Binak Ulaj
(vijon nga numri i kaluar)
Derisa të rinjtë e të rejat do të rrinë e argëtohen rreth zjarrit deri pas mesnate, unë do ta shfrytëzoj rastin të bisedoj me Nazmiun dhe Mexhit Skanën (70), vendas, rojtar i hotelit, i cili, në gjendjen që ishte vetëm hotel nuk mund të quhej.
“Ky hotel është punuar për eprorët ushtarakë… Edhe në Lurë ka pasur disa reparte ushtarake”, tregon Mexhiti. “Atëherë kemi jetuar më mirë. Lura i ka pasur afro 6.000 banorë e sot i ka më pak së 600. Edhe djali e dy vajzat e mia janë jashtë. Kemi pasur siguri, shëndetësi… Tani të mira i kemi vetëm internetin e telefonin”, shton ai. Rakinë time që ia jap e vlerëson me “raki e urtë” dhe kur për shaka e pyes për gratë, thotë “Ato na ngjojnë! Na ngjojnë!”
“Asgjë të mirë s’ka pasur”, do të ndërhyjë ca me padurim Nazmiu. “Enveri e ka shkatërruar Shqipërinë…”
Po, gjithë ato shkatërrime që u bënë pas ndryshimit të sistemit, si i arsyeton?, e pyes. “Shtetëzimi i pronës private kishte bërë që njerëzit të humbin ndjenjën e pronësisë… Unë kam qenë në Gjermani, Zvicër dhe kam parë se ju kosovarët jeni enveristë…”
“Është mirë ta dini”, i përgjigjem, “se pa veprimtarinë dhe sakrificën e tyre, Kosova do të ishte ende nën robëri?! Ideologji prijëse e tyre ishte çlirimi i pjesëve të okupuara të atdheut…”
Pak para se të arrijmë te liqenet, hasim në borë e cila na pengon të vijojmë tutje. E largojmë një pjesë të saj me shpresë se më tej do të arrijmë deri të Liqeni i Luleve, por jo. Ishte e pamundur. Megjithatë, arrijmë te Liqeni i Madh. Kështu quhej, siç na treguan, se ishte më i madh se të tjerët. Shkëlqimi dritërues i ujit të tij, këndshëm i kaltër, dhe hapësira e zhuritur përreth, krijonin një kontrast të papërshkrueshëm. Shkarje mendore e egërsi shpirtërore! Krim që, pa e parë nga afër, s’parafytyrohet dot. Pamjet e degëve dhe e cungjeve të pishave, ca të hedhur edhe në liqen, me format që u kishte dhënë zjarri, zgjonin asociacione trishtimi. Veçmas tek unë që kisha parë nga afër edhe trupa njerëzish të djegur nga togjet kriminale policore e ushtarake serbe në Kosovë
Të nesërmen, derisa kalonim nëpër sipërfaqet e pyjeve të masakruara, i indinjuar nga ai tmerr që shihja, do ta pyes Nazmiun: Po pyjet që i ka djegur dora e njeriut, i kishte mbjellë Enveri? Si shpjegohet fakti se asnjëri prej atyre që e sollën sistemin e ri, nuk e ngriti zërin kundër shkatërrimit të pasurive të popullit, të bëra me aq mund e sakrifica?! Përkundrazi, i jepnin zjarr. Gjithë ato shkatërrime, vrasje, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite…
“Këto janë pasojë e keqqeverisjes”, përgjigjet.
Fidanët e mbjella të pishave, fare të vogla, s’dukeshin fare në gjithë ato hapësira që s’mund të quheshin më pyje, por shkretëtira. Djegia e pishave të Lurës, e cila me të drejtë është quajtur Hyjnesha e natyrës dhe e turizmit shqiptar, e shpallur Park Kombëtar në vitin 1966, për të cilën ka shkruar edhe Fishta, të cilën e kishte vizituar edhe udhëpërshkruesja e famshme angleze, Meri Edit Durham, është ekocid i trishtë, pasojë e një periudhe të errësirës mendore, që ka shkaktuar aq shumë viktima e dëme të paçmuara.
Siç dihet, Lura është e njohur edhe për trembëdhjetë liqenet e saj, shtatë prej të cilëve nuk shterojnë kurrë. Të dalluar për bukurinë e tyre janë shpallur Monument Natyror. Ndaj, s’kishte si të kthehemi pa e parë nga afër ndonjërin prej tyre. Pa humbur kohë do të nisemi përpjetë rrugës në të cilën mund të udhëtohet vetëm me makina terreni, siç ishte ajo e Dorit. Kërcimi i rrotave nga gurë në gurë, na i rrotullonte zorrët.
“Kjo rrugë për te liqenet është çelur në vitin 1960, tregon Nazmiu. Në vitin 2016, një firme private, shteti i ka dhënë një milion euro për rregullimin e saj, por ja ç’punë ka bërë e përgjegjësi s’jep askush. Ja, edhe ujin e përrenjve e kanë futur në tuba. Ushtima dhe freskia e tyre ia shtonin bukurinë Lurës. Tani HEC-et e vogla private, jo vetëm që po e tretin bukurinë, por po e thajnë edhe vendin.
Duke u ngjitur vërejmë se, përveç nga dora e njeriut, pyjeve po u vinte e keqja edhe nga sëmundja. Në shumë degë të thara vareshin qeska të bardha me insekte.
“Përpara, dilnin edhe kooperativistët, edhe ushtria dhe me gërshërë që zgjateshin, i prisnim degët e infektuara, por sot s’lodhet kush”, do të më tregojë Mexhiti.
Pak para se të arrijmë te liqenet, hasim në borë e cila na pengon të vijojmë tutje. E largojmë një pjesë të saj me shpresë se më tej do të arrijmë deri të Liqeni i Luleve, por jo. Ishte e pamundur. Megjithatë arrijmë te Liqeni i Madh. Kështu quhej, siç na treguan, se ishte më i madh se të tjerët. Shkëlqimi dritërues i ujit të tij, këndshëm i kaltër, dhe hapësira e zhuritur përreth, krijonin një kontrast të papërshkrueshëm. Shkarje mendore e egërsi shpirtërore! Krim që, pa e parë nga afër, s’parafytyrohet dot. Pamjet e degëve dhe e cungjeve të pishave, ca të hedhur edhe në liqen, me format që u kishte dhënë zjarri, zgjonin asociacione trishtimi. Veçmas tek unë që kisha parë nga afër edhe trupa njerëzish të djegur nga togjet kriminale policore e ushtarake serbe në Kosovë. Duke pushuar pranë liqenit e duke menduar se deri ku mund të shkojë çmenduria, më ishte kujtuar kënga e Leonora Jakupit “A vritet pafajësia?!” Larg asaj të bëhen krahasime, por edhe djegia e pyjeve, dhuratë e çmueshme e natyrës, pa të cilat s’mund të paramendohet jeta e njeriut, është krim që s‘e arsyeton asgjë. Ndonëse gjatë rrugëtimit kisha gjykuar se vetëm në skajore të tilla të atdheut, çfarë është edhe vendlindja ime, ka qenë e mundur t’i rezistohet armikut e të ruhen tiparet tona gjenetike, por jo, shekuj robërie…
I munduar nga pyetjet e pa përgjigje, kur do të gjykojmë e sillemi si njerëz, kur do të kemi pushtetarë që s‘mendojnë veç për veti, por para së gjithash për popullin dhe përparimin e shtetit, e shfrytëzoj metodën që më ka shpëtuar shumë herë – ngjitjen në maja për të qetësuar shpirtin e për të ruajtur ekuilibrin mendor.
Pas fotove të bëra dhe incizimeve me dron nga eksperti i ri, Erald Halilaj, kur të gjithë pajtohen me propozimin tim, nisemi për në majën Kurora e Lurës. Meqë ngjitja nëpër gurë ngjyrë bakri e nëpër borë nuk ishte e lehtë dhe jo pa rrezik, shumica vendosin të pushojnë e të kthehen. Nazmiu, Dori, Nerti, Pavli ( nga Çekia) dhe unë, arrijmë në majë prej nga shihej rajoni i Lurës, Peshkopia, Durrësi… Duke i shikuar nga lart liqenet, sytë e maleve, siç i quajnë adhuruesit e bukurisë së maleve, duke shikuar luginën e bukur të Lurës që shtrihej poshtë nesh dhe duke kujtuar të kaluarën e lavdishme të kësaj krahine të Dibrës heroike, s’kishte si të mos gjykoja se, nuk është e rastit që mjediset e tilla lindin dhe frymëzojnë artistë emërndritur siç është edhe biri i kësaj treve, Arif Vladi, interpretuesi i këngëve himne të luftës për liri, ndër to edhe i himnit të UÇK-së. Me atë rast më ishte kujtuar edhe përgjigjja e tij kur ishte pyetur për shpërblimin: “Nuk ka çmim që më paguan për Himnin e UÇK-së!”
Ditën e fundit, para se të ktheheshim me plagën e Lurës në shpirt, do të vizitojmë edhe një oazë tjetër bukurie, Lanë – Lurën. Edhe më tej Nazmiu i papërtueshëm tregon: “Në skajin tjetër të Lanë – Lurës ka qenë përmendorja e luftëtarëve shqiptarë të rënë në luftë kundër agresionit serb në vitin 1921. Tani është e shkatërruar. I kanë marrë pjesët metalike dhe i kanë shitur…” Shkakun e rrënimit të përmendores së partizanëve të rënë në luftë lundër pushtuesve nazistë e fashistë në Kre – Lurë, çfarë kisha parë edhe në shumë vende tjera të Shqipërisë, e dija, por rrënimin e përmendores së luftëtarëve kundër pushtuesve serbë si ta kuptoja?! Sado kisha menduar se gjatë atyre tri ditëve, sa kisha qëndruar e biseduar me Nazmiun dhe ndonjë tjetër, i kishim shteruar bisedat për krimet serbe, veçmas ato të viteve 1998 e 1999, ja që ato, si hije vdekjesjellëse, s’na shqiten nga mendja ngado që shkojmë. Kështu ndodhi edhe pas rrëfimit për fatin e përmendores në Lan – Lurë, por afrimi dhe biseda me deputeten e Parlamentit të Shqipërisë, Almirën, përfaqësuese e Dibrës, për planin e organizimit të aksionit vijues gjithëkombëtar në vjeshtë, për kushtet që ofron Lura për organizim edhe të ekoaktiviteteve tjera, veçmas për organizimin e shkollave verore të mjekësisë malore, siç praktikohet në vende të zhvilluara, veçmas në SHBA, dhe njoftimi i saj se është miratuar projekti për asfaltimin e rrugës Rrëshen – Lurë – Peshkopi, ma shton besimin te gjeneratat e reja dhe forcon bindjen se edhe mbesa ime me emrin Lura, kur të rritet edhe pak, do ta vizitojë me gëzim Lurën dhe do të mburret me atë se edhe gjyshi i saj ka kontribuuar në rikthimin e bukurisë, tani të plagosur, të Lurës.
(Fund)
