Besnik i librit dhe përhapjes së dijes

Fundjavën e kaluar, banorët e Malësisë i dhanë lamtumirën e fundit bashkëvendësit Prof. dr. Mark Camajt, i cili gjithë jetën e vet ia kushtoi arsimimit dhe edukimit të gjeneratave të reja pasi, edhe ai vetë, ishte dashamir i librit dhe dijes.
Nxënësit e tij, aty edhe e filloi karrierën e vet në profesionin e mësimdhënësit, e kujtojnë për afërsinë që kishte me ta, disponimin e mirë që sillte në klasë, kujdesin ndaj tyre si dhe përkushtimin që kishte në përvetësimin e njohurive të reja. I tillë edhe në nivelin universitar ku ligjëroi dekada me radhë, i dashur dhe i respektuar nga studentët, kolegët dhe të gjithë ata që kishin rastin ta takojnë dhe ta njohin profesor Markun. E dëshmuan këtë edhe gjatë ditëve të mortit në familjen e tij duke e nderuar personalitetin e tij, studentë dhe kolegë të shumtë nga qendra të ndryshme ku Marku ka lënë gjurmë të thellë në përhapjen e dijes te gjeneratat e reja.
Ishte emër i respektuar nga komuniteti akademik kudo – në Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë dhe kudo që kishin dëgjuar ligjëratat e tij deri në, pothuajse, vitet e fundit të jetës së tij. S’do mend se për njerëz të këtillë, të realizuar në fushën profesionale dhe me një karrierë të gjatë e të pasur, mund të shkruhet dhe të flitet gjatë pasi ata janë të njohur, por ndarja nga jeta e njeriut dashamir për njerëzit, për librin dhe për dijen, është rast më i veçantë. Sidomos, për njeriun nga i cili ruan kujtime të shumta, qëllimmirë në fjalë e biseda, në takime, në rrugë apo në shtëpi, i dashur, i afërt dhe i butë ashtu siç ishte në natyrën e tij. Janë këto raste kur familjarë dhe të afërm përjetojnë dhimbjen për humbjen e të dashurit të vet, por edhe humbja e një miku të sinqertë përjetohet me emocione të thella, e përcjellë me pellgun e kujtimeve të pafund dashamirësie. I tillë ishte profesor Marku, i cili i kishte fjalët e qëlluara në çastet e duhura për mikun, të afërmin dhe të njohurin e të cilat nuk i kursente. Kishte ndjesinë e veçantë për fjalën e duhur, për veprimin e nevojshëm, por edhe kur duhet dhuruar librin e duhur, që unë e kujtoj me shumë respekt librin e fundit nga dora e tij, me fjalët e buta dhe të matura për të dhënë fuqinë e nevojshme në rast ligështie nga sëmundja apo raste të tjera.
E praktikonte profesor Marku të shkruante datën, sidomos në libra, i vetëdijshëm se ajo një ditë e ka rëndësinë e vet dhe, vërtet, ashtu ndodh. Në takime e përurime të ndryshme kudo, profesor Marku kishte vendin e merituar por edhe ata që e shoqëronin. Andaj, ky fakt e gëzonte shumë dhe ishte i lumtur që miqtë e tij ishin njëjtë të respektuar.
Ndejat, takimet apo udhëtimet me profesorin ishin të lezetshme pasi, profesor Marku, nuk e uzurponte kohën e të tjerëve me atë që ishte profesioni i tij, me karrierën apo angazhimet e tij të shumta. Si njohës i mirë i vlerave të shumta nga këto treva, i ngjarjeve dhe personaliteteve nga e kaluara, ai gjithherë e dinte momentin e duhur për tema dhe biseda të pranueshme për bashkëbiseduesit, të cilët i dëgjonte me shumë kënaqësi. Është shumë bukur kur familjarët kujtojnë çaste dhe fjalë të këndshme nga fëmijëria e tyre, nga miqtë e prindit të vet dhe, si të tilla, i ruajnë përjetësisht.
Në punën time të përditshme në gazetari kam shkruar për bashkëvendës të shumtë, krijues, veprimtarë dhe të çmuar në trevat tona për vepra të ndryshme krijuese apo në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të trashëguara, dhe njëjtë, përmes këtij shkrimi modest, duke rikujtuar, në radhë të parë, dashamirësinë e profesor Markut, këto pak rreshta për bashkëvendësin tonë, besnik i librit dhe dijes.

Gjokë Dukaj

Të fundit

më të lexuarat