
Serbia donte të plotësonte ëndrrën e saj të vjetër, daljen në Detin Adriatik nëpërmjet trojeve të shtetit shqiptar. Mirëpo, fuqitë e Antantës nuk e pranuan kërkesën e Beogradit për të hyrë ushtarakisht në Shqipëri, as në muajt e parë të konfliktit botëror dhe as në fillim të vitit 1915. Megjithatë, qeveria e Beogradit vendosi t’i shtinte në dorë këto territore dhe të dilte në Durrës, duke synuar të forconte këtu edhe pozitat shumë të tronditura të aleatit të vet, Esat Toptanit.
Për përgatitjen e këtij agresioni, qeveritarët serbë nisën të grumbullonin në fillim të muajit maj forca të shumta në Prizren dhe akoma më shumë në sektorët e Ohrit e të Dibrës, prej nga mësynë në Shqipërinë e Mesme. Pas disa përleshjesh të armatosura, thyen forcat kryengritëse të Haxhi Qamilit dhe arritën deri në afërsi të Durrësit, duke e shpëtuar Esat Toptanin nga rrethimi disamujor. Për shkak të protestave energjike të Italisë, forcat serbe nuk hynë brenda në Durrës. Në këtë rast qeveria e Beogradit duket se iu përmbajt marrëveshjes me qeverinë e Athinës të majit 1913, sipas së cilës vija e kufirit që ato kishin caktuar në Shqipëri do të ishte lumi Shkumbin. Forcat serbe që hynë nga ana e Prizrenit arritën deri në Orosh, ku masakruan patriotin Dedë Gjo Lulin dhe u dhanë mundësi forcave esadiste të ndërmerrnin një ekspeditë policore në krahinën e Mirditës.
Agresioni serb i qershorit 1915 u krye në kundërshtim me udhëzimet e Fuqive të Antantës, të cilat, në shenjë mospajtimi, përgatitën edhe një notë kolektive për t’ia dorëzuar qeverisë së Beogradit, por për arsye të kontradiktave që lindën, nuk arritën t’ia paraqitnin asaj.
Qëndrimi i Austro-Hungarisë pro pavarësisë së Shqipërisë në vjeshtën e vitit 1912
Qeveria austro-hungareze doli hapur kundër depërtimit të thellë të ushtrisë së aleancës ballkanike në tokat shqiptare dhe ndarjes së Shqipërisë midis tyre. Meqenëse Vjena kishte shumë vite që kishte projektuar krijimin e shtetit shqiptar në rast të prishjes së status quo-së në Ballkan, tashmë që erdhi momenti ajo nuk mund t’i lejonte fuqitë ballkanike të hidhnin në erë gjithë interesat e saj në këtë rajon. Prandaj, Vjena filloi nga përgatitjet për krijimin e shtetit shqiptar dhe për caktimin e territorit të tij. Për këtë arsye u mbajt në Vjenë, më 16-19 tetor 1912, një konferencë me ekspertë të fushave të ndryshme, ku u diskutua për Shqipërinë. Aty u diskutuan territoret e shtetit të ardhshëm shqiptar.
Në një vendim sekret të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë të nëntorit 1912, në lidhje me statusin e shtetit të ardhshëm shqiptar dhe territorit të tij u vendos që paraqitet e dëshirueshme formimi i një Shqipërie autonome ose pas pushimit të sovranitetit turk, një Shqipëri e pavarur. Kufijtë territorialë të këtij shteti të ri duhet të sigurojnë interesin, vitalitetin dhe stabilitetin dhe do të përfshinin, nëse është e mundur, të gjithë shqiptarët që jetojnë në Perandorinë Osmane dhe që kishin kufij natyralë. Fatkeqësisht, kjo dëshirë nuk do të mbahet lehtë për shkak të situatës etnografike të komplikuar në vilajetet e Kosovës, Manastirit dhe Janinës dhe suksesit ushtarak të Ligës Ballkanike.
Problemi më i madh që kishte Austria ishte pikërisht Serbia, e cila kërkonte të sfidonte Austro-Hungarinë në Ballkan. Ajo kërkonte copëtimin e Shqipërisë midis saj dhe Greqisë. Serbët ishin të mendimit se populli shqiptar nuk përbën një element që të formojë shtet, se Shqipëria e Veriut është serbe, se një Shqipëri e pavarur në fakt nuk ka ekzistuar kurrë, se vetëm ata ruajnë të drejtat e trashëguara mbi Shqipërinë. Për Pashiqin, një Shqipëri e pavarur nuk ishte e dëshirueshme, por as e mundur. Ish-kryeministri i Serbisë, Vlladan Gjorgjeviq, që njihet për argumentimin e famshëm se shqiptarët ishin me bisht si dhe për planin e tij të detajuar për zhdukjen e shqiptarëve në lidhje me Shqipërinë autonome, mendon se “do të ishte një shtet muhamedan në Evropë, anakronik për kulturën dhe idetë e Evropës moderne”.
Problemi më i madh që kishte Austria në nëntor të vitit 1912 ishte çështja e portit serb. Serbia kërkonte me patjetër një port shqiptar nën sovranitetin e saj të plotë. Nëse një gjë e tillë do të ndodhte, ndoshta do t’i jepte fund ekzistencës së një shteti shqiptar të aftë për të jetuar, respektivisht atëherë do të minohej tërësisht plani i Vjenës për një Shqipëri të pavarur.
Më 8 nëntor 1912, Vjena i bën të ditur Beogradit qëndrimin e saj për krijimin e Shqipërisë së pavarur në tokat që Serbia kërkonte t’i aneksonte. Po ashtu ministri i jashtëm gjerman i kishte deklaruar ambasadorit serb se Austria dhe Italia janë kundër daljes në Adriatik të Serbisë, sepse kjo do ta ndante Shqipërinë. I ngarkuari me punë i Serbisë i ishte përgjigjur që Serbia kërkonte të gjithë Shqipërinë.
Ministri i jashtëm gjerman vë në dijeni Anglinë për pretendimet e Serbisë. Sipas tij, Serbia kërkon gjithë Shqipërinë me përjashtim të një cope të vogël në jug që do ta marrë Greqia. Pra, Serbia jo vetëm që nuk e diskuton çështjen e portit, por do që ta ketë gjithë Shqipërinë.
Sipas historianes Elena Kocaqi, ambasadori serb në Berlin – Bogiqeviqi iu ankua Kiderlenit – kancelarit gjerman, se sipas opinionit në gazetat e Vjenës ”Austro-Hungaria nuk do të durojë që Serbia të shkelë tokën shqiptare, as që të ngulet ajo në breg të Adriatikut”.
Sipas tij, ”nëse kjo gjë ishte e vërtetë, atëherë puna është edhe më keq, duke qenë se të katër shtetet ballkanike që janë në luftë paskan rënë në një marrëveshje, sipas së cilës, pothuajse e tërë toka shqiptare do t’i takonte Serbisë… Këtë punë e dinka edhe Rusia dhe e pëlqyeka plotësisht… Në rast se Austro-Hungaria do ta ndalojë me armë në këtë punë Serbinë, atëherë Rusia do t’i shpallka luftë Austro-Hungarisë”.
Përgjigjja e Kiderlenit ishte po aq kërcënuese sa ajo e Bogiqeviqit, se “Po të jenë të vërteta fjalët e tij dhe në dashtë luftë, jo vetëm Serbia por edhe Rusia, atëherë urdhëroni, veçse atëherë do të jenë krah për krah me Austro-Hungarinë, me forcat e tyre, jo vetëm Gjermania por dhe Italia”.
Në Vjenë ishin shumë të vendosur që të zgjidhnin luftën, nëse do të ishte e nevojshme për të ndaluar daljen e Serbisë në bregdetin shqiptar.
Pasi u vu në dijeni për pretendimet serbe, më 3 nëntor 1912 Austria iu drejtua Rusisë duke i shpehur mos aprovimin e saj në lidhje me portin serb. Austria shprehet se ajo nuk mund të japë votën kurrsesi që të lidhet Serbia me Adriatikun nëpërmjet tokës shqiptare.
Vjena ishte e vendosur që të mos e lejonte Serbinë në bregdetin shqiptar, edhe me koston e një lufte evropiane dhe botërore. Mirëpo, Serbia e injoronte kërcënimin e saj. Kjo sepse Serbia donte të nxiste një luftë evropiane dhe me anën e Antantës, me në krye Rusinë, të shkatërronte Austrinë dhe t’ia merrte asaj tokat. Andaj Serbia synonte të kapte portet e Shëngjinit dhe Durrësit sa më parë me qëllim që ta bënte marrjen e tyre fakt të kryer përpara opinionit publik ndërkombëtar.
Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sazanov, ishte i mendimit se ”Serbia dëshiron të provokojë, me çdo kusht, një luftë evropiane, duke varur shpresën në përkrahjen e Rusisë, por atë nuk do ta ketë kurrë, sepse ajo nuk do luftë”.
Kur u pa se qëndrimi i Vjenës në lidhje me kërkesën mbi portin ishte i palëkundur dhe mund ta çonte çështjen deri në luftë, Fuqitë e Antantës filluan të reflektonin dhe të mbanin një qëndrim të moderuar për të shmangur luftën me Austrinë. Kështu, më 12 nëntor, Sazanov i shfaqi diplomacisë franceze qëndrimin e qeverisë ruse ndaj Serbisë. Sipas tij, ”qeveria perandorake i deklaron kategorisht Serbisë se ajo nuk duhet të shpresojë të tërheqë Rusinë, e cila është e vendosur të mos shkojë deri në luftë të armatosur për një port serb në Adriatik…”
Kështu Sazanov e konsideroi përfundimisht daljen e Serbisë në det një çështje të humbur. Më tutje, ministri i jashtëm i Rusisë, Sazanov, e porositi Pashiqin për vetëpërmbajtje me qëllim që të mos hynë në luftë me Vjenën.
“Në qoftë se do të vazhdoni të kërkoni Durrësin, do të humbni edhe Beogradin. Kini kujdes. Vjena e ka humbur durimin”.
I mbetur pa përkrahjen e aleatëve kryesorë, Pashiqi u përkul para këshillave kërcënuese të Rusisë.
Përfundim
Austria i bindi Fuqitë e Mëdha, ku me diplomaci dhe ku me kërcënim për luftë, që çështja e portit serb në Adriatik nuk pajtohet në asnjë mënyrë me ekzistencën e Shqipërisë si dhe politikën e jashtme austriake. Kjo ishte fitore e madhe për diplomacinë vjeneze, por edhe për të ardhmen e Shqipërisë. Andaj, më 23 dhjetor Pashiqi komentoi se kjo disfatë e Serbisë ”ishte për shkak të kërcënimit të Austro-Hungarisë me luftë të madhe”. Gazetat serbe ”fajësonin Rusinë duke thënë se qëndrimi i Rusisë ishte jashtëzakonisht i keq dhe është një tradhti e vërtetë ndaj Serbisë”.
Historiania e njohur serbe, Llatinka Peroviq, ndër të tjera, thotë: “Serbinë e kanë lodhur luftërat për territore të huaja. Gjatë 125 viteve, ajo ka luftuar për çdo 14 vite… Sot, kur një orientim i tillë ka ardhur kah fundi, kur është zbrazur një model politik, bëhet e qartë se duhet për ta ndërruar atë që quhet mentalitet. Mirëpo, në lidhje me të parashtrohet pyetja: A është e mundur? E pranoj, dhe vetë shpeshherë ndalem para asaj pyetjeje, meqenëse nuk kam përgjigje”.
Në anën tjetër, ka shqiptarë të cilët konstatojnë se ajo ka qenë kohë e vjetër, se atëherë kanë qenë të tjerë serbë, ndërsa sot janë të tjerë serbë. Mirëpo, ata sikur duket nuk i njohin mirë serbët, respektivisht mentalitetin e tyre, psikologjinë dhe historinë e tyre. Po ashtu, ata nuk kanë njohje të duhura të gjenetikës (shkencës mbi trashëgiminë).
Në filozofinë popullore thuhet: “Gjaku nuk bëhet ujë”, ose ”Ujku qimen e ndërron, por vesin nuk e ndërron”. Prandaj, mentaliteti serb për okupimin e tokave të huaja akoma mbetet aktual! Për këtë arsye, udhëheqësit shtetërorë shqiptarë në Tiranë dhe Kosovë duhen të jenë vigjilentë për ndonjë skenar eventual të prapaskenës politike serbo-ruse të rrezikshëm për Ballkan, respektivisht për trojet shqiptare.
(Autori është politolog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës)
