Njeriu bashkëkohor, i ballafaquar me universalizmin religjioz

Për një dialog ndër-religjioz duhet së pari të mënjanohen dhe shmangen paragjykimet, devijimet, vlerësimet a gjykimet me hamendje, në mënyrë që të krijohet hapësira për njohjen e së vërtetës. Toleranca ndër-religjioze nënkupton tejkalimin e fundamentalizmit fetar, për arsye se për fundamentalistët parimet e tolerancës nuk janë të afërta

Nikë Gashaj

Bota bashkëkohore jeton në pluralizëm – nacional, etnik, fetar etj. Pluralizmi fetar është pasojë e kulturës planetare bashkëkohore. Prandaj, për shembull, në vendet e Evropës Perëndimore jetojnë me dhjetëra milionë myslimanë, ndërsa në vendet islamike-arabe qëndron një numër i madh i të krishterëve.
Njeriu bashkëkohor sot është i ballafaquar me universalizmin religjioz. Para së gjithash, ai është arti sakral në kuptimin e gjerë të fjalës, i cili është paratempull i traditave të llojllojshme religjioze nga Perëndimi deri në Lindje. Është e pamundur për ta mohuar bukurinë arkitekturale pagëzimtare (Babtisterij) në Pizi, xhamitë e mëdha Qayrevante në Tunis, faltoret indiane ose tempujt e Kyotos.
Nëpërmjet formave të shumta të artit sakral, religjionet e ndryshme kanë hyrë në jetën e përditshme të njeriut bashkëkohor. Ata të cilët dikur kanë lexuar vetëm veprat e Toma Akuinskit, ose të Bonaventurës, nuk mund më të jenë indiferentë ndaj mësimeve religjioze të popujve të tjerë. Sot, për shembull, në Paris, Londër dhe Hajdelberg, krahas Paskalit, Gëtes, Holderlinit dhe Rembrantit, zbulohen shenjtë metafizikë mahnitës të kulturës islame.
Sot të gjitha religjionet e mëdha predikojnë dhe synojnë për vlera të ngjashme dhe orvaten të arrijnë paqen dhe të mundësojnë bashkëjetesën. Përfaqësuesit e besimeve më të rëndësishme pajtohen se toleranca reciproke është domosdoshmëri historike, e në lidhje me këtë është i njohur parimi kristian sipas të cilit do të mund të rregullohen të gjitha marrëdhëniet në mes të njerëzve: “Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre…” Ose në version të ndalimit: ”Mos ia bëni tjetrit atë që nuk dëshironi ta bëjë ty tjetri”. Ndërsa sipas Kur’anit: “Njerëzit duhet t’i puthin të afërmit sikurse vetveten”, për ta plotësuar edhe atë: ”Jepja çdokujt atë që jeni të detyruar…”
Më tutje, Bibla thotë se të bekuarit do të jetë paqesjellës ose pacifikues. Sipas disa historianëve të religjionit, vetë fjala ”islam” rrjedh nga fjala “salam”, e cila do të thotë “paqe”, ndërsa vetëm atëherë i ”dorëzohet” fesë, kështu që domethënia e vërtetë e kësaj fjale është ”paqja e përsosur”, e cila arrihet duke iu dorëzuar Zotit.
Njohjet sociologjike mësojnë: ”Respektoje fqinjin e vet nëse dëshiron të jesh i respektuar”. Ose, sikurse e thotë bukur Mark Milani: ”Trimëri është të mbrosh veten prej tjetrit, por është burrëri ta mbrosh tjetrin prej vetes”.
Natyrisht, deri tek idetë e mëdha dhe të urta, bujare, fisnike e kultivuese nuk është lehtë as për të ardhur, mirëpo në çdo rast është dhe më vështirë për t’i zbatuar. Për t’i realizuar është i nevojshëm vullneti i mirë, përcaktimi moral, qëndrueshmëria dhe dija.
Prandaj për respektimin e parimeve me vlerë janë të nevojshme shumë gjëra, kurse në anën tjetër janë tepër shumë sfida me të cilat njerëzit dhe bashkësitë fetare ballafaqohen në praktikë e të cilat i largojnë ata nga parimet. Nga historia është e njohur se besimet, edhe përkundër mësimit për paqe, kanë qenë dhe në një masë kanë mbetur burime të mundshme dhe shkaqe të konfliktit, të shfarosjes së njerëzve të besimeve të ndryshme. Për këtë dëshmojnë dhe luftërat e mëdha fetare në Evropë, në shekujt XVI dhe XVII, të cilat kanë përfunduar me kontrata të paqes. Po ashtu dhe postkomunizmi ka sjellë shumë tensione, acarime, përleshje dhe konflikte ndërnacionale me elemente të forta fetare.
Ka bashkësi fetare që shpeshherë nuk i ndjek mësimet e veta teologjike, por më tepër sillet si organizatë politike. Çfarë duhet të thuhet për ata përfaqësues të bashkësisë fetare, të cilët i shkelin parimet e urdhrit të fesë, duke përhapur jotolerancë dhe urrejtje ndaj atyre që i përkasin një konfesioni tjetër? Sipas logjikës së religjionit monoteist, e vetmja e vërtetë është e tij, prandaj nuk ka vend për pjesëtarë të religjioneve të tjera. Nga kjo rrjedh ideja se të tjerët nuk kanë të drejtë ekzistence. Mirëpo, çdo njëanësi apo ekstremizëm fetar mund të jetë i dëmshëm, madje dhe tejet i rrezikshëm për marrëdhëniet ndër-religjioze dhe ndërnjerëzore.
Në shtetet ku ekzistojnë grupe të mëdha të popullsisë e të cilat dallohen sipas përkatësisë nacionale, etnike, gjuhësore, konfesionale etj., është shumë me rëndësi të kërkohen, të gjenden e të miratohen modelet më të mira, të drejtat e përshtatshme, reale, adekuate, shoqërore, politike, kushtetuese e ligjore për një jetë të përbashkët dhe të barabartë të të gjithë qytetarëve. Pra, ka të bëjë me realizimin konsekuent të të drejtave individuale dhe kolektive të qytetarëve. Bashkësitë fetare, përkatësisht kishat dhe eprorët e tyre në këtë drejtim mund të kenë një rol me rëndësi.
Vetëdija për ekzistencën e multikulturalizmit është bërë sot universale. Do të duhej dhe më tutje të kultivohet, në veçanti dialogu ndërfetar dhe toleranca. Kjo nuk është vetëm fryt apo fitore qytetëruese e botës bashkëkohore, e cila është ngritur në themelet e humanizmit evropian, por edhe parim hyjnor i cili qëndron në themelet e botës.
Sipas njohurive teologjike, në kozmos është gjithçka në shenjë të dialogut dhe tolerancës, ndërsa është detyrë e besimtarëve që atë parim ta respektojnë dhe fisnikërojnë. Nga një fakt i tillë varet edhe cilësia e marrëdhënieve ndërnjerëzore në një shoqëri, respektivisht në këtë qëndron edhe përgjegjësia më e madhe e njeriut. Në këtë kontekst, teologu dhe filozofi i njohur Hans Kung ka theksuar se dialogu mes religjioneve në shekullin XXI ka një rol vendimtar për fatin e botës bashkëkohore. Autori në fjalë, këtë e ka thënë, meqenëse disa studiues kanë shprehur frikën se në një të ardhme mund të vijë deri te përplasjet e qytetërimeve në botë. Mirëpo, duhet të besojmë se nëpërmjet dialogut të mirëfilltë, mençurisë e racionalitetit njerëzor, mundësitë e tilla do të zhvlerësohen, shmangen dhe tejkalohen.
Kohës së fundit, pluralizmi religjioz përjeton ndërrime e transformime me rëndësi. Prej izolimit kulturor dhe religjioz, bota është orientuar rrugëve të vetëdijes globale ekumenike apo të përgjithshme. Duhet të shpresojmë se religjionet e ndryshme, veçanërisht ato më të rëndësishme, në të ardhmen do t’i avancojnë dhe ridefinojnë marrëdhëniet e veta ndaj botës bashkëkohore, dhe njëheri dhe marrëdhëniet e tyre të ndërsjella. Në këtë drejtim, fjala dialog nuk do të thotë vetëm të folurit, por dhe dëgjues i mendimit, qëndrimit dhe argumentimit të tjetrit, si dhe pranimi dhe mirëkuptimi i tjetrit në specifikat e veçantitë e tij, respektivisht në kulturën e tij vetjake.
Si përfundim, për një dialog ndër-religjioz duhet së pari të mënjanohen dhe shmangen paragjykimet, devijimet, vlerësimet a gjykimet me hamendje, në mënyrë që të krijohet hapësira për njohjen e së vërtetës. Toleranca ndër-religjioze nënkupton tejkalimin e fundamentalizmit fetar, për arsye se për fundamentalistët parimet e tolerancës nuk janë të afërta. Përkundrazi, ata madje dhe e konsiderojnë se ajo mund të shkaktojë konfuzion, çrregullime, kaos dhe dezorientim te njeriu bashkëkohor. Në fund mund të konkludohet se fundamentalizmi në esencë është reagim konservativ ndaj sfidave të botës bashkëkohore.

(Autori është politolog dhe anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës)

Të fundit

më të lexuarat