
Federata Pan-Shqiptare “Vatra” ka organizuar më 28-30 nëntor 2025, në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, “Albanian Book Fest” – panairin e parë të librit shqip në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vazhduar historinë e saj të suksesit, jo vetëm si një ndër shoqatat më të vjetra të diasporës shqiptare në këtë vend, por edhe me kontributet më të mëdha për shqiptarët.
Organizimi i këtij panairi është vlerësuar nga organizatorët si një ëndërr e kahershme, por që është bërë realitet falë bashkëpunimit ndërmjet disa botuesve shqiptarë dhe Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”.
Njëri ndër nismëtarët kryesorë, Dr. Pashko Camaj, sekretar i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, thotë se prej vitesh e kanë vërejtur se diçka i mungon komunitetit shqiptar në SHBA, sepse për të pasur një libër shqip është dashur të shkojnë në vendlindje.
“Dhe kur u njoha me Bujar Hudhrin, në moment, disi në instinkt i propozova që të bëjmë një panair këtu dhe pa e kryer mirë fjalën, ma plotësoi… Domethënë ishim të të njëjtit mendim. Dhe kush më mirë se ‘Vatra’? Cila organizatë? Sepse në thelbin e ‘Vatrës’ është ta ruajmë identitetin, ta ruajmë kulturën. Jo vetëm ta ruajmë si relike historike, por ta mbajmë të gjallë”, shprehet ai.
Botuesi Bujar Hudhri, pronar i Shtëpisë Botuese “Onufri”, tregon se organizimi i panairit të librit shqip në SHBA ka qenë një ëndërr e kahmotshme e tij.
“Ishte fati im kur jam njohur me z. Pashko Camaj. Kur erdha vjet në këtë salllë, e përfytyroja se si të vinte një ditë si kjo sot këtu. Dhe kurrë nuk do të arrinte kjo pa një bashkëpunim nga Shqipëria dhe SHBA”, ka thënë ai.
Problemet e librit shqip në qendër të debateve
Gjatë ditëve të Panairit të Librit janë zhvilluar edhe debate që lidhen me problemet e librit shqip në kohën e zhvillimeve teknologjike e shoqërore, krizën e leximit dhe sfidat e autorëve e shtëpive botuese, preferencat e lexuesve shqiptarë sot, rëndësinë e librit shqip në Amerikë etj.
Botuesi Bujar Hudhri ka theksuar se duke qenë i përqendruar te botimet e autorëve kryesorë të letërsisë shqipe, emigrimi i shqiptarëve në vende të ndryshme të botës ka qenë një plagë e madhe për të.
Ai ka nënvizuar dallimin e emigracionit shqiptar në Amerikë në krahasim me emigracionin në Evropë, në raport me librin.
“E kam studiuar gjatë këtë problem, prej vitesh, që kur se ne kemi patur problemin e madh të humbjes së numrit të lexuesve për shkak të emigrimit. Por kurrë nuk arritëm që në Evropë – Greqi, Itali, ku ka qenë emigracioni më i madh, të çonim libra. Arsyeja, mendoj unë, ka qenë sepse një libër të identifikon se nga vjen, çfarë gjuhe flet, dhe për fat të keq, emigracioni në Itali, por sidomos në Greqi, shpesh nuk donin të identifikoheshin, që do të thotë nuk donin të blenin libra”, është shprehur ai.
Hudhri ka thënë se i vetmi vend ku mund të depërtonte libri shqip ishte diaspora shqiptare në Amerikë, si një vend demokratik që i mbron pakicat dhe ku ata ndjehen vërtet krenarë.
“Por problemi me ju ishte tjetër – si të komunikojmë me ju? Si të kaloje oqeanin? Është një vështirësi e madhe ekonomike, logjistike dhe një aksion që askush s’e ka marrë më përpara ta realizojë. Unë e kam pasur këtë ëndërr për një arsye të thjeshtë. Unë kam letërsinë më të mirë klasike dhe moderne. Dhe një botues ka një përgjegjësi të madhe që këtë letërsi ta shpërndajë, ta çojë te lexuesi. Pra, kjo përgjegjësi më ka bërë që të mendoj të gjeja rrugë të reja”, ka thënë ai.
Ish-gazetari dhe drejtuesi i Zërit të Amerikës, Frank Shkreli, ka përkujtuar se botimet në gjuhën shqipe në Amerikë nuk janë të reja dhe se ato e kanë fillesën pothuajse para një shekulli apo më shumë, në kohën e Fan Nolit, Konicës etj. Në këtë kontekst, ai e ka cilësuar Panairin e Librit si një fillim shumë të bukur për komunitetin.
“Janë edhe këto qendrat që gjatë njëqind viteve të kaluara, sidomos qendrat fetare, ato që kanë grumbulluar rreth vetes shkrimtarë, janë përpjekur të botojnë libra, libreza, të botojnë revista në gjuhën shqipe. Kështu që ky fillim, ndonëse historik në kuptimin e rrethanave dhe të përmbajtjes së tij, e ka njëfarë baze për t’u rritur, për t’u zhvilluar në njëqind vitet e ardhshme”, ka thënë Shkreli.
Një nismë që synon të bëhet traditë
Organizatorët e Panairit të Librit kanë thënë se synojnë që ai të mbahet për çdo vit dhe të bëhet tradicional.
“Kjo është një nismë e re, me shpresë se ka me qenë e përvitshme, me shpresë se do ta rrisim pjesëmarrjen edhe nga autorët, por ideja është që ta sjellim librin shqip këtu në këtë vend, sepse famirësisht apo fatkeqësisht, një numër i madh i lexuesve shqiptarë janë këtu në Amerikë dhe mungon libri shqip. Dhe besoj që ky e mbush atë zbrazëti që e kemi parë në kohë”, thotë sekretari i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Dr. Pashko Camaj.
Të njëjtin mendim ndan edhe botuesi Bujar Hudhri, kur thotë se nuk mjafton që “ne bëmë një festë, bëmë një dasmë dhe aq. Duhet që ky libër të jetë i pranishëm çdo ditë, siç është i pranishëm tri herë në ditë ushqimi. Dhe kjo arrihet vetëm duke hyrë libri në shtëpitë e shqiptarëve. Dhe kjo realizohet pikërisht me këtë panair”.
Sipas organizatorit, në këtë ngjarje kulturore më të madhe kushtuar kulturës kombëtare, promovimit të librit shqip, gjuhës shqipe, letërsisë shqipe etj. në SHBA kanë marrë pjesë 26 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe trevat e tjera shqiptare, të cilat kanë ofruar për komunitetin lexues më shumë se 3000 tituj nga 230 autorë.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes kanë qenë edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, meshtari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popaj, kryetari i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Elmi Reçica, pronari i Entit Botues “Gjergj Fishta”, Frano Kulli, të cilët i kanë përshëndetur të pranishmit, si dhe shumë personalitete të jetës kulturore e publike në SHBA dhe vendlindje.
Krahas librit dhe promovimit të tij, kjo festë e librit shqip, siç është cilësuar nga organizatori dhe pjesëmarrësit, është shoqëruar edhe me interpretime artistike, këngë, valle, recitime, poezi e orkestrime nga nxënësit e shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, grupi “Rozafati” dhe “Barbana” i shoqatave “Ana e Malit” dhe “Kraja”.
