Maratona e Pavarësisë Ulqin-Shkodër nisi në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nga dy mërgimtarë entuziastë të vrapimit – Esat Aloshi (Guri Muça) dhe Mustafë (Mike) Bërkani si një nismë qëllimmirë.
Ajo kishte një simbolikë të veçantë për shumë arsye – bashkonte Ulqinin dhe Shkodrën, dy qytete që historikisht kishin qenë – jetuar bashkë, por që padrejtësisht për shkak të rrethanave historike i kishin ndarë; zhvillohej në dy shtete – Shqipëri dhe Mali i Zi – duke e bërë tërheqëse, sidomos për maratonistët e huaj. Por edhe vetë data që mbahej dhe emërtimi i saj – ishte zgjedhur 28 Nëntori si data më e rëndësishme në historinë e shqiptarëve, prandaj vetë emërtimi i saj “Maratona e Pavarësisë” ishte i vetëkuptueshëm.
Pavarësisht se maratona nuk arriti të futej në kalendarin zyrtar të maratonave, duke mbetur një maratonë amatore, ajo krijoi fizionominë e saj. Me dhjetëra e qindra maratonistë bashkoheshin për çdo 28 Nëntor në Ulqin. Maratona e Pavarësisë nuk ishte thjesht një garë, por një festë e maratonistëve dhe e pjesëmarrësve të tjerë, të cilët direkt apo indirekt ishin të lidhur me të, dhe që ia shtonte hijeshinë kësaj date që për shqiptarët konsiderohet e shenjtë.
Ajo kishte disa ikona të saj, si maratonistët Sotir Qiriaqi, Gazmend Shehu, Irfan Domnori, Zhaneta Ruçaj, Qëndresa Ramadani, fituesin e shumëfishtë Ilir Këllezi, pa harruar dy nismëtarët (Guri Muça dhe Mustafë Bërkani) që herë pas here vinin enkas nga SHBA për të marrë pjesë në maratonë, si dhe shumë garues të tjerë që e nderonin këtë maratonë, pothuajse nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga vendet evropiane dhe botërore.
Ndër vite ajo është organizuar faktikisht nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, ndonëse formalisht si bashkorganizatorë figuronin edhe Komuna e Ulqinit dhe Bashkia e Shkodrës, të cilët nuk treguan kurrë interesimin e duhur për organizimin e saj. Edhe pse premtonin në deklaratat e tyre pompoze, në nisje apo në përfundim të maratonës, sa mbaronte një edicion udhëheqësit – zyrtarët e Komunës së Ulqinit dhe të Bashkisë së Shkodrës i harronin shpejt premtimet e dhëna derisa vinte edicioni tjetër.
Të gjithë pjesën logjistike të organizimit të maratonës e bënte KKSH, që përbënte një barrë të madhe për kapacitetet e saj të kufizuara. Tatëpjeta e Maratonës së Pavarësisë filloi kur KKSH hoqi dorë nga organizimi i Maratonës së Pavarësisë (ndonëse zyrtarisht emri i tij figuronte si organizator, sepse e mbështeste atë) dhe kur organizimi u mor përsipër nga shoqata e profesorëve të kulturës fizike.
Për çdo vit, numri i pjesëmarrësve ishte më i vogël, organizimi gjithnjë e më i dobët, ndërsa kostot e shpenzimeve rriteshin në mënyrë artificiale (fiktive) vit pas viti. Ajo degradoi deri në atë shkallë sa vitin e kaluar morën pjesë vetëm 12 garues, për të arritur kulmin këtë vit, kur zyrtarisht morën pjesë 7 maratonistë, kurse faktikisht vetëm 3 (ngaqë katër nxënës ishin marrë nga shkolla e mesme sa për të plotësuar numrin dhe për të bërë fotografi në nisje të maratonës). Këtë vit, organizatorët u shfaqën gjoja në rolin e “shpëtimtarit” të Maratonës së Pavarësisë, duke e fundosur atë përfundimisht.
Maratona e Pavarësisë është shembull tipik i degradimit të një nisme qëllimmirë, ashtu si dhe shumë nisma të tjera. Ajo e ka humbur simbolikën dhe qëllimin e saj, duke u keqpërdorur në emër të patriotizmit për qëllime përfitimi financiar nga disa individë, nën pretekstin e profesionalizmit. Por krahas tyre, përgjegjësi kanë edhe të gjithë ata që e financuan – Komuna e Ulqinit, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, KKSH etj.
I. Kallaba
