Një vit i vështirë, plot vuajtje, kujtime, dashuri pa fund dhe përmallim i pashtershëm, për ty Dritan që larg të kemi, të ndiejmë që zemrën na ke marrë, sepse buzëqeshje na ke falë duke të kërkuar pasi me gjithë shpirt të dashuruam.
Shumë herët u largove nga shtëpia e përkohshme, duke gjetur strehim në shtëpinë e përjetshme, pranë nënës që aq shumë të mori malli, edhe pse nëna të krijon ndjenja të zjarrta.
Përshëndetja e parë për çdo mëngjes të vjen nga babai Muzaferi, kurse nga dritarja e shtëpisë të përshëndesin bashkëshortja Vahidja, djali Dorjani dhe vajza Erjona, me zemër të thyer e shpirt të lënduar, sepse u bë një vit që s’të kanë pranë.
Nga Gjermania e largët, motra Jeta nuk pajtohet me largimin tënd, duke thënë: Isha me vëlla, mbeta pa vëlla. Kujt t’i them vëlla?! Kush më pret në aeroport?! Kush më jep përqafime të ngrohta si ti?!… Zemra e thyer të kërkon vetëm ty, shpirti nuk i ndalon lotët, sepse e din që ti nuk je më, ike njëherë e përgjithmonë, më le në vuajtje duke shpalosur kujtimet e tua pa fund.
Të gjithë jemi të përmalluar, malli po na djeg dhe përvëlon, sepse ti ishe i sjellshëm, dashamirës, i çiltër dhe plot pozitivitet, ishe ndër të paktit njerëz që të mbushin me shpresë, me besim dhe të bëjnë të mendosh se kjo botë është e bukur, por Ti zgjodhe tjetër botë, dhashtë Zoti atë më të bukurën.
Të shumtë janë bashkëqytetarët nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Tivari, diaspora e më gjerë që ende ndajnë dhembjen për ty si një mik besnik e zemërmirë dhe i paluhatshëm në bindjet e tua. Ti kurrë nuk ke kërkuar të përfitosh nga shokët dhe miqtë, përkundrazi ke lënë vend në zemrat e tyre, nga karakteri që kishe, integriteti dhe vlerat e larta njerëzore. Na mungon pa fund…
U prehsh në paqe, Dritan!
Bilal Alaj