
SA BUKUR E KANË THËNË
Dikur motit të vjetrit thoshin:
“nuk ka shpi pa nji thi”
unë nuk jam, këtë e di
“diku i bardhë, diku i zi”.
Plakat atëbotë thoshin me gojë plot:
“nuk ka mëhallë pa nji budallë”
Në mëhallën time, nuk ka, i thashë moj hallë
ajo ma priti: “diku ma shumë, diku ma rrallë”.
Plaku me shkop mbante veten në oborr
dëgjoni mirë çka po u them unë sot
“nuk ka katund pa nji ahmak
diku ma shumë, diku ma pak”.
Sot qe edhe unë jam bërë plak
Fjalët e të vjetërve në mend i kam
Nuk kanë thënë kot, as plaku, as plaka
Janë të provuara, i ka mësuar jeta.
KUFIRI 1913
Tash më shumë se një shekull
Jam veshur me kostum shprese të thyer
Për rilindje kufijsh që na ndanë
Në stinën e thatë të fillimshekullit që iku
Na lanë të hedhim vallen e mëshirës
Në mollëzat e faqeve të nënave me lot varfërie
Ndarë babë e bir e nënë e bijë
Na mbërthyet në kornizë të zbrazët
Varur në gozhdë, nën strehë boshe të shtëpisë
Europë, lejove hienat të hedhin valle
Në pronën tonë stolisur me pikturë
Na i shembe trarët e godinave me gurë
U kthyen mbrapsht pa pullaze në muzg.
VJESHTË E VONË
Bryma e nëntorit i vyshku pa mëshirë
blerimet e pakta që mbetën
tokat u përmbytën nga shiu
rrugët i zuri balta nga vërshimi
e shtigjet i zbardhi bora e parë
papritur më zuri shtrëngata e moshës
gati harrova se mjekra më është zbardhë
në lokal hyra, porosita një kafe
ku klientët më përshëndetën me buzë në gaz
urdhëroni kafenë, më thanë të gjithë
urdhëroni, gjyshi ynë mjekërbardhë
HESHTJA
Si mjegulla që ka rënë mbi kodër
Pa asnjë fjalë zbriti nga bjeshka
Rebelimi i erës e solli tek unë
Me mua mbase sonte do fle.
Në grushte kam shtrënguar mallin
Kam zbutur tërbimin e pabindur
I përgjumur me heshtjen në duar
Stina pa gjurmë rrugëton me heshtjen.
Rëniet e kambanave lajmëruan largim
Dallëndyshet në tufa ikën fluturim
Unë u përpoqa ta ruaj heshtjen time
Kot e pata, durimi u sos, ajo foli.
STUHI BREZASH
Gjyshit ia thyen këmbët
Babait të gjitha brinjët
Mua këmbë e duar
Tre breza i sakatuan.
Stuhi pas stuhie
Nuk e di sa herë
Kufijtë i ndërruan
Tre breza sakatuan.
Gjyshi qyq nuk ka qenë
Babai qyq nuk ishte
As unë qyq nuk jam
Vendin këtu qyqet nuk e kanë.
Të tjerët përreth nesh qeshin
Me fatkeqësinë tonë luajnë
Ne heshtim e nuk bëzajmë
As një fjalë nuk e themi.
Moshën e bëmë burrëri
Mbrëmjet i bëjmë pushim
Thyerjet e skeleteve tona
Duhet t’i kemi mësim
DETI
Sot gishtin e dorës së djathtë
E futa në ujë deti
Në anën e majtë të trupit tim
U shfaq harta e botës
E në kokën time rreth boshtit
Sillet globi i botës.
Sot deti nuk pati valë
Rrufetë e gjëma
Ikën në mal të shkretë
Oxhaqet e kullave me mure kala
Në guacën e kraharorit tim u strehuan
Lejlekët thurën çerdhe engjëjsh
Liria u bë pjesë e qenies sime
Shpirti im fanar drite
Dielli rrezet ia fali tokës
Rreth boshtit u hapën bulëza
U thurën vargje
Që mbytën gjëmën e detit
E rrufetë nuk u panë në horizont.
PREPOTENTI
Mënyra e sjelljes së tij
veshur me prepotencë
i është ngulitur në qenie
kur u ngrit në karrierë
duke iu gëzuar privilegjeve
gjoksin të hapur e qet përpara
është shkëputë
nga kategoria e njerëzve
që deri dje e rrethonin
me mish e me shpirt
iu qas kategorisë tjetër
ata tash i hyjnë në punë
në grupimin e ri
të gjithë janë shërbëtorët e tij.
DIKUR
Në sofër rreth saj ulur
Bukë, kripë e zemër shtruar
Bukën e hëngrëm edhe thatë
I mblodhëm dromcat
I puthëm, i vumë në ballë
Asnjëherë nuk bëmë shamatë
Në shtëpi, bërë nga balta
Me zemër, gatuar nga mjalta
Kënga jehonte, vallja sillej
Hapat e jetës sfiduan kohën
Sot kemi me bollëk
Na ka mbetur pak njerëzillëk.
SOFRA JONË
Kam dalë sot në breg të liqenit
Peshkatari me kallam ulur mbi gur
Peshkon në heshtje si dikur
Mos fol, tha, se më tremb peshkun
Jo, ia prita me butësi
Peshku me gojë të mbyllur
E shmang grepin gjithsesi
Unë këndoj e thuri vargje
Nuk flas kot, nuk lidhi nyje
Zërin ia kam marrë bilbilit
Dy rrezet ia vodha diellit
Me hapa të lehtë ndjek zanat
Sa herë malet bëhen bashkë
Në kuvende, ku fjala zë vend
Aty unë mbushem me mend
Hëna kur del buzë livadhit
Dielli në majë të malit
Lindjen në Cukal, perëndimin në Rumi
Sofra me bukë, kripë e zemër
Me shpirtin mbushur me bujari
Shtrohet në secilën shtëpi
SHIKIMI
Ngrin në shikim
Fjala mungon
Nuk del nga gjuha
Gojë e kyçur me dry
Më shumë përdor sytë
Dielli merr pushtet
Heshtje në vlerësim