
Në shoqërinë shqiptare, herë pas here shfaqet një dukuri e veçantë: këndimi i këngëve për figura politike që janë ende gjallë dhe aktivë në pushtet, duke i paraqitur si heronj të përfunduar për vepra që ende janë në proces të gjykimit historik. Kjo qasje lidhet më tepër me një trashëgimi nga periudhat autoritare, ku lavdërimi i udhëheqësve ishte pjesë e propagandës shtetërore dhe jo rezultat i një vlerësimi të drejtë dhe kritik. Në kulturën tradicionale shqiptare, kënga historikisht u është kushtuar heronjve pas përfundimit të veprës së tyre, shpesh pas heroizmit ose vdekjes natyrale, kur koha ka bërë filtrimin e nevojshëm mes mitit dhe realitetit.
Cilado qoftë arsyeja, glorifikimi apo mitizimi i njerëzve të gjallë nuk është thjesht një shprehje entuziazmi popullor, por është një akt simbolik që e zhvendos figurën politike nga fusha e llogaridhënies në fushën e idealizimit, duke i hequr kërkesën për përgjegjësi ndaj votuesit
Këndimi i këngëve për një udhëheqës të gjallë nuk është dukuri e re te shqiptarët. Edhe para këtij rasti – Këngës për Albin Kurtin, janë kënduar këngë për njerëz ende aktivë në jetën publike, dhe fatkeqësisht kjo prirje vazhdon edhe sot. Rasti i fundit, kur një këngëtare doli në skenë dhe i këndoi drejtpërdrejt Albin Kurtit, më ngjalli kureshtje për ta rishikuar këtë fenomen dhe për të reflektuar mbi mesazhin që përcillet: A ishte kjo spontane apo ishte e parapërgatitur, duke mbuluar një interes personal që ka për qëllim vazhdimin e karrierës në skenë solistja për veten, apo një porosi politike? Cilado qoftë arsyeja, glorifikimi apo mitizimi i njerëzve të gjallë nuk është thjesht një shprehje entuziazmi popullor, por është një akt simbolik që e zhvendos figurën politike nga fusha e llogaridhënies në fushën e idealizimit, duke i hequr kërkesën për përgjegjësi ndaj votuesit.
Psikologjikisht, kjo dukuri shfaqet më shpesh në shoqëritë që kanë kaluar trauma kolektive, padrejtësi të gjata dhe mungesë stabiliteti institucional. Në këto rrethana, qytetarët i kanë shpresat e tyre tek individë të veçantë, duke i perceptuar si figura shpëtimtare. Kënga shërben si mekanizëm emocional për të ulur pasigurinë e gjendjes së krijuar dhe për të forcuar vetëbesimin, por harrohet se rreziku qëndron në faktin se emocionet e rritura mbulojnë dhe zëvendësojnë gjykimin e drejtë të politikanëve, cilido qoftë ai. Dhe duke u nisur nga ky kontekst, kënga pushon së qeni art kulturor dhe shndërrohet në ritual partiak të një besnikërie dhe lavdie, ashtu siç e kemi parë gjatë periudhës së komunizmit. Nuk duhet harruar se në atë kohë, kjo ishte një praktikë e zakonshme: mungesa e këngëve për udhëheqësin ngjallte dyshime për besnikërinë politike të artistit. Për këtë arsye, Enver Hoxhës iu kushtuan pa fund këngë, deri në atë pikë sa ironikisht thuhej se “u shteruan edhe notat muzikore shqiptare në këngët e lavdisë”.
Fenomene të ngjashme janë shënuar edhe në vende të tjera komuniste, ku këngët shërbenin si dëshmi besnikërie ndaj sistemit dhe udhëheqësve, përfshirë edhe këngët që rapsodët e Kosovës në atë kohë ia kushtonin edhe Titos.
Në rastin konkret, përgjegjësia nuk bie domosdoshmërisht mbi vetë udhëheqësin, pasi këngët shpesh lindin nga mbështetësit dhe kritika bie mbi ata artistë. Megjithatë, një udhëheqës me vetëdije demokratike ka detyrimin moral të distancohet nga çdo formë e kultit personal dhe të theksojë se vlerësimi i vërtetë buron nga puna dhe funksionimi i institucioneve. Në fund, ky shkrim synon për të nxitur reflektim mbi një fenomen shoqëror. Respekti për një politikan nuk matet me këngë, por me të mirat konkrete që ai i sjell vendit dhe qytetarëve.
Heroizmi i parakohshëm nuk i shërben as udhëheqësit, as shoqërisë. Kënga i përket historisë dhe nuk duhet nënvlerësuar arti i këngës, sepse ajo është kapitulli i fundit që përmbyll një rrëfim të përfunduar. Politika, ndërkaq, kërkon përgjegjësi, jo mitologji dhe kulte. Në një shoqëri demokratike, politikanët janë në shërbim të qytetarit; ata kanë një kontratë morale dhe politike me votuesin dhe vetëm pasi kjo kontratë të përmbushet, historia vendos nëse do të këndohet apo jo për ta.
