
Hyrje
Kepi “Suka” në anën e majtë dhe Kalaja në anën e djathtë të gjirit përqafojnë Plazhin e qytetit dhe janë ndër emblemat më të rëndësishme të Ulqinit. Gjatë shekullit XX, kepi “Suka” ishte vendndodhja e disa ngjarjeve lidhur me historikun dhe hotelerinë e Ulqinit.
Hoteli “Jadran”
Pjesa e parë e hotelit “Jadran” u ndërtua në vitin 1938. Gjendet në siujdhesën më të bukur të pjesës bregdetare të Ulqinit, në Sukë. Pas Luftës së Dytë Botërore vazhdoi rindërtimi, kështu që u rrit kapaciteti në 120 shtretër. Tërmeti i vitit 1979 e shkatërroi plotësisht dhe kurrë më nuk u rindërtua.
Në po të njëjtin lokalitet – Sukë, në vitin 1960 organizata rinore “Pan-Europa” nga Gjermania ndërtoi pushimoret e veta.
Sot, Kepi “Suka” qëndron pa simbolet e veta, duke heshtur dhe pritur anijet që lundrojnë nëpër pjesën jugore të Adriatikut.
Ludvigu nga Sllovenia
Ludvigu erdhi nga Sllovenia në Ulqin, te bashkëvendasja e tij Minka, e martuar për Ibro Dediqin, i cili ishte kryekuzhinier në hotelin “Jadran”.
Drejtori i atëhershëm i hotelit “Jadran”, Avdo Zaim Ramusoviq, e priti mirë Ludvigun dhe i tha: – Neve na mungon kopshtari, mund të filloni punë.
Ludvigu punonte çdo ditë. Filloi ta rregullojë rrethinën e hotelit. Për një kohë të shkurtër, kopshti dhe rrethina e hotelit fituan dukshëm pamje tjetër.
Duke ditur traditën bregdetare ulqinake, në pjesën jugperëndimore të gadishullit Suka mbolli pesë ullinj të rinj. Ludvigu kujdesej për to, i ujiste dhe për një kohë të shkurtër ullinjtë fituan pamje të bukur.
Në dekadën e shtatë Avdo Ramusoviq shkoi për të punuar në Sarajevë. Drejtor i ri i hotelit u emërua Ruzhdi Dervishi, i cili sapo kishte diplomuar në Shkollën e Lartë të Turizmit në Beograd.
Shoqërimi me Tofik Shurdhën
Tofik Shurdha punonte në administratën e hotelit “Jadran”. Ludvigu dhe Tofiku filluan të shoqëroheshin, shëtisnin rreth hotelit duke biseduar për historinë botërore, ngjarjet në Jugosllavinë e atëhershme. Si shenjë miqësie, Ludvigu i dhuroi Tofikut orën e dorës, e cila për të kishte vlerë të madhe.
Mysafirët nga Polonia
Atë kohë erdhi një grup turistësh nga Polonia. Me to ishte edhe profesoresha nga Universiteti i Krakovës. Filloi një njohje, e cila u ngrit në një idil mes dy të moshuarve. Ludvigu me Helenën shëtisnin rreth hotelit “Jadran”. Ndonjëherë edhe përgjatë Pyllit të Pishave, deri te hoteli “Albatros”.
Dy javë kaluan si një ëndërr. Pasi që grupi i turistëve u largua nga Ulqini, Ludvigu mbeti i vetmuar. Thonë se tri ditë nuk ka dalë prej dhomës që gjendej në përdhesën e hotelit.
Ndërtimi i plazhit
Ruzhdiu, shoku im nga shkolla fillore më tha:
“Një ditë Ludvigu erdhi tek unë dhe më tha: ‘Drejtor, mendoj që në pjesën jugore të gadishullit Suka të ndërtoj një plazh’. Një ditë më vonë shkuam dhe e shikuam vendin, ku do të ishte plazhi dhe kështu Ludvigu filloi punën.
Shkallët prej rrafshinës ku gjendet hoteli, deri në fund të gadishullit, i ndërtoi vetë Ludvigu, deri te një bunker, i cili dikur shërbente për mbrojtje në rast sulmi nga armiku”.
Drejtor Ruzhdiu vazhdon: “Ludvigu më tha se për të ndërtuar katër platforma në vendin ku do të jetë plazhi, i duhet më tepër material: zall, çimento dhe i duhet ndihma e punëtorëve. Para fillimit të sezonit të ardhshëm turistik, plazhi ishte gati, i ndërtuar dhe e emërtuam ‘Plazhi i Ludvigut’. Mysafirët që erdhën atë vit në Ulqin, filluan të lahen në këtë plazh, bashkë me vendasit”.
Tërmeti i 15 prillit 1979
Tërmeti i 15 prillit 1979 e rrënoi dukshëm hotelin “Jadran”. Të gjithë punëtorët dolën prej hotelit. Dikujt i ra në mend dhe tha: – Ku isht Ludvigu?
Në dhomën e tij, në përdhesen e hotelit, e gjetën trupin e pajetë të Ludvigut. Kështu hoteli dhe Ludvigu nuk arritën t’i bëjnë ballë tërmetit.
Dilen natje sabahile
Ishte verë 2020. Shkova të lahem në det te Plazhi i Ludvigut. Në majë të shkallëve takova Osman Leskovcin. E pyeta: “A e di kangën ‘Dilen natje sabahile?’”
Osmani tha: ”Pa” dhe filloi të këndojë:
“Dilen natje sabahile
Ditë e natë binte shi
Bashi shkonte për tramontan’
Kapidan mas avit fart
Se janë mine gja nuk dim
Pa na gjun Kalaja në tap
Kena çu bajrakun Malazi
Kapidani pa na thonte
Njiksaj punë s’jam ba razi
Në Tivar më kanë ba me zor
Me çu bajrakun Malazi
S’njati fjala, dul trampili
Me sinjalla po na thrret
Kemi noll të gjithë pa shkollë
Se çka thotë, s’ja marrim vesht
Kur e çum bajrakun Turk
Gjith ushtrija u shenu
Kapidani po na thonte
Barkën a e keni caku
Prej Shypnije erdhi telegrami
Libro jeni me kalu
(Thonë se këtë këngë e ka kënduar i pari Sulejman – Mollaman Peshku nga Kalaja e Ulqinit)
