
Mark Junçaj
Kohëve të fundit patëm rast të lexojmë se në një takim mes politikanëve, qenka biseduar për “një traditë të gjatë të respektit dhe marrëdhënieve të mira mes fqinjëve”, konkretisht mes serbëve dhe shqiptarëve. Sipas kësaj del se historikisht marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve kanë qenë më se të shkëlqyera, pothuajse vëllazërore. Do të ishte e bukur sikur të ishte e vërtetë, por le të shohim se, shkurtimisht, si i sheh historia marrëdhëniet shqiptaro-serbe.
Që nga momenti i ardhjes së sllavëve në Ballkan (shek. VII) dhe kontaktit të tyre me vendasit (ilirët dhe popullsitë e tjera paleoballkanike) marrëdhëniet kanë qenë të ndryshme, por, kryesisht, jo të mira. Sllavët, që në fillim kanë kryer akte të ndryshme dhune, duke shkatërruar dhe vrarë banorët vendas, të cilët, pasi nuk patën mundësi t’i ndalojnë, ilirët u detyruan që të tërhiqen dhe të strehohen nëpër male dhe qytete mirë të fortifikuara. Gjatë kësaj periudhe kohore u bënë dëmtime të mëdha të vendit dhe, për të shlyer gjurmët ilire, shumë emërtime të vjetra vendesh u zëvendësuan me ato sllave. Për këtë arsye e kemi vështirë që edhe sot të lokalizojmë vendbanime të lashta, siç është rasti edhe me Birziminiumin, Cinën etj.
Situata nuk do të jetë më e mirë, as më vonë, sidomos gjatë sundimit të dinastisë Nemanjiq, e cila brenda shtetit të vet do të përfshijë, me përjashtim të Durrësit dhe të ndonjë territori të vogël në jug, të gjitha viset e banuara me arbërorë. Në këtë kohë, veçanërisht gjatë sundimit të perandor Dushanit, do të bëhet edhe konvertimi me dhunë i arbërorëve të disa krahinave veriore nga katolikë në ortodoksë, për çka do të reagojë edhe argjipeshkvi i Tivarit, Gulielm Adae. E gjithë kjo bëhej me qëllim që sa më shumë të dobësohet elementi arbëror në Ballkan.
Pas rënies së shtetit mesjetar serb, do të pavarësohen një pjesë e mirë e tokave arbërore, ashtu që feudalët arbërorë shumë shpejt do të krijojnë formacionet e njohura shtetërore (Balshajt, Topiajt, Dukagjinët, Kastriotët etj.). Shumë është me rëndësi të ceket se edhe gjatë vitit 1448, kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u nis në drejtim të Kosovës, për t’u bashkuar me ushtrinë hungareze në luftimet kundër Perandorisë Osmane, u pengua nga Gjuragj Brankoviqi, prandaj u detyrua që rrugën ta hapë me shpatë. Këto luftime e vonuan Skënderbeun, ashtu që Perandoria Osmane arriti, edhe pse mezi, të thyejë ushtrinë hungareze. Prandaj, ekziston mendimi se, sikurse despoti serb mos të ngadalësonte përparimin e ushtrisë arbërore dhe bashkimin e saj me ushtrinë hungareze, Perandoria Osmane do të pësonte disfatë dhe historia e Ballkanit do të kishte ndryshuar.
Pas pushtimit osman të Ballkanit, për një kohë, pasi që e kishin armikun e përbashkët, nuk do ta kemi armiqësinë aq të shprehur mes shqiptarëve dhe serbëve, mirëpo nga shekulli XIX gjendja do të ndryshojë. Pas krijimit të shtetit autonom serb, në vitin 1844 u hartua programi i njohur serb “Naçertania”, i cili parashikonte zgjerimin e kufirit serb, duke u thirrur në “të drejtën historike”. (Në pushtimin e tokave që dikur ndodheshin brenda Perandorisë së Serbisë, ndër to edhe të viseve shqiptare, sidomos të Kosovës, që filluan ta quajnë “Serbia e Vjetër”). Nga kjo kohë, fillojnë të punojnë intensivisht në zbatimin e programit të lartpërmendur.
Me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878), Serbisë i njihet pavarësia dhe zgjerimi teritorial, duke marrë, ndër tjera, edhe vendbanimet e Toplicës. Menjëherë do të zbatojnë politikën e shpërnguljes së elementit joserb, andaj një pjesë e mirë e shqiptarëve do të detyrohen të shpërngulen nga Nishi, Vranja, Leskovci etj. Edhe sot e kësaj dite kemi shqiptarë të Kosovës, që i thërrasin muhaxhirë dhe janë pikërisht pasardhës të këtyre të fundit. Mirëpo, kjo është asgjë në krahasim me atë se çka do të pasojë gjatë shek. XX.
Gjatë Luftës I Ballkanike (1912-1913) serbët do të pushtojnë Kosovën, Maqedoninë dhe do të hyjnë edhe në tokat, që do t’i takojnë shtetit shqiptar. Gjatë kësaj periudhe janë kryer masakra të shumta ndaj popullsisë shqiptare, veçanërisht në Lumë, që lirisht mund të quhet gjenocid, pasi në plan ishte spastrimi etnik i viseve të pushtuara. Gjendja e shqiptarëve do jetë e rënduar edhe gjatë viteve në vijim. Historia do të përsëritet edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, kur serbët do të pushtojnë tokat e Shqipërisë Londineze, duke përfshirë edhe Tiranën e Durrësin gjatë vitit 1915. Nga frika e kryengritjeve shqiptare, serbët dhe malazezët vendosën që të eliminojnë atdhetarët shqiptarë, e një ndër ta është edhe Dedë Gjo’ Luli, të cilin e vranë në Mirditë, më 24 shtator 1915.
Në fund të vitit 1918 do të krijohet shteti i ri me emrin Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene (nga viti 1929 Mbretëria e Jugosllavisë), e cila do të vazhdojë me politikën e vjetër serbe ndaj shqiptarëve, pasi që në krye të saj ndodhej familja mbretërore serbe e Karagjorgjeviqëve. Si t’i trajtojmë, përveç tjerash, masakrat e kryera ndaj malësorëve, sidomos ato të viteve 1919 (u vranë mbi 70 hotjanë) dhe 1941 (u vranë me dhjetëra malësorë)? Po ashtu, nuk duhet harruar burgosja e qindra malësorëve të tjerë që u burgosën dhe nuk dolën të gjallë nga burgu i Jusovaçës, për të vetmin faj se ishin shqiptarë?! Çka të themi edhe për planin serb për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi?
Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, marrëdhëniet nuk ishin aspak më të mira, veçanërisht me formacionet çetnike të Drazha Mihajlloviqit, që në Mal të Zi komandoheshin nga Pavle Gjurishiq dhe Gjorgje Llashiq. Këta të fundit kishin marrë urdhër nga komanda supreme çetnike që të spastrohet vendi nga elementi joserb. Për këtë arsye, për të mbrojtur popullsinë shqiptare, nuk do të mungojnë as luftimet me çetnikë.
Në fund të luftës kemi Masakrën e Tivarit (1945), kur u vranë me mijëra shqiptarë, ndërsa në Malësi kemi pushkatime të atdhetarëve antikomunistë, siç është vrasja e fratit të Hotit, Zef Tagaj dhe malësorëve të tjerë. Disa do të thonë se janë vrarë nga komunistët. Kjo është e vërtetë, por cilit komb i takonin vrastarët?
Edhe mbas luftës, situata nuk ishe diçka më e mirë, ku vlen të përmendet koha famëkeqe e Rankoviqit. Nuk duhet harruar as gjendja e rëndë e shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ‘80, e sidomos gjatë viteve ‘90 të shek. XX, kur përjetuan një kalvar të vërtetë me torturime, përdhunime, burgosje, dëbime, vrasje, konfiskime të pasurisë etj. Po ashtu, në fund të shek. XX çetnikët e Malit të Zi kishin qëllim të mësyjnë edhe Malësinë, duke ia fillur nga Dinosha. Ndoshta dikush e kujton (besoj shumëkush) se gjatë luftës së fundit të Kosovës, disa që ishin oficerë të Ushtrisë Jugosllave me kombësi serbe, të etur për gjak shqiptari, sot e mbajnë flamurin e demokracisë dhe të BE-së, duke na treguar për marrëdhëniet e mira shqiptaro-serbe. Mirëpo, të njëjtit, si edhe të gjithë përkrahësit e tyre së bashku me Kishën Ortodokse Serbe, as sot nuk e pranojnë shtetin e Kosovës, por ende vazhdojnë me parulla ekstreme “Kosova është Serbi”, “djep i Serbisë”, “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” (ndoshta për të përmirësuar marrëdhëniet shqiptaro-serbe?) etj.
Meqenëse edhe sot e kësaj dite politika serbe vazhdon me propagandën antishqiptare dhe nxit urrejtjen ndaj shqiptarëve, a thua serbët e Malit të Zi janë imunë ndaj kësaj propagande? A thua propaganda e Serbisë nuk ndikon te këta të fundit, por në çdo hap shprehin një miqësi ndaj shqiptarëve?
Ndoshta ka të tillë që mendojnë se munden të tentojnë që këta dy popuj t’i pajtojnë, por unë mendoj se është gati mision i pamundur, sepse po e shohim dita-ditës qëndrimin armiqësor ndaj shqiptarëve. Për të pajtuar shqiptarët me serbët do të duhej që serbët, së pari, të kërkojnë falje për krimet e bëra ndaj shqiptarëve dhe të njohin pavarësinë e Kosovës, atëherë mund të provohet të diskutohet dhe të analizohet a është i mundur ky pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve, se përndryshe nuk ka efekt, sepse ekziston rreziku që historia shqiptarëve t’u përsëritet.
Nga e gjithë kjo paraqitje e shkurtër e historisë së marrëdhënieve shqiptaro-serbe, shihet qartë se kemi të bëjmë me marrëdhënie armiqësore mes këtyre dy popujve dhe me qëndrim të qartë antishqiptar të politikës zyrtare serbe, në veçanlti nga “Naçertania” e deri më sot. Prandaj, për marrëdhënie të mira gjatë historisë dhe për një pajtim në një të ardhme të afërt as nuk mund të bëhet fjalë, ashtu që nëse dikush tenton të flasë ndryshe, atëherë e nënçmon dhe e përqesh inteligjencën tonë, pasi që do të ishte si rrëfimi i ndonjë përralle, por frikohem se as fëmijët nuk u besojnë më përrallave.
