Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare

Ndër shumë rrjete sociale e media në gjuhën shqipe dhe jo vetëm, që veprojnë në SHBA, portali “Plava e Gucia sot” me seli në Nju Jork, në faqen e vet publikoi lajmin e hidhur se në orët e hershme të mëngjesit të ditës së shtunë, më 7 qershor 2025, në Nju Jork, pushoi së rrahuri zemra bujare e fisnike pas më shumë se një shekull jetë e veprimtarit të denjë të çështjes kombëtare, me vizion dhe ndjenja patriotike e atdhetare, e të burgosurit politik dhe pilotit të parë shqiptar të aviacionit ushtarak, burrit të madh dhe të paepur shqiptar, Rexhep Galit Balidemaj nga fshati Martinaj i komunës së Gucisë.
Pronari dhe drejtori i portalit në fjalë, Esad R. Gjonbalaj, nipi i Rexhepit të ndjerë, me ndjenja dhembje e pikëllimi të thellë, në faqen e vet shkruan se “Martinajt humbën birin e tyre të shtrenjtë, Plava e Gucia, toka e historisë, krenarisë dhe lavdisë, ndiejnë dhembjen dhe pikëllimin e madh për ndarjen nga jeta të kolosit të atdhetarisë. Mbarë kombi shqiptar humbi një nga bijtë e vet më të çmuar, i cili gjithë jetën, më se një shekull, pa kursim ia kushtoi kauzës së çështjes kombëtare”, duke shtuar në vazhdim se pa dyshim “çdo atdhetar është i tronditur thellësisht për ndarjen nga jeta të një frymëzuesi të madh, të një legjende të gjallë dhe të një enciklopedie të vërtetë që historia e njeh me emrin e ndritur të gravuar në gurët e përjetësisë – Rexhep Gali Balidemaj, e mbi të gjitha, familja e tij humbi më të dashurin e tyre, që për ta ishte dhe do të mbetet një thesar krenarie e mburrjeje për jetën dhe veprën e tij të bujshme, vrullshme, dinamike e shumë përfshirëse më se një shekull”.
Gjonbalaj shkruan se jeta e dajës së vet – Rexhepit, tani të ndjerë, i ngjanë një skenari të jashtëzakonshëm filmik, përplot krenari, sakrifica e përkushtim që në moshë të re u rreshtua në anën e nderit, në radhët e atyre që jetën e kishin sinonim të luftës për kauzën kombëtare e për atdheun. Ishte luftëtar i lirisë, pilot i aviacionit ushtarak në vitin 1946, kundërshtar i rreptë i çdo përpjekjeje për të përbuzur e poshtëruar kombin shqiptar. Idealet e tij ishin të pandalshme dhe frymëzuese për brezat që vijnë pas. Për idealet e veta, Rexhepi pagoi çmimin e shtrenjtë duke qenë i persekutuar dhe duke vuajtur dënimet shumëvjeçare në burg në Goli Otokun famëkeq e në kazamatet tjera të regjimit serbosllav përplot 16 vite.
Ndërkaq, për aktivitetin shumëpërfshirës dhe për figurën e ndritur e markante të tij në ndërgjegjësimin e çështjes mbarëkombëtare shqiptare, është shkruar, folur e raportuar në shumë media të shkruara e elektronike, në ca portale e rrjete sociale dhe në vepra letrare të autorëve shqiptarë.
Rexhep Gali Balidemaj u lind më 19 dhjetor të vitit 1922, në fshatin Martinaj të komunës së Gucisë, nga e ëma Sute Goçaj – Balidemaj dhe i ati Gal Shabani Balidemaj i bajrakut të vëllazërisë Selcë të fisit Kelmend, familje kjo bujare, atdhetare dhe mikpritëse. Katër klasët e ciklit të ulët (I-IV) të shkollës fillore i kreu në fshatin e lindjes – në Martinaj, ndërsa katër klasët e ciklit të lartë (V-VIII), që atëherë quheshin gjimnaz, i kreu në Plavë, në gjuhën serbe, pasi nuk ekzistonin shkolla me mësim në gjuhën shqipe.
Ndonëse Rexhepi ishte djalë i shkathtë, i mprehtë dhe me vizion e horizont të gjerë, si i tillë i bie në sy ministrit shqiptar,Qazim Koçulli, i cili në vitin 1941 vizitoi trevën e krahinës së Plavë-Gucisë. Me iniciativën e tij Rexhepi shkon në Tiranë, ku regjistrohet në gjimnaz. Meqë ishte i brumosur me vizion dhe ndjenja patriotike e atdhetare, së shpejti bie në kontakt me të rinjtë antifashistë shqiptarë, si Kajo Karafili, Qemal Stafa etj., me të cilët së bashku merr pjesë në disa aksione antifashiste.
Në verën e vitit 1943, Rexhepi kthehet në vendlindje, ku angazhohet në Lëvizjen e të rinjve të Plavës dhe Gucisë. Në vjeshtën e po atij viti regjistrohet në aradhat partizane, me të cilat luftoi deri në Trieste të Sllovenisë.
Pas kapitullimit të Gjermanisë, Rexhepi edukimin dhe arsimimin e vet të mëtejmë e vazhdon në Beograd, ku me sukses e kryen kursin për shifrant. Në vitin 1946, pasi kaloi me sukses të gjitha testet e aftësive fizike e mendore, Rexhepi dërgohet në Kijev të Bashkimit Sovjetik, ku qëndron dy vite dhe aftësohet për pilot. Kështu ai edhe bëhet piloti i parë shqiptar i aviacionit ushtarak. Në vitin 1948, kthehet në Zagrab të Kroacisë dhe fillon punën si pilot ushtarak.
Me shpalljen e Rezolutës së Informbyrosë në vitin 1948, Rexhep Gali përcaktohet për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare, sepse në anën e Rezolutës ishte Shqipëria, andaj sipas bindjeve të tij, ku ishte Shqipëria ishte edhe ai. Në vitin 1949 arrestohet si informbyroist dhe dënohet me gjashtë vjet burg. Dënimin e vuan në burgun më famëkeq në Goli Otok. Aty keqtrajtohet jo vetëm si informbyroist, por edhe si shqiptar. Megjithatë, Rexhepi i përballoi të gjitha torturat e persekutimet dhe pas vuajtjes së dënimit, në vitin 1956 kthehet në vendlindje. Nga UDB-ja ai përcillet vazhdimisht dhe si pretekst ajo gjen një rast ku Rexhepi del në mbrojtje të një bashkëvendësi të vet, të cilin donin ta arrestonin. Kjo atyre u mjaftoi që ta arrestonin dhe në bazë të nenit 133 për propagandë armiqësore me gojë, dënohet me tre vite burg, të cilat i vuan në burgun e Kotorrit në Mal të Zi.
Pas vuajtjes së këtij dënimi, Rexhepi sërish kthehet në vendlindje, ku me ndihmën e ca të afërmve e të tij punësohet rojtar pyjesh në Drejtorinë e Sektorit për Pyje në Plavë. Edhe pse nuk kishte asnjë shkas dhe mundësi veprimi, UDB-ja vazhdimisht i krijonte insinuata, ashtu që pas tri vitesh pune, sërish arrestohet dhe dënohet me dy vite burg, të cilat i vuan në Ishullin Gërgir të Kroacisë. Pas daljes nga burgu, megjithëse ishte i martuar dhe me dy fëmijë, nuk kishte kurrfarë mundësie sërish të punësohej.
Në Konferencën e Brioneve të vitit 1965 aprovohet një rezolutë, në bazë të së cilës ndalohet ndjekja e të dënuarve si informbyroistë. Disa bashkëvendës të tij, të cilët jetonin dhe punonin në Prishtinë, Rexhepin e punësojnë në Ndërmarrjen Ndërtimore “Ramiz Sadiku”, ku punon deri në vitin 1981. Edhe pse ishte bukur i moshuar, ai në shpirt ishte ende i ri dhe burgu e torturat në vend që ta ligështonin, e kishin kalitur e frymëzuar.
Me të dëgjuar për demonstratat e studentëve në vitin 1981, ai u bashkëngjitet atyre dhe së bashku me shumë të rinj sërish arrestohet nga policia serbe. Edhe pse ishte i moshuar, me procedurë të përshpejtuar e dënojnë me dy muaj burg të cilat i vuan në Burgun e Lipjanit të Kosovës. Qëndrimin e vet në burg Rexhepi e shfrytëzon për t’u njohur me veprimtarë të rinj të çështjes kombëtare shqiptare dhe pasi del nga burgu, e vazhdon veprimtarinë e vet. Në atë kohë ka qenë vështirë të veprohet, por veprimtarët shqiptarë kishin zbuluar një formë të re veprimi, e cila quhej “treshe”. Treshet kanë qenë grupe të vogla prej tre aktivistësh, ku secili prej tyre ishte pjesëtar i një “tresheje” tjetër, për të cilën shokët e treshes së tij nuk kishin dijeni. Ky sistem u tregua efikas, sepse të arrestuarit edhe po të dinin, nuk mund të tregonin vetëm për veprimtarët e treshes së vet, ashtu që këputej zinxhiri i arrestimeve. Edhe pse në moshë të thyer, por nga pamja fizike dukej vital, Rexhepi bëhet pjesëtar i treshes, ku veproi deri në vitin 1983, kur arrestohet sërish dhe dënohet me pesë vjet burg, me akuzën për agjitacion e propagandë armiqësore.
Për veprimtarinë e Rexhepit në Prishtinë kishin dëgjuar të gjithë, andaj atë e merr në mbrojtje avokati i mirënjohur kosovar Bajram Kelmendi dhe falë angazhimit të tij profesional, dënimi i ulet nga pesë në tre vjet burg, të cilat i vuan në burgjet e Prishtinës, Gjilanit dhe Gjyrakocit.
Mosdorëzimi tanimë ishte bërë pjesë e jetës së tij, andaj ai merr pjesë në protestën e organizuar me rastin e vrasjes së dëshmores së kombit Ylfete Humolli dhe për këtë shkak dënohet me dy muaj burg nga Gjykata për Kundërvajtje.
Veprimtari i denjë i çështjes kombëtare, patrioti dhe atdhetari i mirënjohur shqiptar, Rexhep Gali Balidemaj është një nga shembujt më kuptimplotë që në mënyrë reale e personifikon shprehjen “Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare”. Ai një të gjashtën pjesë së jetës dhe veprimtarisë së vet të bujshme, vrullshme, dinamike e shumëpërfshirëse 103-vjeçare, 16,4 vjet të jetës i ka kaluar në qelitë e 13 burgjeve e kazamateve në qendrat e ndryshme të Malit të Zi, Kosovës, Kroacisë e Serbisë, por edhe përkundër vuajtjeve, torturave e persekutimeve që ato i sollën, ai asnjëherë nuk u gjunjëzua, por mbeti burrë e trim i denjë dhe atdhetar i paepur dhe i paluhatur i kombit dhe vatanit të vet. Ai ishte dhe mbetet simbol dhe burim frymëzimi për të rinjtë, por edhe për moshat tjera, jo vetëm nga treva e krahinës së Plavës e Gucisë, por edhe për hapësirën e trojeve mbarëkombëtare shqiptare.
Një pjesë bukur të gjatë të jetës së vet, Rexhep Gali Balidemaj e kaloi në Nju Jork të SHBA-së bashkë me tre djemtë e vet: Naimin, Nerimin e Kujtimin, të gjithë me ngritje superiore profesionale. Mjerisht, bashkëshortja e dashur dhe e çmuar, Rabë Kukaj – Balidemaj, i ka vdekur para ca vitesh.
Për veprimtarinë e vet të bujshme, vrullshme e dinamike u shpërblye dhe u nderua me shumë çmime, dhurata e mirënjohje të larta kombëtare. Karakteristikë e veçantë për Rexhep Galin ishte e dhëna se ai pa dyshim ishte njeriu më i moshuar ndër popullatën shqiptare të trevës së Plavës e Gucisë e ndoshta edhe ndër konfesionet tjera të kësaj ane.
Për meritat e vlerat e larta që kishte, popullata shqiptare e trevës së Plavës dhe Gucisë, në veçanti të rinjtë, Rexhep Galin Balidemaj, me admirim e krenari e kanë quajtur “Mandela i Plavës dhe Gucisë”.
Ceremoniali mortor në praninë e një numri shumë të madh bashkëvendësish e bashkëkombësish shqiptarë mërgimtarë në diasporë nga të gjitha trojet shqiptare që jetojnë e veprojnë gjerë e gjatë ambienteve të SHBA-së, u bë më 13 qershor 2025, në Yorktown Funeral Home, 945 E Main St. Shrub Oak NY 10588, kurse varrimi më 14 qershor në varrezat e Kensico Cemetery 273 Lakeview Ave, Vallhalla NY 10595.
Edhe pse jo në gjirin e tokës së vendlindjes, të cilën pa masë e deshe dhe e çmove, pusho i qetë në shtëpinë tënde të përmotshme në ambientin e tokës larg atdheut ku po prehen edhe shumë e shumë bashkëvendës e bashkëkombës shqiptarë mërgimtarë nga trojet e ndryshme etnike.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat