Një jetë në shërbim të komunitetit

Me keqardhje të thellë shpirtërore morëm lajmin e hidhur për ndërrimin jetë të Hajrullah Hajdarit, personalitet i shquar i vendit tonë, veprimtar, studiues etj. Ai ishte një intelektual i përkushtuar, humanist, patriot i devotshëm dhe një qytetar shembullor.
Lindi në fshatin Bobosht të Krajës, më 07.11.1949, ku kreu edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme ekonomike e kreu në Gjakovë, ndërsa Shkollën e Lartë Administrative dhe Fakultetin Juridik në Prishtinë.
Pas studimeve filloi të punojë në Kombinatin e Duhanit në Gjakovë. Më pas u punësua si sekretar i shkollave të Hasit – Rrethit të Prizrenit. Pas një kohë, u kthye në Mal të Zi duke u punësuar në Drejtorinë e të Ardhurave. Për shumë vite punoi si drejtor i Ndërmarrjes për Ruajten e Pylltarisë dhe Egërsirave në Ulqin. Më pas u zgjodh drejtor i Ndërmarrjes për Veprimtaritë Komunale në Ulqin. Në kuadër të këtyre detyrave udhëheqëse të ndërmarrjeve, ai u dallua për profesionalizëm, etikë dhe përkushtim ndaj shërbimit publik.
Në jetën publike, ai ishte edhe një aktivist i angazhuar politikisht, gjithmonë në mbrojtje të vlerave të përbashkëta, së drejtës dhe dinjitetit njerëzor. Me fjalë të qarta dhe qëndrime të ndershme, ai kontribuoi për një shoqëri më të drejtë dhe më të vetëdijshme. Ishte i njohur për qasjen e tij të matur, për aftësinë për të dëgjuar dhe për vendosmërinë për të vepruar me përgjegjësi.
Në momentet më kritike për shqiptarët në ish-Jugosllavi, ai u angazhua në jetën politike duke u bërë pjesë e formacionit të parë politik të shqiptarëve në Mal të Zi, Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, nga ku për disa mandate u zgjodh këshilltar në Kuvendin e Komunës së Ulqinit. U zgjodh në komisione të ndryshme parlamantare, anëtar i Komisionit zgjedhor Republikan në Mal të Zi. Në mandatin aktual u zgjodh edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.
Krahas punës në zyrën e kontabilitetit dhe çështjeve juridike, u mor edhe me studime shkencore duke hulumtuar në arkiva të ndryshme, ku edhe unë personalisht pata fatin që të bashkëpunoj në disa projekte rreth hulumtimit të dokumentacionit arkivor të xhamive, të cilat kanë rezultuar me këto punime në dorëshkrim, të papublikuara: “Hulumtimi dhe studimi i arkivave të xhamive në Krajë”, në vitin 2012; “Hulumtimi dhe studimi i arkivave të xhamive në Anë të Malit – Ulqin”, në vitin 2013; dhe “Hulumtimi dhe studimi i arkivave të xhamive KBI – Ulqin”, në vitin 2014. Të gjitha këto punime janë deponuar në arkivin e Fondit per Realizimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.
Hajrullah Hajdari ishte ndër ata njerëz që nuk kërkojnë vëmendje, por që lënë gjurmë të pashlyeshme. Me një përkushtim të heshtur, por të palëkundur, ai i dha jetë fjalës së shkruar dhe kujtesës historike përmes librave studimorë, të cilët i ndërtoi mbi hulumtime të thella në arkiva, dokumente të vjetra dhe burime të rralla. Ai nuk shkruante për të treguar veten, por për të ndriçuar rrënjët e popullit tonë, për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për t’u dhënë zë atyre që historia shpesh i lë në heshtje.
Në fushën e historisë lokale kombëtare dhe jurisprudencës, ai ishte një zë i qartë dhe i argumentuar, që dinte të lidhte faktin me ndjesinë, dokumentin me rrëfimin, dhe të kaluarën me përgjegjësinë e së tashmes.
Deri në çastet e fundit të jetës së tij hulumtoi edhe në Arkivin Shtetëror të Malit të Zi në Cetinë, Arkivin e Shtetëror të Republikës së Shqipërisë dhe Arkivin e Dubrovnikut në Kroaci, nga ku publikoi shumë punime referuar këtyre dokumenteve, duke u bërë prijëtar i publikimit të tyre në librat e tij, si më poshtë:

  1. Shqiptarët në Mal të Zi – nga Kongresi i Berlinit deri nẽ vitin 1941, Art Club, Ulqin, 2016.
  2. Ulqini në dokumentet malazeze – nga viti 1880 deri në vitin 1915, Art Club, Ulqin, 2018.
  3. Pronat dypalëshe të shqiptarëve në Mal të Zi në të dyja anët e kufirit Shqipëri – Mali i Zi, Art Club, Ulqin, 2019.
  4. Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi (1945-1990), Art Club, Ulqin, 2021.
  5. Shqiptarët në Mal të Zi – nga Kongresi i Berlinit deri në vitin 1941, Botim i dytë i plotësuar, Ulqin, 2021.
  6. Balshajt dhe objektet kishtare në goricat e Liqenit të Shkodrës, Shkodër, 2025.
    Po kështu ka botuar artikujt dhe punimet e veta edhe në shumë gazeta dhe revista në vend (Koha javore) dhe jashtë vendit, si në Shqipëri, Kosovë, Luginën e Preshevës dhe Zvicër (Baden), revistën “Gjurmë historike” etj.
    Ka marrẽ pjesë në shumë konferenca shkencore dhe kumtesat nga këto konferenca i ka botuar në revistat e konferencave (Arkivat shqiptare) dhe librat përmbledhëse të konferencave.
    Librat e tij mbeten një pasuri për studiuesit, nxënësit dhe për të gjithë ata që kërkojnë të kuptojnë më thellë rrënjët e vendit dhe të besimit.
    Por ai nuk ishte vetëm njeri i dijes. Ishte edhe njeri i veprës së mirë duke pasuar rrugën e etërve të vet. Në lagjen e tij, ai së bashku me të ndjerin rah. Qazim ef. Cenin, aktivistin Omer Shabanin e të tjerë, ishte ndër ideatorët e parë të ndërtimit të një Qendre Islame – xhamie në lagjen Kodra-Fusha e Ulqinit, një projekt që e pa si nevojë shpirtërore dhe si amanet për brezat që vijnë. Ai e përfytyronte xhaminë jo vetëm si vend faljeje, por si qendër bashkimi, edukimi dhe solidariteti. Edhe pse u nda nga jeta në prag të fillimit të ndërtimit, vizioni i tij mbeti i gjallë në zemrat e atyre që e dëgjuan, e kuptuan dhe e ndanë këtë ëndërr me të. Muret që do të ngriten do të mbajnë frymën e tij dhe çdo thirrje që do të dëgjohet aty, do të jetë një lutje edhe për shpirtin e tij.
    Ai ishte një njeri që e jetoi jetën me përulësi, por me qëllim të madh. Një njeri që nuk kërkoi lavdi, por la pas një trashëgimi që flet vetë: në librat që shkroi, në projektet që nisi, në institucionet ku shërbeu dhe në zemrat e atyre që e njohën si mik, koleg, udhërrëfyes dhe frymëzim.
    Kujtimi i tij do të jetojë gjatë në zemrat tona. Ai nuk është më fizikisht mes nesh, por prania e tij është e gjallë në çdo faqe libri, në çdo dokument të shpëtuar nga harresa, në çdo gur që do të ngritet në emër të Zotit dhe në çdo zemër që e ndjeu afërsinë e tij.
    Ne si qytetarë duhet të ndjehemi krenarë që jemi trashëgimtarë të këtyre figurave të shquara të vendit tonë dhe më gjerë dhe të marrim përsipër të çojmë më tej punën dhe veprimtarinë e tij. Puna, veprimtaria e përkushtimi i Hajrullah Hajdarit për hapësirën tonë do të mbesë përgjithmonë e nderuar dhe e vlerësuar.
    Si mik i shtëpisë sonë do të mbesë përgjithmonë në kujtimet tona.
    Ai ndërroi jetë të dielën, më 12.10.2025, dhe u varros të hënën, më 13.10.2025 në Varrezën e Xhamisë së Kollomzës – Ulqin.
    Zoti e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me xhenet, Amin!
    Mr. Ali Bardhi

Të fundit

më të lexuarat