
Isuf Kamer Çelaj (1909-1944) i përket asaj gjenerate të burrave të shquar të Plavë-Gucisë që veprimtarinë dhe sakrificat në të mirë të lëvizjes kombëtare i bënë në vitet e Luftës së Dytë Botërore. I lindur në vitin 1909, në vitin që shënoi Revolucionin, i cili përmbysi absolutizmin në Perandorinë Osmane, ai do të rritej e burrërohej në atë periudhë të vështirë, që do të kishte moment të spikatur shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, por që për Plavën e Gucinë do të shënonte, në vitet 1912-1913, në rrjedhën e Luftës Ballkanike, fillimin e dhunës së pashembullt të pushtuesve të rinj, të cilët vendosën një regjim terrori.
E njëjta situatë do të përsëritej pas Luftës së Parë Botërore në shkurtin e vitit 1919 për të vijuar 22 vjet deri në prillin e vitit 1941. Qindra luftëtarë dhe banorë të pafajshëm të krahinës së vogël liridashëse do të humbnin jetën në përpjekjet për të mbrojtur lirinë e identitetin kombëtar duke u përballur e sfiduar agresorët në beteja të pabarabarta dhe duke u qëndruar me stoicizëm masakrave të përgjakshme më 1912 dhe 1913, si ajo e Previsë, por edhe atyre që pasuan më 1919.
Fuqitë e Mëdha në konferencat e organizuara në Londër më 1912-1913 dhe në Versajë më 1919-1920, arbitrarisht i copëtuan viset shqiptare dhe i lanë jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar më shumë se gjysmën e territoreve dhe të popullsisë shqiptare. Ato në këtë kuadër e lanë edhe Plavë-Gucinë jashtë shtetit shqiptar, por nuk ishte në dorën e tyre dhe as të atyre që e pushtuan e vunë nën sundim këtë trevë, të fshinin memorien e popullit të saj, ta bënin atë ta harronte historinë e vet të lavdishme. E si mund të harrohej ajo lavdi e merituar që, po të mos shkohet thellë në histori për të shënuar betejat e kelmendasve me sundimtarët osmanë, në vitet jo të largëta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kishte çuditur botën me beteja fitimtare dhe e kishte nxjerrë çështjen shqiptare në rendin e ditës së faktorit ndërkombëtar.
Isuf Kamer Çelaj ishte pjesë e atij mikrokozmosi, i gjeneratës pas vitit të paharruar 1878, kur ndodhin beteja e famshme e Nokshiqit dhe shumë beteja të tjera fitimtare, që ushqehej me lavdinë e merituar dhe prodhonte burra të rëndë, fisnikë e luftëtarë, të devotshëm e të gatshëm të përsëritnin bëmat e të parëve, pa u stepur përpara asnjë sakrifice. Ai dëgjonte të freskëta rrëfimet për ngjarjet e viteve 1912-1915 dhe ato që u përkisnin periudhave që pasuan, 1916-1918, dhe pas 1918-ës.
Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, apo Mbretëria Jugosllave, sipas emërtimit zyrtar që mori pas vitit 1929, edhe pse anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe nënshkruese e traktateve, që duhet të garantonin të drejtat e minoriteteve, u tregua njerkë e keqe për shqiptarët. Ishte, pra, në të drejtën hyjnore të shqiptarëve të mendonin e luftonin për të mbrojtur jetën, pronën, lirinë, fenë dhe identitetin e tyre.
Isuf Çelaj e kishte të skalitur në memorie historinë e krahinës së tij, ato ngjarje që i kishin të njohura edhe shumëkush nga bashkëvendësit e tij. Ai kishte dijeni edhe për burrat e shquar, protagonistë e pjesëmarrës në ato ngjarje, edhe për dëshmorët e viktimat, dhe jo vetëm për ata që i përkisnin vëllazërisë së vet, por edhe gjithë vëllazërive të Vuthajve, edhe të gjithë vendbanimeve të tjera të krahinës. Për të ishin të njohur Ahmet Zeneli – Gjonbalaj, këshilltar i vyer i Ali Bej Gucisë, Smajl Uka – Bruçaj, shoqëruesi i tij në vitet 1875-1881, But Smajli – bajraktari me nipat Zeqir Smajlin e Ali Himën, pjesëmarrës në tubimin te Verrat e Llukës më 1910, Bub Binaku – Ulaj, pjesëmarrës në Vlorë në ngritjen e flamurit më 28 Nëntor 1912, Hysen Efendi Vuthi – Gjonbalaj, një ndër themeluesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më 1918, luftëtarët dhe dëshmorët e qëndresës së vitit 1919 e më pas, si Smail Nikoçi, Mulla Agani, Bejto Plava etj.
Kishin sakrifikuar të parët e Isuf Kamer Çelës (Çelajt, Ulajt, Hakajt, emra të ndryshëm sipas fshatrave apo lagjeve të Vuthajve ku jetonin) dhe atë e kishin mësuar t’i kujtonte, t’i vlerësonte e respektonte sakrificat e tyre. Nga oxhaku i Çelajve në Vuthaj, më 1878-1888, kishin luftuar Isuf e Oruç Zeqiri, Lush e Binak Isufi, Jonuz Zeneli (dëshmor), në vitet 1915-1924, Zog Binaku etj.
Isuf Kameri ishte rritur me rrëfenjat për trimëritë e djemve të Çelajve, në luftimet për mbrojtjen e Grebenit në tetor 1912, për ç’arsye gjenerali Janko Vukotiq, Radomir Veshoviq dhe kapiteni famëkeq Avro Cemoviq ishin hakmarrë duke pushkatuar Hasan Çelën, Vesel Selimin, Reko Demin, Beqir Demin (17-vjeçar), Memë Osën, të birin Sylën dhe nipin 12-vjeçar Halil Nimanin, Abdyl Shabanin, Xhemë Sylën, Bajram Kasemin etj.
Çelajt kishin humbur shumë burra në vitet 1912-1913 dhe 1919, të ndëshkuar nga agresorët për patriotizmin dhe qëndresën e tyre, por kush nuk kishte humbur trimat e vet, në Vuthaj e më gjerë në gjithë krahinën e Plavë-Gucisë, kush nuk kishte bërë “detyrën ndaj atdheut”, sikurse qe shprehur dikur Mulla Agani kur e patën pyetur se ç’fituan shqiptarët nga gjithë ato sakrifica e therori? Vallë a nuk kishin vepruar njësoj të gjithë Vuthajt, Martinajt, Nokshiqi, Kolina, Arzhanica, Vishnjeva, Krusheva, Plava, Gucia, dhjetëra e dhjetëra vëllazëri e oxhaqe anekënd krahinës, Gjonbalajt, Rexhajt, Prelvukajt, Pepajt, Qosajt, Ahmetajt, Mekulajt, Selimajt, Goçajt, Balidemajt, Dedushajt, Bençajt, Kukajt, Vuçetajt, Hasangjekajt, Shahmanajt, Nikoçajt (Guci), Ferrajt (Plavë), Omeragajt, Kojavajt (Plavë), Hotët, Radonajt (Guci), Sharkinajt (Plavë), Rexhepagajt (Plavë), Bekteshajt (Guci) etj.
A nuk ishin vrarë në luftime, pushkatuar e syrgjynosur sa e sa pjesëtarë të fshatrave, vëllazërive e oxhaqeve të Krahinës?
Kishte dëgjuar Isufi, duke u rritur e burrëruar, për trajtimin e shqiptarëve në vendlindjen e tij nga pushteti i kohës i Cetinës, edhe pse bënte pjesë në atë grup të familjes së madhe Çelaj që pas vitit 1919 ishte detyruar të ndahej, dhe deri në prill 1941 të jetonte në Çerem të Tropojës, në shtetin shqiptar. Kishte pasur rast, pra, në vitet 1919-1941 të thithte edhe ajrin e Shqipërisë së lirë, ndaj në prillin e vitin 1941 e kishte të qartë rrugën që duhej ndjekur. Shembja e Jugosllavisë shumëkombëshe i dha atij shpresë se mund të korrigjoheshin padrejtësitë e së kaluarës, ndaj u kthye në trojet e të parëve dhe zuri vend në radhën e parë të burrave të shquar të Krahinës, që do të jepnin gjithçka kishin për të parë të realizuara aspiratat e kamotshme, pjesën e parealizuar të programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të formuluar qartë qysh nga vitet e Lidhjes së Prizrenit.
Në verën e vitit 1941, shtatë burra të Krahinës u zgjodhën për të krijuar delegacionin që do të udhëtonte drejt Tiranës për të kërkuar që krahina e Plavës dhe Gucisë të ishte pjesë e Shqipërisë dhe jo e Malit të Zi, sikurse dëshironin fillimisht italianët. E pushtuar ose jo Shqipëria, kjo ishte një çështje tjetër, Plava e Gucia donte të ishte me Shqipërinë. Isuf Kamer Çelaj ishte pjesë e delegacionit. Së bashku me Isuf Sylë Balidemajn, Rexhë Hotin, Abdyl Hysë Gjonbalajn, Ibër Hysë Balidemajn, Avdyl Qerim Mulosmanajn dhe Avdo Avdiqin, ata bënë detyrën, parashtruan dëshirën e përgjithshme dhe kontribuuan në vendimin që u mor (me firmën e Mëkëmbësit të Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III, Francesko Jakomonit më 12.08.1941, me Dekretin nr. 264 u ratifikua akordi italo-gjerman i 23 prillit 1941 për kufijtë në Ballkan, përkatësisht për kufirin shqiptaro-malazez, i cili u vendos si para 1912 në Qafën e Previsë). Plava e Gucia për disa vjet do të ishte pjesë e Prefekturës së Pejës, njërës nga prefekturat e krijuara në viset që Fuqitë e Boshtit u pajtuan t’i bashkëngjitej Shqipërisë, të aneksuar nga Italia më 1939 dhe do të qeverisej nga nënprefektët vendas, Riza Ferri, Rrustem Avdyli dhe Shemso Ferri. E plotë ose jo, Shqipëria e viteve 1941-1944, e përkohshme apo e përhershme, zgjerimi i saj territorial, e pavarur apo jo Shqipëria e kësaj periudhe, ajo që ndodhi kishte sjellë ndryshim pozitiv të padiskutueshëm. Në këtë periudhë disavjeçare që populli e quajti “Koha e Shqipnisë”, hapja e shkollave shqipe, krijimi i administratës shqiptare, komunikimi normal midis viseve shqiptare etj. e ngrohu dhe e mbushi me gëzim zemrën e banorëve të Krahinës, e mbushi edhe zemrën e Isuf Kamerit, që do t’i vinte detyrë vetes të jepte edhe jetën që të mos bëheshin hapa mbrapa, që të jetonte ajo në paqe si pjesë e trojeve të bashkuara shqiptare.
Në vitet 1941 – shkurt 1944 Isuf Kameri i pati lajtmotiv të jetës e të veprimtarisë së tij, aspiratat e shqiptarëve të Krahinës, ditë pas dite e muaj pas muaji, deri çastin e fundit të jetës, në luftimet për mbrojtjen e krahinës nga çetnikët (e Pavle Gjurishiqit, të drejtuar nga Gjorgje Llashiqi) në frontin e Murinës. Isufi ishte pjesëmarrës në shumë luftime për mbrojtjen e krahinës nga sulmet e çetnikëve dhe komunistëve jugosllavë. Dhe këto luftime nuk ishin të rralla, ato nuk u ndalën për katër vjet që nga 17 korriku – 2 gusht i vitit 1941, kur u sulmua Nokshiqi nga dy batalione çetnike-partizane. (Luftime u zhvilluan edhe në shkurt 1942, kurse nga fundi i atij viti banda e Marko Veçeliqit në Lipovicë (Stanet e Hotit) kërcënonte sërish Krahinën. Në pranverën e vitit 1943 kërcënimet u bënë direkt nga P. Gjurishiqi, komandant i formacioneve çetnike në Mal të Zi (janar – Masakra e Bihorit). Nga kjo kohë në Plavë-Guci u institucionalizua krijimi i kompanive vullnetare. Më 23-24 shtator 1943 çetnikët kërcënuan përsëri dhe në bisedime me Shemso Ferrin, Shaban Bej Rexhepagajn dhe Hajro Shahmanin, kërkuan të depërtonin në Plavë “për të likuiduar komunistët”. Kërkesa u hodh poshtë dhe ata u detyruan të kthehen në kufijtë e 1912-ës. Në nëntor repartet e Veliçko Bojoviqit sulmuan Krahinën, por u shpartalluan. Më 2-25 shkurt 1944 u zhvilluan luftime në shumë fronte. Në këtë kohë, diku më 3-6 shkurt u vra edhe Isufi në frontin e Morinës.). Sa herë prej kushtrimit mblidhte vullnetarët që komandonte (thuhet 100 vullnetarë), përhapte kushtrimin deri në Dragobi, Valbonë dhe zinte vend në front. (Pika e frontit mbrojtës ishin ato vite Murina, Qafa e Lipovicës dhe Qafa e Valit).
Isufi, ky burrë i urtë e kuvendar trim, luftëtar e atdhetar i vendosur për çështjen e bashkimit kombëtar, do të ishte kështu pjesë e mbrojtjes vullnetare të Krahinës. Ai do të bënte pjesë ndër bashkëpunëtorët e shquar të Riza e Shemso Ferrit, Rustem Avdylit (nënprefektët e Krahinës), Imer Maliqit të Nokshiqit, Xhem Bajraktarit të Arzhanicës, Sali Ismail Nikoçit (kryetar komune në Guci), Ibër Hysit – Martinaj, Halil Hamzit – Martinaj, Shaban Bajraktarit – Martinaj, Sejdo Beqit – Gërçar, Prelë Kolë Shytit – Dol, Hasan Isufit – Kukaj, Rexhë Metës – Ulaj, Rexhep Bajraktarit – Vuthaj, Abdyl Hysës – Gjonbalaj, Çun Mulës – Gjonbalaj, Sadik Halilit – Qosaj, Bali Sylës – Gjonbalaj, Cal Maculës – Ulaj, Binak Avdisë – Bruçaj, Bub Binakut – Ulaj, Çung (Jaho) Tahirit – Dedushaj, Mustaf Haxhisë – Gjonbalaj, Pulec Himës – Ahmetaj, Man Zekës – Qosja etj. Pas kapitullimit të Italisë pati një tentativë afrimi midis forcave vullnetare dhe forcave partizane shqiptare, që u pengua nga drejtuesit komunistë malazezë. Pas kësaj forcat vullnetare u detyruan të mbroheshin si kundër çetnikëve, edhe kundër partizanëve, që bashkëpunonin me ta për të sulmuar trevat shqiptare. Forcë e rregullt e Lidhjes së Dytë të Prizrenit ishin vetëm 50 burra të armatosur në Plavë dhe 50 burra në Guci (në këto qytete ishin vetëm dy grupime ushtarësh gjeorgjianë, me gjithsej 40 vetë). Mbrojtja e vërtetë e krahinës ishin vullnetarët.
Isuf Kamer Çelaj do të vihej kështu me gjithçka në shërbim të asaj ideje të madhe që trashëgohej nga periudha e Rilindjes Kombëtare, pasi u krijua shteti shqiptar, të bënin pjesë në të gjitha trevat shqiptare. Kjo ishte dëshirë mbarëpopullore dhe prandaj të gjitha grupimet dhe orientimet politike të shqiptarëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë të hapur dhe fort, apo në mënyrë të moderuar, sipas kushteve e rrethanave nuk e anashkaluan dhe nuk mund ta anashkalonin këtë dëshirë. Në programet e tyre apo në tubime përfaqësuese, në Pezë, në Mukje, Prizren apo Bujan, u kërkua në thelb e njëjta gjë. Djathtas apo majtas, në aleanca me ose pa perspektivë, ndonjëherë në aleanca tragjike, të dy krahët e politikës shqiptare të kohës, edhe kur u përplasën midis tyre patën në radhët e tyre atdhetarë të vyer, të gatshëm të sakrifikonin për ideale të mëdha, për lirinë dhe prosperitetin e kombit. Isuf Kamer Çelaj, sikurse Shemso Ferri, Rexhë Meta (i Lidhjes së Dytë të Prizrenit), Bejto Shahmani, Sadik Bekteshi (të Konferencës së Bujanit), ishte ndër ata që luftuan me nder për të mbetur gjithnjë të nderuar.
(Kumtesa është lexuar në akademinë solemne kushtuar Isuf Kamer Çelajt, në Plavë, më 29 korrik 2013)
