Koha javore: Z. Ruka, çfarë përfaqëson hyrja e lahutës në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s në raport me identitetin kulturor shqiptar?
E. Ruka: Lahuta – ky arketip shumë i hershëm i para ilirëve (mbetet të përcaktohet koha e saktë e bashkëjetesës së saj) përfaqëson njërin nga elementet e qenies, e shpirtit të malësorëve, që ka lënë gjurmë të thella në rrugëtimin e saj për mbijetesë dhe qytetërim. Përcjellja e një historie atipike nga ehu i një jete të paeksploruar plotësisht, është dëshmi e gjallë e një identiteti solid të transmetuar në krijimtari specifike dhe të përcjellë nëpërmjet një mbamendjeje të thellë.
Këngët me lahutë (lavdë – kështu e thërrasin malësorët përdorues) janë një pasuri e madhe, jo vetëm kombëtare, por një kontribut i madh për njerëzimin.
Që këtu fillon të ngrihet zani i një populli që di të ndajë të mirën nga e keqja, që di ta njohë se kush është prijësi, që vlerëson mejdanin dhe jo prapaskenën, që nderon të drejtën, të vërtetën, lirinë dhe jo mashtrimin, gënjeshtrën, nënshtrimin.
Është dëshmi e prekshme e një geni të fortë, të drejtë, të paepur, human, i ndershëm dhe i bekuar nga Zoti. I bekuar me gjuhën, traditat e zakonet, besën e nderin, lirinë e dinjitetin.
Por për këto flasin më së shumti eksploratorë e studiues, historianë e ekspedita të vendeve të qytetëruara.
Koha javore: Cilat janë vlerat thelbësore historike, artistike dhe simbolike që e bënë lahutën të denjë për këtë njohje ndërkombëtare?
E. Ruka: Vlera kryesore është aftësia për të përjetësuar historinë e qëndresës dhe të përpjekjeve mbinjerëzore për mbijetesë.
Është shpirti i qëndresës heroike dhe aftësia për të memorizuar ngjarjet dhe personazhet më popullore, prijësit e kryengritësve dhe dalëzotësit e njerëzve që kërkojnë të jenë të lirë e dinjitozë në hapësirat e veta legjitime.
Populli ynë, përveçse liridashës, ka nxjerrë nga gjiri i vet edhe talente të jashtëzakonshme për t’i arkivuar vlerat e veta, për të krijuar e interpretuar në një mënyrë specifike e me intensitet të fuqishëm, për t’u krenuar, por edhe me kujtesë të fortë. Ai e ka bërë lahutën dhe këngën epike pjesë të odave, ceremonive, e deri në frontin e përballjeve më kundërshtarin. E ka quajtur pjesë të moralit të pazëvendësueshëm për t’u dhënë trimave zemër e besim në fitore.
Prandaj është shkruar se shumë fitore fillojnë nga shpirti krijues i artistëve…
Arketipi i lahutës (lavdës) është aq i lidhur me historinë e rrugëtimit të saj në dorën e shqiptarëve saqë nuk e ndryshoi për asnjë shekull paraqitjen e saj organologjike (pamjes së jashtme) dhe as funksionin e saj artistik. Ajo është produkt prodhimi i mjeshtrave të hapësirave ku përdoret dhe pasqyrë e një dashurie dhe empatie të veçantë për të. Pikërisht prandaj është e zbukuruar me elemente të hershme e të pandryshueshme të karakterit patriotik dhe simbolikave që lidhen me jetën, besimin dhe terrenin epik.
Koha javore: Si duhet kuptuar lahuta sot – si një instrument muzikor apo si një formë e kujtesës historike dhe identitare?
E. Ruka: Pyetja juaj është me vend. Lahuta është instrument muzikor, origjinal, i pranueshëm, madje i pandashëm nga mjediset publike si pjesë e kulturës artistike të pranishme, si një “provë” e talenteve autoktone që bashkëjetojnë në këtë “revansh” rrymash artistike. Por, edhe si kujtesë identitare. Të dyja këto kërkojnë së pari një ndjeshmëri ndaj kujtesës, por edhe një përgjegjësi ndaj përcjelljes së historisë sonë te gjeneratat e reja. Ky është një mision, një amanet, ku shqiptarët janë shquar për seriozitetin dhe cilësitë e rralla të trashëgimisë. Shembull për këtë kemi ruajtjen e gjuhës, veshjeve (kujtojmë këtu xhubletën e famshme), këngëve e valleve, riteve e ceremonialeve etj.
Koha javore: Cili është roli i studiuesve, institucioneve kulturore dhe mediave në ruajtjen dhe transmetimin e lahutës te brezat e rinj?
E. Ruka: Nëse kemi nderim për kontributet anonime që na e kanë sjellë identitetin tonë me shumë madhështi dhe krenari, roli i studiuesve është i pazëvendësueshëm. Kjo është një çështje e gjatë për diskutim, por mendoj, me gjithë përpjekjet dhe rezultatet shumë pozitive, jemi më të vonuar se fqinjët. Kjo ka arsye objektive, por që duhet nxituar për të kapur kuotat e lartësisë së kontributit praktik të bardëve të artit tonë tradicional. Megjithëse Akademitë tona (në Tiranë e Prishtinë) kanë aktivitet shkencor të konsiderueshëm.
Këtu dua të evidentoj punën shumë më të strukturuar në Prishtinë, veçanërisht nga Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri – epikolog, i cili është një pasionant dhe ekspert i rrallë i punës në terren dhe si botues.
Politikat kulturore të Tiranës kanë dëshmuar kujdes dhe interes, falë institucioneve speciale të menaxhimit të folklorit, duke e nxitur praninë e lahutës dhe epikës në përgjithësi në skenat e festivaleve që nga pjesa e dytë e shekullit XX. Gradualisht është rritur kujdesi ndaj saj. Në Lezhën e vendvarrimit të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, prej tri dekadash mbahet një festival tipologjik i rapsodëve dhe instrumentistëve popullorë.
Periudha që kam drejtuar Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Folklorike pranë MTKRS-së të Tiranës kam realizuar gjashtë festivale të tilla, ku lahuta është trajtuar si pjesë shumë e veçantë e përfaqësimit dhe e vlerësimit. Krahas legjendarit 100-vjeçar Gjokë Nonaj rreshtohej lahutari i mirënjohur i trevave tuaja, Gjokë Kalaj. Ishte shtuar numri i pjesëmarrësve të rinj në atë festival. Ky ishte prioritet i yni programor. Edhe prania e mediave pamore (televizioneve) bënte një punë të mirë promovuese.
Me shumë ndikim është edhe Festivali i Vitojës në Tuz. Janë të shumta veprimtaritë e SHKA-ve në të cilat kënga epike dhe lahuta është e pranishme. Kjo është një gjë shumë pozitive. Mendoj se nuk duhet të qëndrojmë vetëm me pozitivitetin e ndjeshmërisë popullore ndaj kësaj vlere kombëtare.
Koha javore: Si e shihni të ardhmen e lahutës dhe këngëve epike në një shoqëri moderne që po largohet nga tradita gojore, dhe a ekziston rreziku që pas njohjes nga UNESCO-ja të mbetet vetëm simbol formal, pa u ruajtur si praktikë të gjallë kulturore?
E. Ruka: Sihariqi i marrjes së lahutës nën kujdesin e UNESCO-s, ekspozimi zyrtar dhe mbrojtja e saj në radhën e trashëgimisë botërore, është një sukses i jashtëzakonshëm. Ne duhet ta marrim si një fillim pune serioze institucionale dhe jo si një lehtësim i “ngarkesave“ që paraqet ndokush. Puna me ruajtjen, përvetësimin dhe përcjelljen e gjithë vlerave të trashëgimisë, veçanërisht atyre që paraqesin zbehje e mungesë interesi, është një çështje politike kulturore, në radhë të parë e shtetit dhe institucioneve. Aty ku është tradita, është edhe mundësia. Por kërkohet disiplinë, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm. Duhet menduar që pranë shkollave të mesme (aty ku lahuta është traditë) të normohet të jetë pjesë e kurrikulave mësimore. Organet vendore duhet të caktojnë një buxhet të nevojshëm për të stimuluar ruajtjen, prodhimin e arketipave dhe mësimin e lahutës nga të rinjtë. Është në seriozitetin, detyrën dhe misionin institucional që të studiojë, projektojë dhe stimulojë vlerat e traditës së tij, të kujdeset me përparësi për edukimin estetik nëpërmjet artit tradicional dhe bashkëkohor, duke respektuar diversitetin kulturor dhe qytetërimin nacional.
Intervistoi: Toni Ujkaj
