Pas më shumë se një dekade angazhimi qytetar dhe institucional për mbrojtjen e Kripores së Ulqinit, arritja e marrëveshjes ndërmjet Komunës së Ulqinit dhe Qeverisë së Malit të Zi për themelimin e Ndërmarrjes Publike “Parku i Natyrës Kriporja e Ulqinit” shënon një moment të rëndësishëm për të ardhmen e këtij territori unik. Megjithatë, kjo marrëveshje hap edhe dilema të reja lidhur me mënyrën e menaxhimit, përfshirjen e shoqërisë civile dhe ruajtjen afatgjatë të vlerave ekologjike. Për këto çështje dhe pritshmëritë nga faza e ardhshme e funksionimit të Parkut të Natyrës, “Koha javore” ka biseduar me Zenepa Likën, kryetare e Shoqatës “Martin Schneider-Jacoby”, një nga zërat më të angazhuar dhe konsekuentë në mbrojtjen e Kripores së Ulqinit.
Koha javore: Si e vlerësoni arritjen e marrëveshjes me Qeverinë e Malit të Zi për themelimin e Ndërmarrjes “Parku i Natyrës Kriporja e Ulqinit”, duke pasur parasysh angazhimin shumëvjeçar të shoqatës suaj për mbrojtjen e Kripores? A e konsideron Shoqata “Martin Schneider-Jacoby” këtë marrëveshje si një hap pozitiv drejt mbrojtjes së Kripores, apo si një rrezik të ri për të ardhmen e saj?
Z. Lika: Shoqata “Martin Schneider-Jacoby” e vlerëson këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm dhe të vonuar, por pozitiv, drejt vendosjes së një strukture institucionale për menaxhimin e Kripores së Ulqinit. Pas më shumë se një dekade angazhimi qytetar dhe institucional për mbrojtjen e këtij territori unik, krijimi i ndërmarrjes publike hap mundësinë për menaxhim aktiv dhe të përgjegjshëm. Megjithatë, suksesi i saj do të varet nga mënyra konkrete e funksionimit dhe prioritetet që do të vendosen.
Koha javore: Cilat janë pritshmëritë tuaja konkrete nga fillimi i punës së ndërmarrjes në pranverën e vitit 2026 dhe cilat duhet të jenë prioritetet e saj në fazën e parë?
Z. Lika: Pritshmëritë tona janë që ndërmarrja të fillojë punën me një fokus të qartë në mbrojtjen ekologjike. Prioritetet e fazës së parë duhet të jenë: rehabilitimi i infrastrukturës hidrologjike, sigurimi i regjimit të ujit dhe mbrojtja e biodiversitetit, veçanërisht e shpendëve. Gjithashtu, shpresoj që plani menaxhues, të cilin ne si grup punues e kemi përgatitur, të zbatohet ashtu siç e kemi planifikuar. Kjo është kyçe për rrjedhën e punës së domosdoshme, por edhe afatgjatë për rikthimin e prodhimit të kripës.
Koha javore: A mendoni se struktura e kapitalit fillestar (60% Qeveria – 40% Komuna e Ulqinit) garanton menaxhim të qëndrueshëm dhe të pavarur të Parkut të Natyrës?
Z. Lika: Struktura e kapitalit mund të sigurojë stabilitet financiar, por vetë përqindjet nuk garantojnë automatikisht pavarësi dhe qëndrueshmëri. Këto do të varen nga profesionalizmi i menaxhmentit, transparenca, si dhe nga respektimi i misionit kryesor të Parkut – mbrojtja e natyrës. Gëzon fakti që Bashkimi Evropian ka qenë këmbëngulës dhe për të arritur këtë pikë ka punuar shumë, si dhe ka ndarë fonde që do të ndihmojë që Parku Natyror “Kriporja e Ulqinit” të zhvillohet në mënyrë më të mirë. Siç e theksova edhe më parë, nëse trupi menaxhues fokusohet në planin e veprimit të kërkuar nga BE-ja, atëherë mendoj se mund t’ia dalë.
Koha javore: A ekziston frika se ky model institucional dhe financiar mund ta zhvendosë fokusin nga mbrojtja ekologjike drejt interesave ekonomike?
Z. Lika: Ky rrezik ekziston gjithmonë. Jemi në Mal të Zi dhe kemi parë gjithçka. Pikërisht për këtë arsye është thelbësore që aktivitetet ekonomike të jenë plotësisht në funksion të ruajtjes së natyrës dhe jo anasjelltas. Kriporja nuk duhet të shihet si burim fitimi afatshkurtër, por si një pasuri publike me vlera ekologjike, kulturore dhe ndërkombëtare.
Koha javore: Cilat janë elementet e marrëveshjes që ju i shihni si përparësi, dhe cilat si problematike apo shqetësuese për ruajtjen afatgjatë të Kripores së Ulqinit?
Z. Lika: Si përparësi shohim njohjen institucionale të rëndësisë së Kripores dhe përfshirjen e Komunës së Ulqinit në menaxhim, edhe pse vetëm me 40%, pasi mendoj se kjo është përqindja reale e kapaciteteve që ka komuna. Shqetësuese mbetet mungesa e mekanizmave të qartë për përfshirjen e ekspertizës shkencore dhe të shoqërisë civile në vendimmarrje, si dhe rreziku i politizimit të strukturave drejtuese. Nuk mund të përgjigjem saktësisht, sepse edhe pse jemi anëtarë të grupit punues që nga viti 2021, në këtë aspekt nuk kemi qenë të informuar siç duhet.
Koha javore: Sa mendoni se kjo marrëveshje reflekton realisht kërkesat dhe rekomandimet që shoqata juaj ka ngritur ndër vite, apo ndiheni të anashkaluar në procesin e vendimmarrjes?
Z. Lika: Pjesërisht. Marrëveshja përfaqëson realizimin e disa kërkesave tona kyçe, veçanërisht nevojën për një trup menaxhues publik. Megjithatë, shoqëria civile nuk ka qenë mjaftueshëm e përfshirë në procesin e vendimmarrjes, gjë që mbetet një mangësi serioze.
Koha javore: Cili do të ishte roli i shoqërisë civile, në veçanti i Shoqatës “Martin Schneider-Jacoby”, në procesin e menaxhimit dhe vendimmarrjes për Parkun e Natyrës në të ardhmen?
Z. Lika: Shoqëria civile, përfshirë MSJA-në, duhet të ketë rol këshillues, monitorues dhe mbikëqyrës. Ne e shohim veten si partner kritik, që kontribuon me dije, përvojë dhe angazhim shumëvjeçar, me qëllim që Kriporja e Ulqinit të mbrohet dhe të menaxhohet në interes të publikut dhe të brezave të ardhshëm.
Bisedoi: D. Teliqi
