Koha javore: Z. Bikaj, para pak ditësh keni botuar një libër që hedh dritë mbi zanafillën mesjetare të kombësisë dhe ndikimin e humanistëve arbërorë në identitetin arbëror gjatë shekujve XV-XVI. Çfarë ju ka shtyrë që të zgjidhni pikërisht këtë temë?
A. Bikaj: Që në fillimet e studimeve të mia kam pasur një kureshtje të qëndrueshme për mesjetën, veçanërisht për mënyrën se si lindin dhe zhvillohen idetë politike. Zgjedhja e kësaj teme erdhi si rezultat i boshllëqeve të dukshme në historiografinë shqiptare: origjina mesjetare e identitetit kombëtar dhe roli i humanistëve arbërorë nuk janë trajtuar sa duhet në mënyrë të thelluar dhe të paanshme. Çështja e identitetit, ose më saktë, e identiteteve, është një temë komplekse, delikate dhe gjithmonë aktuale. Debatet bashkëkohore mbi Skënderbeun, përkatësinë e qytetërimit dhe interpretime të ndryshme të së kaluarës shqiptare më kanë shtyrë të kthehem te burimet e para dhe t’i rivlerësoj ato në dritën e metodave bashkëkohore të hulumtimit. Detyra e historianit është të ndriçojë, rindërtojë dhe sqarojë të kaluarën, sidomos kur ajo është e ngarkuar me keqkuptime, shtrembërime ose ndërhyrje ideologjike. Ndikimet ideologjike, si ato të periudhës së kaluar, ashtu edhe të ditëve të sotme, kanë qenë arsye shtesë për t’iu qasur kësaj teme në mënyrë kritike, sipas metodologjive bashkëkohore.
Koha javore: Në librin tuaj përmendet kontributi i humanistëve arbërorë. Cili mendoni se ka qenë më i rëndësishmi për formësimin e identitetit arbëror?
A. Bikaj: Kjo është pjesa kryesore që trajtoj në studimin tim. Ndonëse dominojnë emrat e humanistëve arbërorë që lanë dorëshkrime, figura më e nënvlerësuar, gjithmonë sipas mendimit tim, mbetet argjipeshkvi Pal Ëngjëlli. Roli i tij vërehet thuajse në çdo veprimtari të humanistëve të tjerë, sidomos Frangut dhe Barletit.
P. Ëngjëlli ishte pararendës dhe mbështetës i zellshëm i frymës humaniste; ai ishte shtysa e Frangut dhe Barletit për shkrimin dhe promovimin e kujtesës kombëtare.
Koha javore: Si mendoni se ky libër lidhet me reflektimet mbi identitetin shqiptar sot?
A. Bikaj: Duke pasur parasysh debatet aktuale mbi identitetin kombëtar, ky libër synon të paraqesë botëkuptimin paramodern të saj brenda kontekstit historik, jo veç në Arbëni por në mbarë Evropën e asaj kohe. Kështu identiteti humanist (mesjetar) paraqitet nga gjeneza e cila nëse lexohet siç duhet, do vërehet vazhdimësia me atë modern, pavarësisht dallimeve.
Si përfundim, mund të thuhet se identitetet si trashëgimi nuk janë statike, përkundrazi, ato zhvillohen vazhdimisht në rrethana dhe kontekst të caktuar politik, ekonomik, kulturor etj. Prandaj zhvillimin e dy identiteteve, atij arbëror dhe shqiptar, nuk i shoh si shkëputje por vazhdimësi të natyrshme, njësoj si ndër kombet tjera të Evropës.
Koha javore: Gjatë hulumtimit, a ka ndonjë dokument ose burim që ju ka bërë veçanërisht përshtypje?
A. Bikaj: Pa dyshim që po. Ndër to janë dokumentet arkivore që paraqesin rolin e argjipeshkvit Pal Ëngjëlli dhe ndikimin e jashtëzakonshëm të dinastisë ëngjëllore në atë periudhë, jo vetëm në Arbëni por edhe më gjerë. Kjo temë meriton të trajtohet veçmas.
Koha javore: Çfarë do të doni që lexuesit të mbajnë mend më së shumti pas leximit të librit?
A. Bikaj: Përveç tezës kryesore të studimit, do të dëshiroja që lexuesit ta shohin mesjetën për atë që ajo ishte: një periudhë inovative që rivitalizoi qytetërimin e asaj kohe. Pikërisht në këtë kohë u formësuan shumë koncepte dhe institucione që njohim edhe sot: humanizmi, kozmopolitanizmi, ideja e kombit, si dhe institucione si universiteti, spitali, shtypshkronja e të tjera.
Koha javore: Kur mund të presim promovimin e librit?
A. Bikaj: Uroj sa më parë, gjatë muajit të ardhshëm (dhjetorit).
Bisedoi: Toni Ujkaj
