do të synojmë që këto peripeci apo procedura burokratike, të cilat jo vetëm që paraqesin sfida të reja për të gjithë të diplomuarit, por edhe kosto financiare shtesë goxha të larta, t’i adresojmë institucionalisht pasi që vetëm përkthimi nga përkthyesit e autorizuar i programeve të të gjitha provimeve gjatë studimeve, domethënë përkthimi i silabuseve, kërkon një kosto të lartë financiare, dhe kjo është sfida e re me të cilën po ballafaqohemi këtë fundvit. Kjo sigurisht kërkon që, në koordinim të Këshillit dhe të deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi, të inicojmë ndryshime dhe plotësime të këtij ligji, në mënyrë që procedura e njësimit të diplomave të jetë siç ka qenë deri tani, domethënë përmes procedurës së njohjes, pasi që të gjitha shtetet e rajonit janë pjesë e sistemit të Bolonjës dhe nuk di pse ka dalë kjo ngarkesë tani për studentët tanë që studiojnë jashtë.
Ne do të synojmë që këto peripeci apo procedura burokratike, të cilat jo vetëm që paraqesin sfida të reja për të gjithë të diplomuarit, por edhe kosto financiare shtesë goxha të larta, t’i adresojmë institucionalisht pasi që vetëm përkthimi nga përkthyesit e autorizuar i programeve të të gjitha provimeve gjatë studimeve, domethënë përkthimi i silabuseve, kërkon një kosto të lartë financiare, dhe kjo është sfida e re me të cilën po ballafaqohemi këtë fundvit
Në fushën e arsimit kemi pasur edhe disa arritje; këtu mund të them se, në bashkëpunim dhe koordinim me Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore, kemi siguruar mjetet mësimore didaktike për shkollat fillore në gjuhën shqipe në Mal të Zi dhe i kemi shpërndarë ato. Sigurisht kemi synuar, dhe besoj se do të realizohet vitin e ardhshëm, furnizimi i shkollave në gjuhën shqipe me lektyrat shkollore, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Arsimit, me të cilën jemi marrë vesh që KKSH të jetë siguruesi i lektyrave shkollore, ndërsa Ministria e Arsimit t’i mbulojë shpenzimet për furnizimin e shkollave në gjuhën shqipe me mjetet e nevojshme, kryesisht me lektyra shkollore.
Koha javore: Në ç’masë ka qenë mbështetja e projekteve kulturore ndaj shqiptarëve në Mal të Zi dhe sa ndikojnë ato në ruajtjen e identitetit dhe traditave shqiptare në vend?
F. Nika: Brenda mundësive të veta financiare, KKSH në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt përkrah projektet kulturore në trevat shqiptare në Mal të Zi që kanë të bëjnë me ruajtjen e vlerave kombëtare, promovimin e identitetit, promovimin e autorëve shqiptarë në Mal të Zi. Dhe ne për çdo vit arrijmë që në një përqindje të lartë nga buxheti ynë vjetor t’i mbështesim këto aktivitete, qofshin ato që organizohen nga organizatat joqeveritare, siç janë manifestimet kulturore tradicionale që mbahen në Rozhajë, Plavë, Guci, Malësi, Ulqin, Krajë e Anë të Malit, në të gjitha trojet shqiptare në Mal të Zi. Ne i mbështesim kryesisht aktivitetet tradicionale, por edhe nismat e reja. Po ashtu, KKSH-ja financon edhe botimin e autorëve shqiptarë në Mal të Zi, një pjesë të tyre, si dhe ribotimin e teksteve dhe mjeteve të nevojshme, qofshin ato edhe shkollore, të cilat nuk mund të gjenden apo nuk ka kopje të mjaftueshme. Kështu që KKSH, përveç aktiviteteve që mbahen në mbarë trevat shqiptare në Mal të Zi, mbështet edhe autorët dhe studiuesit shqiptarë, edhe ata që bëjnë kërkime dhe publikime të librave të ndryshëm.
Koha javore: Si e vlerësoni përfaqësimin institucional të shqiptarëve dhe a mendoni se ka nevojë për një qasje më të unifikuar në nivel politik dhe shoqëror?
F. Nika: Sa i përket përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në institucionet publike, qofshin ato në kuadër të Kushtetutës së Malit të Zi, ligjeve për përfaqësim proporcional apo konventave ndërkombëtare të cilat Mali i Zi i ka pranuar, ne aktualisht nuk kemi të dhëna të publikuara të sakta për nivelin e përfaqësimit. Mirëpo kemi një nivel më të lartë të përfaqësimit të shqiptarëve sa i përket posteve drejtuese, qofshin ato qendrore dhe lokale; flas këtu për nivelin e ministrive, sekretarëve shtetërorë, drejtorëve të drejtorive. Mirëpo nuk e kemi pasqyrën e qartë se sa është niveli i përfaqësimit të shqiptarëve në administratë dhe në hierarkinë e këtyre institucioneve, domethënë në pozicione brenda institucioneve që janë të përhershme. Këtu kemi të dhëna nga viti, mendoj 2018-2019, nëse nuk gaboj, dhe sigurisht se ne, për vitin që vjen synojmë që, në koordinim me Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Ministrinë e Administratës Publike dhe Drejtorinë për Burime Njerëzore, të shtyjmë realizimin e një anketimi për të gjitha institucionet publike në Mal të Zi, në mënyrë që të përfitojmë një pasqyrë të qartë për përqindjen e përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në institucionet publike. Ky është synimi ynë për vitin që vjen. Besoj që është një ndër punët dhe prioritetet kyçe të KKSH-së.
Brenda mundësive të veta financiare, KKSH në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt përkrah projektet kulturore në trevat shqiptare në Mal të Zi që kanë të bëjnë me ruajtjen e vlerave kombëtare, promovimin e identitetit, promovimin e autorëve shqiptarë në Mal të Zi. Dhe ne për çdo vit arrijmë që në një përqindje të lartë nga buxheti ynë vjetor t’i mbështesim këto aktivitete, qofshin ato që organizohen nga organizatat joqeveritare, siç janë manifestimet kulturore tradicionale që mbahen në Rozhajë, Plavë, Guci, Malësi, Ulqin, Krajë e Anë të Malit, në të gjitha trojet shqiptare në Mal të Zi
Koha javore: A ka pasur progres në bashkëpunimin me institucionet e Malit të Zi në çështjet që prekin komunitetin shqiptar dhe a mund të jepni shembuj konkretë?
F. Nika: Po, absolutisht ka pasur bashkëpunim, mund të themi edhe progres. Përmenda më lart bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, ku kemi arritur të merremi vesh për Abetaren Mbarëkombëtare dhe të marrim vendim që të lejohet përdorimi i saj në sistemin shkollor, në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.
Plani i dytë që kemi është çështja e furnizimit me lektyrat shkollore, furnizimi me mjete të ndryshme didaktike. Kjo është sa i përket Ministrisë së Arsimit.
Ne kemi po ashtu bashkëpunim edhe me Ministrinë e të Drejtatve të Njeriut dhe Pakicave, ku me iniciativën e këshillave kombëtare tanimë është nisur procedura për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për pakicat, që ka të bëjë edhe me funksionimin e këshillave kombëtare, por që ka të bëjë edhe me funksionimin e Fondit për Pakica, ku synojmë që ndarja e mjeteve nga ky Fond të jetë sa më e drejtë dhe në mënyrë proporcionale për të gjitha pakicat në Mal të Zi.
Kemi bashkëpunim me komunat, me shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, me institucione, me shoqërinë civile dhe me intelektualët shqiptarë në Mal të Zi. Sigurisht, po them se ka bashkëpunim dhe rezultate konkrete; kemi edhe iniciativa që kërkojnë zbatim vitin që vjen, siç është çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet publike, ku sigurisht do të kërkojmë nga këto institucione t’i zbatojnë ligjet në fuqi, por edhe do t’i publikojmë rezultatet e tjera që do të paraqesim.
Koha javore: Si kanë funksionuar raportet gjatë këtij viti me Shqipërinë dhe Kosovën dhe çfarë projektesh të përbashkëta priten për vitin 2026?
F. Nika: Po, sigurisht, ne kemi bashkëpunim të vazhdueshëm me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës. Prioritet ka arsimi në gjuhën shqipe, ku sigurisht nga Shqipëria dhe Kosova, nga universitetet publike në këto vende, KKSH-ja në mënyrë të vazhdueshme kërkon kuota të veçanta për shqiptarët në Malin e Zi të cilët i ndjekin studimet në këto vende. Po ashtu kemi bashkëpunim me përfaqësitë e tyre diplomatike në Podgoricë, tanimë edhe me Konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Ulqin. Kemi edhe mbështetje nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë për KKSH-në, konkretisht për Librarinë “Ulqini”.
Janë disa aktivitete dhe nisma që ne i bëjmë në koordinim me këto dy shtete; sigurisht presim dhe synojmë që ky bashkëpunim të rritet në nivele të tjera. Synojmë që të arrijmë marrëveshje në nivel shtetëror. KKSH-ja mund të jetë si iniciator sa i përket specializimeve në fushat mjekësore, për studentët shqiptarë të cilët kanë studiuar mjekësinë në këto dy qendra shqiptare – në Prishtinë dhe Tiranë, dhe synojmë që të mundësohen kuota të veçanta për specializantë, për shqiptarët nga Mali i Zi, sa i përket shkencave mjekësore.
Koha javore: Cilat janë tri prioritetet kryesore të KKSH-së për vitin 2026 dhe si planifikoni t’i realizoni ato në praktikë?
F. Nika: Një ndër nismat, siç e thashë më lart, është edhe përfundimi i ndryshimeve dhe plotësimeve sa i përket Ligjit për pakicat kombëtare.
Sigurisht po punojmë me Ministrinë e Arsimit që të arrijmë të përmbyllim nismën për furnizimin e shkollave me lektyrat shkollore.
Po ashtu do të synojmë që të bëjmë një analizë të gjendjes sa i përket përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në institucionet publike.
Gjithashtu, synimi është që të përmbyllim projektin e tekstit plotësues për historinë kombëtare për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, punë të cilën tanimë e kemi në përfundim e sipër, por sigurisht do të jetë ndër prioritetet edhe për vitin e ardhshëm.
Një synim tjetër është që të njëjtën ta aplikojmë edhe për lëndët e tjera që kanë të bëjnë me identitetin, siç janë gjeografia, arti muzikor dhe arti pamor. Kështu që kemi një listë të synimeve, por përmenda vetëm disa nga prioritetet.
Intervistoi: Toni Ujkaj
