Laureat i Medaljes Presidenciale në fushën e Gjuhës, Letërsisë e Kulturës

Gazmend Çitaku

Dhjetori shënon fazën përmbyllëse të shumë ngjarjeve kulturore ndodhur brenda vitit. U botuan libra, u prezantuan filma të zhanreve të ndryshme, u publikuan këngë dhe u organizuan shumë ngjarje kulturore. Fundi i vitit 2023 gjithashtu mblodhi shumë krijues në një vend kurse disa prej tyre patën fatin që të vlerësohen nga autoritetet e vendeve ku jetojnë.
Një ngjarje të tillë kulturore ku u vlerësuan shumë krijues të fushave të ndryshme u zhvillua më 29 dhjetor 2023 në Presidencën e Republikës së Kosovës. Në këtë ceremoni solemne në prag të ndërrimit të mot-moteve presidentja, zonja Vjosa Osmani Sadriu bëri ndarjen e dekoratave dhe medaljeve presidenciale për Gjuhë, Letërsi dhe Kulturë. Një ndër këta laureatë ishte edhe shkrimtari ulqinak Hajro Ulqinaku, i cili u vlerësua me motivacion “Për vlera të larta letrare dhe veprimtari kulturore”.
Gjatë këtij aktiviteti, presidentja Osmani tha se “sot i nderojmë dhe nuk do të rreshtim së nderuari gjithsecilin që ka dhënë kontribut që Kosova dhe kombi shqiptar të jetë aty ku janë sot”. Dhe vazhdon “Ky është një akt i domosdoshëm për ta shprehur mirënjohjen tonë si komb ndaj atyre që me veprimtarinë e tyre jetësore dhe përkushtimin e pafund ndaj profesionit të tyre në fusha të ndryshme janë shndërruar në shembuj të shkëlqimit dhe frymëzimit të vazhdueshëm për brezat e rinj. Ata janë shembuj të asaj se çfarë mund të arrihet me përkushtim dhe talent”, ka theksuar presidentja Osmani në adresimin e saj para ndarjes së dekoratave.
Përmes faqes zyrtare të Presidencës jepet edhe ky njoftim: “Gjuha, letërsia e kultura përbëjnë gur të rëndësishëm në jetën e kombeve. Prandaj, Presidentja Osmani u ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritava krijuesve e artistëve të shumtë, nga më të hershmit, siç është bardi i letrave shqipe e frymëzuesi i madh i rilindjes kombëtare shqiptare, Jeronim de Rada e poeti i shquar arbëresh, Zef Serembe, e deri të klasikët e letërsisë sonë, Mitrush Kuteli e Lasgush Poradeci, por edhe shkrimtarët e mëvonshëm si Hajro Ulqinaku, Beqir Musliu e Xhevdet Bajraj.”

Hajro Ulqinaku lindi në Ulqin në vitin 1938. Shkollën fillore e ka kryer në Ulqin, Normalen në Prishtinë kurse është diplomuar në Universitetin e Beogradit në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Me mbarimin e universitetit ai shërbeu për shumë vite në arsim në Mal të Zi e në Kosovë. Në vitet 1967/68 fillon të punojë si gazetar, fillimisht në Radio Prishtinë. Nga maji i vitit 1974, deri në përjashtim nga puna prej forcave policore serbe, më 5 korrik 1990, ishte redaktor i Redaksisë së Programit për Fëmijë në Televizionin e Prishtinës. Ka dhënë kontribut në themelimin e seksioneve letrare si dhe si anëtar i redaksive të revistave: Zgjimi, GEP, Pionieri, Fati dhe Okarina. Aktualisht është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës, si dhe anëtar i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi. Është shkrimtar i cili kryesisht shkruan prozë dhe poezi për fëmijë, ku motivi kryesor është deti. Viteve të fundit kontribut të madh ka dhënë në publicistikë duke botuar libra studimore lidhur me detin, Ulqinin dhe detarët ulqinakë.

Të fundit

më të lexuarat