
Sa herë më kishte rënë rasti të bisedojmë me shokë, por edhe me ndonjë të interesuar, për dhunën e institucionalizuar shtetërore ndaj popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve tjera të ripushtuara nga Jugosllavia që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, theksoja se për ne, shqiptarët në Mal të Zi të trevave etnike e historike pranë kufirit ndërshqiptar, rëndesa e dhunës ka qenë më dhembjemadhe dhe më specifike.
Ndonëse qarkullimi i shqiptarëve nëpër vise të atdheut tani është më i lirë, kufiri ende na përcjellë si peng i së keqes më dëmsjellëse për ne, peng i ndarjes së popullit dhe i atdheut tonë, që e bartim me vete ngado që shkojmë e që zbeh gëzimin e vizitave familjare e turistike në atdhe
Të zgjoheshe çdo mëngjes e, sapo të dalësh në oborr, të shohësh postën e ushtrisë kufitare dhe postën e policisë jugosllave, me numër jo të vogël të pjesëtarëve, që ishin jo më larg se 100 metra nga shtëpia ime në Vuthaj, që përcillnin çdo lëvizje të banorëve edhe nga Suka e Kukës dhe pika të tjera vrojtimi, siç veprohej edhe në vendbanime tjera shqiptare përreth kufirit, t’i shohësh fshatrat, qytetet, fushat e qafëmalet disa qindra metra larg, apo ndonjë kilometër tutje, të dish se andej i ke njerëzit e tu të një gjaku, të një kombi e gjuhe e ta kesh të ndaluar t’i takosh dhe, për një periudhë disavjeçare, edhe të komunikosh me letra, për komunikim me telefon as të mos flasim, ishte më shumë se dhunë e rëndë shpirtërore e, me këtë, edhe dhunë mendore që s’të linte të qetë. Këtë gjendje më së rëndi e përjetonin njerëzit e ndarë për të gjallë nga farefisi, siç ishte rasti edhe i nënës time, Zojës, nga Vajushi i Malësisë së Madhe të Shkodrës, por edhe i neve, fëmijëve të tyre. E gjithë kjo, jo për një vit, por me dekada e dekada. Ndonëse qarkullimi i shqiptarëve nëpër vise të atdheut tani është më i lirë, kufiri ende na përcjellë si peng i së keqes më dëmsjellëse për ne, peng i ndarjes së popullit dhe i atdheut tonë, që e bartim me vete ngado që shkojmë e që zbeh gëzimin e vizitave familjare e turistike në atdhe.
Ftesën e alpinistit Gani Halili nga Prishtina, i cili më kishte mahnitur me shkathtësitë e tij për t’u ngjitur majave të thikta, madje edhe në stinë dimri, i cili më kishte befasuar për të mirë me botimin e albumit të tij me fotografi të majave më të larta shqiptare ku është ngjitur, fotografi këto të denja edhe për fotografë profesionistë, që t’u bashkohem bjeshkatarëve të Grupit Spartan, të Klubit Bjeshkatar nga Tetova dhe të shoqatës Uskana nga Kërçova, për të ecur shtigjeve malore nga Qafa e Predelecit deri në Theth, e kam mirëpritur me kënaqësi të veçantë.
Pasi kishin kaluar një natë në Vuthaj, herët në mëngjesin e ditës së fundit të javës së parë të këtij muaji, nisemi me minibus për në Lëpushë të Kelmendit – Malësi e Madhe. Për njëzet e sa minuta arrijmë në kufirin ndërmjet Shqipërisë e Malit të Zi, që ndan luginën e Gucisë nga lugina e Vermoshit. Polici malazias, ndoshta edhe serb (sipas të dhënave statistikore rreth dy të tretat e malazezëve të luginës së Limit, që nga Gucia, Plava, Andrijevica, që brezat e mëparshëm të shqiptarëve e quanin me emrin shumë domethënës Sudnicë (Gjykatore), sepse aty gjykoheshin shqiptarët), ashtu i përgjumur, pa na shikuar fare sa e kush jemi, i merr dokumentet e, pasi i verifikon në kompjuter, pa u vonuar na i kthen.
Afro pesëdhjetë metra tutje, në anën tjetër të kufirit, në pikën e kalimit kufitar “Bashkim”, dokumentet, ende të pashpërndara, shoferi ia jep policit shqiptar. Presim gati tridhjetë minuta. Ndonjëri nga bashkudhëtarët e humbë durimin dhe shprehet keq. Unë, që e dija rastin, u tregoj se të dhënat personale aty i shkruajnë me dorë në fletore dhe se polici nuk ka faj. Faji është i ministrisë përkatëse. Disa qindra metra larg kufirit, në fshatin Vermosh ka internet, kurse në kufirin ndërshtetëror jo. A thua, a i vete mendja ndonjë zyrtari përgjegjës se ç’përshtypje lë te vizitorët e huaj? Me siguri zyrtarëve as nuk u bie në sy kjo! Ata kalojnë aty pa i ndaluar e, për të tjerët, punë e madhe! Njësoj veprohet që nga qershori i vitit 2003, kur është hapur kjo pikë kufitare. Turpërim i shtetit!
Asfaltimin e kësaj rruge nga qeveria shqiptare, që lidh Plavën e Gucinë më Shkodrën, e kemi pritur me gëzim. Jo vetëm ne të këtij krahu të atdheut. Dikur, nëpër këtë rrugë kanë kaluar karvanët për në Shkodër, Ulqin, Kotorr, Dubrovnik… Përveç vizitorëve e turistëve shqiptarë, nëpër këtë rrugë vijnë e shkojnë edhe shumë turistë të huaj që vijnë nëpër Podgoricë, Tuz. Ardhja e tyre ua ka shtuar shpresat shqiptarëve rrënjës për një të ardhme më të mirë. Disa prej tyre kanë ndërtuar shtëpi pushimi, bujtina, kanë çelur restorante. Ka të kthyer edhe nga mërgimi. Ata janë të bindur se kur të ndërtohet e asfaltohet edhe rruga Plavë-Deçan, 48 km e gjatë, turizmi malor do të lulëzojë. Mjerisht, qeveria malaziase, jo vetëm që nuk është e interesuar ta ndërtojë, por siç është parë deri tani, ajo e pengon me ç’të mundet. Komuna e Plavës, siç më kanë thënë, para tri vjetësh e ka ndarë një shumë “të madhe” prej 2.000 eurosh për studimin e fizibilitetit?! Meqë qeveria shqiptare ka raporte të mira me autoritetet malazeze, do të ishte mirë të ndikonte tek ata për ndërtimin e pjesës së rrugës që i takon territorit të Plavës. Rruga nga Deçani deri në kufiri me Malin e Zi, gati është e përfunduar.
Para orës shtatë arijmë në Qafë të Predelecit. Në këtë vend të bukur, për çdo vit mbahet manifestimi kulturor tradicional “Logu i bjeshkëve”, në të cilin marrin pjesë shumë vizitorë nga anekënd atdheu dhe nga mërgimi. Pasi i veshim rrobat dhe i mbathim këpucët e përshtatshme, nisemi rrugës malore. Ishte e pamundur të mos ndalemi aty-këtu për t’i shijuar dredhëzat e pjekura përskaj rrugës. Edhe në tëbanat e bjeshkës së Lëpushës, nën majën e Berizhdolit, ofrojnë ushqim natyror e të freskët, me çmime të arsyeshme. Ndonëse bjeshkët rudina kanë pamje të bukura, kanë ujë, boronica…, për mua shumë më tërheqëse janë bjeshkët gërdhata, shkëmbore. Kjo, ndoshta nga fakti se e tillë është edhe bjeshka e jonë, e Ulajve, ku kam kaluar shumë vera, me emrin karakteristik, Roman, ashtu siç ishte edhe jeta jonë aty. Në gërdhata çdoherë njeriu sheh diç që s’e ka vërejtur më parë – një gur, shkrep, shkëmb, shpellë, që të ngjanë me diçka që të ngjall asociacione. Në jo pak raste do të ndeshmi me pamje të tilla edhe gjatë vazhdimit të shtegtimit tonë prej qafës së Berizhdolit, ku ndahen rrugët që shpien njëra për në Theth e tjetra për në Nikç. Nga shkrimet e publikuara mësojmë se për herë të parë emri i fshatit Nikç është shënuar në dokumentet e vitit 1671. Në to thuhet se emrin e ka marrë sipas Deli Nikës, i ardhur nga fshati Vuthaj dhe i vendosur aty bashkë me bashkëfshatarë tjerë.
Pothuaj në çdo njëqind a dyqind metra mrekullohemi me pamjet madhështore të majave të larta që vijnë njëra pas tjetrës. Duke i parë ashtu të pafundme, përsëri mendja më vete te kufijtë që i shkëputën Shqipërisë shtetërore pjesët më të begata rrafshinore. Në bjeshkën e Ujk Carës, gropishtë e madhe e rrethuar nga majat që e mbrojnë nga stuhia e erërave, të duket sikur je në një botë tjetër. Aty e takojmë Nue Gjergjtomën, malësor nga Broja e Kelmendit. Befasohemi kur thotë se aty veron fillikat, pa asnjë njeri tjetër, bashkë me tufën e vogël të deleve dhe tre-katër kuaj. Mu si Robinson Kruso, jo i ujdhesës, por i bjeshkës. Na tregon se vuan nga zemra, se është operuar në SHBA, ku i ka dy djem dhe vajzën, se vetëm aty, në bjeshkën e gjyshstërgjyshërve e ndien veten mirë dhe të qetë. Ndahemi nga Nuoja, me dëshirë që ta takojmë përsëri.
Pasi e kalojmë edhe Gropën e Koprrishtit dhe përpjetën më të lodhshme, ngjitemi në qafëmalin e kësaj bjeshke – Qafën e Koprrishtit. Aty çlodhemi, fotografohemi dhe, pas pak, zallishtës zbresim në një vrotom. Duke qëndruar këmbëzbathur në borë dhe duke i bërë masazh trupit me toptha bore, na duket se e hoqëm lodhjen. Ashtu të freskuar biem në Runica të Poshtme. Aty ndahem nga grupi, i cili vazhdon për në Theth, kurse unë, me përshtypje të mira për miqtë e rinj, nisem për në Vuthaj. I etshëm së tepërmi, nxitoj për te tëbana e Zogut, por kroi kishte shteruar fare. Ndoshta për këtë as Zogu s’kishte dalë këtë verë me dele aty. Për fat, në lugun e drunjtë për dele, ende kishte mbetur ujë. Me kujdes e largoj myshkun, e mbushi pagurin dhe pi ngadalë. Ndonëse i vakët dhe pak si i trashë, etjen e shova.
Dhiares takoj jo pak turistë. Kryesisht të rinj e të reja, të huaj. Një i ri, me kitarë të lidhur për çantë shpine, më thotë se është nga Australia. Ec e mos u çudit që të rinjtë tanë ende pak dalin bjeshkëve. Njësoj, si të jesh pranë detit e s’lahesh! Nuk e di sa e kanë këtë parasysh arsimtarët e edukatës fizike, por ata duhet t’i nxisin të rinjtë ta duan alpinizmin, notin…, që janë ndër aktivitetet më të shëndetshme në natyrë.
Meqë kam kaluar disa herë pranë piramidës së kufirit te liqeni i Shtarës, nuk do ta vëreja atë sikur të mos ma vriste syrin tabela me mbishkrimin në gjuhë malazeze “Zonë kufitare!” Ja, përsëri kufiri, që na ka shkaktuar aq shumë të këqija, aq shumë viktima. Viktima që ende rëndojnë shpirtin e popullit tonë. Dhe, shumë herë kam menduar – sa mirë do të ishte sikur viktimave të pafajshme të kufirit t’u ngrihej një përmendore në ndonjë vendkalim të kufirit ndërshqiptar.
