
Pas aneksimit nga Mali i Zi në vitin 1880, Ulqini ngeci në zhvillim. Më shumë se 400 familje u larguan nga qyteti, që përbënin një të tretën e popullsisë, të cilët u zhvendosën kryesisht në Shkodër dhe në Durrës.
Sipas regjistrimit të vitit 1911, Ulqini kishte 5 381 banorë, ose tri mijë më pak se në kohën kur Mali i Zi hyri në këtë qytet. Numri i anijeve të mëdha ishte gjithashtu në rënie drastike. Në vitin 1880 Ulqini kishte rreth 170 velanije, ndërsa tridhjetë vjet më vonë ky numër ra në 15?!
“Ulqini me anijet e veta ka një domethënie të madhe, ndërsa pa to asgjë”, shkruante guvernatori i qytetit, vojvoda Simo Popoviq. Sepse, detaria ishte profesioni kryesor i ulqinakëve, zanati i detarit rridhte në damarët e tyre, deti ishte baza kryesore e ekonomisë dhe e jetës së tyre. Gjatë shekujve të tërë rrjedhat ekonomike detare përcaktonin kryesisht edhe jetën shoqërore të Ulqinit dhe të tërë kësaj treve, e madje edhe të gjithë bregdetit shqiptar. Gjithmonë kur në Shqipëri flitej për detin dhe detarët, asocimi i parë ishte për Ulqinin dhe ulqinakët.
“Ulqinakët janë punëtorë dhe, mbi të gjitha, janë të interesuar të sigurojnë mirëqenien e tyre vetëm përmes punës dhe vlerave. Ata e shpenzojnë energjinë e tyre për akte paqësore“, shkruante shtypi në Cetinë.
Mirëpo, mosbesimi ishte i ndërsjellë – as qeveria malazeze nuk u besonte banorëve të Ulqinit, as ata nuk i besonin asaj, kështu që ulqinakët refuzuan, me sa mundën dhe dinin, t’u bindeshin urdhrave dhe planeve të saj.
“Ulqini është i huaj për ne. Shqetësimi ynë i vërtetë, për shumë shkaqe të rëndësishme, duhet të jetë ta malazezojmë sa më parë. Kjo do të arrihet me shkolla dhe me sjelljen e malazezëve. Kur të realizohet kjo, atëherë ky vend i bukur dhe i pasur do të jetë dhe do të mbetet krejtësisht i Malit të Zi. Derisa të bëhet kjo, nuk mund t’i gëzohemi”, thoshte vojvoda Popoviq.
Shumica e shqiptarëve nga Ulqini paguanin taksa 8% më të larta vetëm që fëmijët e tyre të mos i ndiqnin mësimet në gjuhën sllave. Që nga viti 1909, për një ditë mosfrekuentimi të shkollës, ata duhej të paguanin 50 para, që do të thoshte se 100 perpera derdheshin në arkën e shtetit gjatë një viti shkollor që zgjaste 200 ditë. Kështu arrihej kënaqësia e ndërsjellë – shqiptarët ishin të kënaqur që nuk kishin nevojë t’i nisin fëmijët e tyre në shkollat e shtetit, kurse edhe shteti bukur mirë përfitonte nga kjo sjellje e shqiptarëve.
Deri në vitin 1912, vetëm dy nxënës myslimanë e ndiqnin shkollën në Ulqin, që ishte një numër absolutisht i papërfillshëm.
Ulqinakët gjithashtu refuzuan të kryenin shërbimin ushtarak. Ata përmendën si arsye se praktikisht çdo i dyti burrë i kalon shtatë muaj në det, nga të cilët shteti mbledh çdo vit burime të konsiderueshme financiare. Me sugjerimin e një përfaqësuesi rus, u arrit një kompromis që të gjithë ulqinakët të aftë për punë, të moshës nga 18 deri në 50 vjeç, në vend që të shërbenin në ushtri, të paguanin një shumë vjetore prej gjashtë fiorinësh.
Por, për shkak të mbërritjes së komisionit ushtarak në vitin 1906, rreth njëqind familje, kryesisht detarë, u larguan përsëri nga Ulqini. Për ekonominë e pazhvilluar malazeze por dhe asaj lokale, kjo ishte një humbje e pariparueshme të cilën qeveria malazeze e prodhoi përmes pakujdesisë së saj. Në të njëjtën kohë, ishte ky emigrimi i fundit masiv nga Ulqini.
Për të parandaluar emigrimin e myslimanëve, agjenti ushtarak rus Nikolaj Potapov pohon se knjaz Nikolla erdhi në Ulqin duke u premtuar ulqinakëve se kryetari i komunës do të jetë personalisht përgjegjës për sigurinë e tyre. Por në realitet, pushteti i përjetonte shqiptarët si trup të huaj.
“Nuk është larg koha kur ata do të zhduken tërësisht. Kjo do të ndodhë dalëngadalë, pothuaj në mënyrë të padukshme”, shkruante vojvoda i lartpërmendur Popoviq.
Kjo, fatmirësisht, nuk ndodhi, sepse edhe Popoviqi arriti në përfundimin se ulqinakët e duan vendin e vet jashtëzakonisht shumë: “Ulqinakët pothuaj të gjithë janë detarë. Ata të cilët nuk marrin pjesë në lundrim kanë nga një copë tokë, kryesisht ullishta, e gjithashtu edhe pemishte dhe bahçe. Të gjitha këto, së bashku me magjinë dhe rehatinë e jetës pranë detit të ngrohtë, kanë zhvilluar te banorët e Ulqinit besnikërinë e hatashme ndaj vendit të vet”.
Shkencëtari çek Viktor Dvorski shkruan në vitin 1909: “Ulqini për malazezët ishte i largët, i huaj për nga gjuha, feja dhe gjendja ekonomike”.
Edhe pse regjimi i Cetinës i inkurajoi malazezët të vendoseshin në Ulqin, ata nuk mundën t’ia impononin gjuhën sllave popullsisë shqiptare, si një tipar të rëndësishëm të identitetit të ri. Madje, ndodhi e kundërta. Në vend që të sillnin gjuhën serbe dhe ta përhapnin atë midis shqiptarëve, përballë një popullsie më të madhe shqiptare, ardhacakët malazezë e mësuan gjuhën shqipe. Për më tepër, vojvoda Gavro Vukoviq pohon se shqiptarët as nuk thonë ‘mirëmëngjes’ në gjuhën serbe, e lëre më ndonjë fjalë tjetër.
Mali i Zi i varfër nuk e kishte as forcën ekonomike dhe as atë shoqërore për ta integruar Ulqinin. Vetëm një pjesë e vogël e popullsisë shqiptare e mbështeti qeverinë dhe pranoi të ishte në shërbim të saj për çdo gjë, për arsye interesi ose karriere.
Në zgjedhjet e mbajtura në shtator të vitit 1911 votuan vetëm 243 qytetarë të Ulqinit. Nëse e kemi parasysh se joshqiptarët përbënin një të katëtën e banorëve të komunës, atëherë është e qartë se numri i atyre shqiptarëve që tregonin besnikëri ndaj pushtetit autokrat të krajl Nikollës ishte tepër i vogël.
Por ai pati sukses në nxitjen e shqiptarëve të krahinave të tjera kundër Turqisë, duke i ndihmuar ata me armë dhe para, të gjitha me qëllim që të përfitonin nga një situatë e re dhe t’ia bashkëngjisin ato rajone Malit të Zi.
Në fund të majit 1912, filloi kryengritja e Kosovës, e cila shpejt u përhap në pothuajse të gjithë Shqipërinë. Në gusht, Turqia i pranoi të gjitha kërkesat e tyre, gjë që praktikisht e bëri Shqipërinë të pavarur.
Kur kuptuan se shqiptarët nga katër vilajetet me shumicë shqiptare – Shkodrës, Janinës, Manastirit dhe Kosovës, mund të krijonin një shtet, fqinjët e tyre ballkanikë – Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi vendosën ta parandalonin këtë dhe t’i pushtonin territoret shqiptare.
Para se të fillonte lufta, Cetina zyrtare u përpoq të merrte pëlqimin me shkrim nga krerët e fiseve shqiptare përmes konsullit malazez në Shkodër për t’ia aneksuar Vilajetin e Shkodrës Malit të Zi. Në bisedën e fundit që pati me Mbretin Nikolla, Isa Boletini i tha: “Ne nuk po luftojmë për të hequr qafe pushtuesin e tanishëm për të sjellë një tjetër”.
Mali i Zi u caktua si shteti i parë që duhet ta niste sulmin dhe filloi të mobilizonte ushtrinë e tij më 18 shtator 1912. Marrëdhëniet diplomatike me Turqinë u ndërprenë një javë më vonë.
Më 1 tetor 1912 Mbreti Nikolla lëshoi një urdhër për mobilizimin e ushtrisë malazeze, gjë që u shoqërua me brohoritje dhe të shtëna të mëdha në Tivar, ndërsa euforia e luftës ishte e dobët në Ulqin. Shumë njerëz nga Ulqini ishin në det, dhe ata që u mobilizuan me forcë kryenin kryesisht punë logjistike. Autoritetet malazeze urdhëruan që prona e kujtdo që ikte në territorin e Perandorisë Osmane të konfiskohej. Ulqini në fillim të vjeshtës u shndërrua në kamp ushtarak.
Më 8 tetor 1912, Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë. Në shpalljen e luftës, Mbreti Nikolla përmend edhe shpatën që malazezët ndoqën, ndër të tjera, dhe në Ulqin.
Që nga fillimi i luftës, ushtria malazeze shkaktonte vazhdimisht incidente përgjatë tërë kufirit me Turqinë dhe e pengonte lundrimin e lirë në Bunë. Kështu, më 8 tetor 1912, në atë lumë u kapën tri anije, një ditë më vonë u kap anija e kapitenit Dalip Gjura, më 10 tetor 1912 një anije e drejtuar nga Beqir Shurdha dhe një ditë më vonë katër anije të mëdha dhe pesë lundra.
Anijet u përdorën për nevoja ushtarake. Kështu, për shembull, anija “Princ Mema”, pronë e ulqinakut Mustafë Balezi, u vu nën flamurin malazez. Ekuipazhin e paguante ushtria malazeze, sikur anija të gjendej në lundrim të lirë. Pas përfundimit të luftës iu kthye pronarit.
Drejt Shkodrës përparoi Brigada e Bregdetit me 8 000 luftëtarë nga deti deri te liqeni i Shkodrës, nën komandën e gjeneralit Mitar Martinoviq, i cili në atë kohë ishte kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes së Malit të Zi. Qëllimi kryesor i krajl Nikollës ishte të pushtonte të gjithë rajonin e Shkodrës, kurse Serbia dëshironte daljen në det te Durrësi.
“Mali i Zi nuk është nën sulm tani, por dëshiron të bastisë, të sulmojë dhe t’i kalojë kufijtë e vendeve të tjera, dhe kjo nuk është e njëjta gjë si kur e mbron vatrën tënde”, pohon majori i atëhershëm i ushtrisë malazeze në Brigadën e Bregdetit, Pero Dragov Lipovina, në kujtimet e tij. Ai shton se kundërshtarët ishin shumë të guximshëm dhe vdiqën heroikisht në luftime trup më trup me ushtarët malazezë.
Prandaj, ushtrisë malazeze iu deshën tri javë për të kaluar lumin Buna.
Nga Ulqini pushtuan Klleznën dhe vazhduan drejt Shasit, ku hasën në rezistencë. Edhe sot në këto vise thuhet Qëndron si Shasi ose e mbajti si Shasi. Shtypi malazez i kohës pranon se në këto luftime ushria e tyre kishte pasur disa të plagosur.
Ushtarët nga ana e Tivarit dhe Urës së Mërkotit i dogjën katundet Kaliman, Kosiq, Bojk, Rashtishë, Selitë dhe Sukubinë.
Njëkohësisht, populli i pambrojtur i Krajës nuk kishte mundur të bënte shumë rezistencë, ndërsa rezistenca e ushtrisë turke ishte fare e dobët.
Krahu i majtë i Brigadës së Bregdetit vepronte gjatë bregut të djathtë të liqenit të Shkodrës deri mbi pesë ublat në Krajë e deri në Skje, ku hasi në një rezistencë të fortë. Beteja më e përgjakshme është zhilluar në Arbnesh, për dinamikën e së cilës dhe pasojat e saj këngëtari popullor është shprehur:
Shumë asqeri paska met,
Katërqinetetdhet (480) vet’
Bajnë me mushka ka tre vet’
Ka tre vet’ i kanë ngarkue
Në Arbnesh pa donë m’i çue.
Ky Arbneshi gropa, gropa
Plot me vorre isht’ mush toka
Rreth e rreth pa’j rri Evropa
Rreth e rreth Evropa marë
Ku luftojnë serbë e shqyptarë.
Pas qëndrimit aty, ushtarët malazezë persekutonin njerëz të pafajshëm, plaçkitën sende shtëpiake, u vunë zjarrin shumë shtëpive, morën bagëti e dru, lundra e çka të nevojitet tjetër. Një numër i madh i krajanëve, pas zullumeve të shumta, ikën në Shkodër.
Pastaj, ushtria malazeze ishte pozicionuar në Tarabosh dhe në të gjitha majat më të larta, nga ku bëhej gati t’i granatonte pozicionet tjera të ushtrisë turke me qëllimin përfundimtar marrjen e Shkodrës, ëndërr shekullore e malazezëve.
Taraboshi ishte afër Krajës, e cila tërë veprimtarinë e saj jetësore e kishte të lidhur me Shkodrën. Për këtë arsye, shumë krajanë u rreshtuan në anën e shkodranëve me qëllim që të pengohej e ndalohej depërtimi i ushtrisë malazeze drejt këtij qyteti.
Ishin këto ditë dhe muaj shumë të rëndë edhe për Anën e Malit dhe Ulqinin, sepse ato kishin lidhje fisnore dhe ekonomike me këtë qendër më të rëndësishme shqiptare.
(vazhdon)
