Përkushtim i pashoq dhe dashuri ethellë përmësimdhënien

Më 19 korrik 2025, pas një sëmundjeje të shkurtër, ndërroi jetë Martin Zadrima – arsimtar, këshilltar, prind dhe njeri i urtë, që për shumë gjenerata nxënësish ishte më shumë se një arsimtar – ishte frymëzim.
I lindur më 18 maj 1946, në fshatin Sutjel, bir i Pjetrit dhe Lenës, Martin Zadrima ishte një ndër shtatë fëmijët e kësaj familjeje të ndershme dhe punëtore. Katër klasat e para i ndoqi në shkollën e Reçit, ndërsa shkollimin fillor e përfundoi në Katërkollë. Dëshira për dije dhe përparim e çoi në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prishtinë, për të vazhduar më pas në Fakultetin e Shkencave Natyrore, në degën e biologjisë, po ashtu në Prishtinë.
Jeta e tij profesionale u shënua nga një përkushtim i pashoq dhe dashuri e thellë për mësimdhënien. U dallua në punë dhe fitoi besimin për të shërbyer edhe si këshilltar pedagogjik, rol që e kreu me përgjegjësi dhe përkushtim të rrallë.
Pas disa viteve si arsimtar i biologjisë në shkollën fillore “Marshall Tito”, ai u emërua drejtor i këtij institucioni. Gjatë kohës në drejtim, do të kujtohet si një udhëheqës shembullor, që vinte gjithmonë i pari në shkollë dhe largohej i fundit.
Ai kishte një vizion të qartë dhe një mision të palëkundur – që shkolla të përparonte në hap me kohën, duke ofruar arsim cilësor, kushte më të mira mësimi dhe reforma të mirëfillta në procesin edukativo-arsimor.
Një nga prioritetet më të mëdha gjatë udhëheqjes së tij ishte ruajtja dhe funksionalizimi i shkollave të vogla në fshatrat Zogaj, Darzë dhe Pistull, sepse ai e njihte nga afër rëndësinë që kishte prania e një shkolle në çdo cep të komunitetit, veçanërisht në zonat më të largëta të qytetit.
Përkrah tij qëndroi gjithmonë Dila, mësuesja e dalluar, me të cilën krijoi një familje të ngrohtë dhe të respektuar. Zoti i begatoi me dy fëmijë, Françeskun dhe Martinën – shembuj të edukatës, përkushtimit dhe mirësisë. Por jeta u tregua mizore kur një aksident i papritur ua rrëmbeu Françeskun, plagë kjo që nuk u shërua kurrë për familjen Zadrima.
Pavarësisht dhimbjes nga kjo humbje, Martini vazhdoi të japë dritë. Ishte një njeri i heshtur, por me një prani të fortë. Nuk fliste shumë, por çdo fjalë e tij kishte peshë.
Do të kujtohet gjatë për karakterin e qetë dhe të matur, për përkushtimin në punë, për dashurinë që kishte për dijen dhe nxënësit. Mbi të gjitha, do të kujtohet për njeriun që ishte – të ndershëm, të drejtë dhe të urtë. Ishte arsimtari që mësonte me zemër, që udhëzonte me shembullin personal dhe që nguliste vlera në mendjet dhe zemrat e nxënësve të tij.
Me ndarjen e tij nga jeta, shoqëria humbi mësimdhënësin e rrallë, një mik të mirë dhe një qytetar shembullor. Por drita që ai la pas, përmes dijes që mbolli dhe vlerave që kultivoi, do të vazhdojë të ndriçojë edhe për shumë kohë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!

Ardita Kovaçi

Të fundit

më të lexuarat