
Pas rotacionit të pushtetit në saje të zgjedhjeve të mbajtura më 30 gusht 2020, nga ditët e para të formimit të qeverisë së re pa pjesëmarrjen e përfaqësueseve të partive politike të shumicës parlamentare janë krijuar dyshime në funksionimin optimal të saj. Një dyshim i tillë bazohej në numrin e lartë të subjekteve politike me programe dhe ide të ndryshme të tyre në skenën politike në Mal të Zi. Dilemat mbeten në lidhje me arritjen e konsensusit për çështje të rëndësishme, duke e ditur se ende dominojnë pikëpamjet partiake e jo ato shtetërore në favor të qytetarëve dhe të demokracisë parlamentare.
Pikërisht, një qëndrim i tillë u dëshmua me rastin e shkarkimit të Ministrit të Drejtësisë dhe të Pakicave e të Drejtave të Njeriut si dhe me miratimin e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, duke shkaktuar krizë të dyfishtë(qeveritare dhe parlamentare) në anën e vetë shumicës parlamentare, dukuri e panjohur deri më tash në Mal të Zi.
Shkarkimi i ministrit dhe Rezoluta për Srebrenicën
Ndonëse më herët kryeministri është deklaruar se kërkon shkarkimin e Ministrit të Drejtësisë dhe të Pakicave, për shkak të Deklaratës kundër gjenocidit në Srebrenicë, ishte çështje ditësh se kur do të vendoset në rend të ditës dhe votimi për rastin në fjalë.
Ndonëse ishte paralajmëruar më herët, në Kuvendin e Malit të Zi, u miratua Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë më (17.6.2021) e mbështetur me 55 vota për 19 kundër dhe 7 të përmbajtur. Rezoluta në mes tjerash nënkupton që parlamenti të gjykojë dhe të pranojë se në Srebrenicë në korrik të vitit 1995 ka ndodhur gjenocidi, ku janë likuiduar mbi 8000 boshnjakë. Po ashtu parashihet që 11 korriku të shpallet Dita e kujtesës për viktimat në Srebrenicë.
Në Mal të Zi nuk ka ndodhur asgjë speciale, por është miratuar një rezolutë e cila është pranuar nga shtetet evropiane, që me të drejtë është vlerësuar si gjenocidi më i madh që ka ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Çdo mohim i një krimi të tillë paraqet skandal në botën demokratike dhe dëshmi të mospranimit të një realiteti që ka ndodhur në vitin 1995. Vetëm ata të cilët janë të helmuar nga shovinizmi e kanë problem të pranojnë realitetin e ndodhur në një kohë jo shumë të largët.
Ballafaqimi me të shkuarën- obligim demokratik
Mosgatishmëria e elitave politike në Ballkan për të mbyllur çështjet tragjike nga e kaluara është shumë shqetësuese, që vazhdon deri në ditët tona. Madje në skenë janë ende ata të cilët në forma të ndryshme kanë marrë pjesë në operacionet luftarake apo kanë qenë mbështetës të politikës së spastrimit etnik dhe të krimeve. Me një fjalë, dihet botërisht se krime të luftës dhe gjenocid nuk ka pa politikë kriminale e gjenocidale.
Por, në këtë aspekt vetëm individët kriminelë e kanë të vështirë të gjykojnë krimet e politikës së kohës dhe të bashkëkombësve të tyre dhe të distancohen nga ato. Në këtë aspekt skena politike në Mal të Zi veçohet nga Fronti Demokratik(DF), që është e djathtë ekstreme e cila është kundër parimeve demokratike dhe si e tillë është e dëmshme për demokracinë.
Të mohohet jo vetëm nga politikanët serbë një gjenocid i tillë që ka marrë edhe dënimin nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, ku përgjegjësit kryesorë kanë marrë dënime kapitale, është hipokrizia dhe mosgatishmëria për t’u ballafaquar me realitetin.
Ndërsa mos gatishmëria e politikës së Serbisë për t’u ballafaquar me të kaluarën tragjike e kriminale, paraqet shqetësim për stabilitetin në regjion. Por, nuk ka si të jetë ndryshe sepse në skenën politike në Serbi janë ata të cilët kanë qenë pjesëmarrës në ngjarjet kriminale dhe spastrimin etnik si në Kroaci, BeH dhe së fundmi në Kosovë. Madje reagimi nga politika zyrtare serbe kundër miratimit të Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë nga Kuvendi i Malit të Zi, dëshmon se politika serbe vazhdon të mbetet faktor destabilizimi në rajon.
Ne këtë aspekt duhet të kujtojmë gjermanët, të cilët nuk i kanë mohuar krimet gjatë Luftës së Dytë Botërore, madje kanë kërkuar falje, duke qenë shembull për të tjerët! Por, në mungesë të pushtetit demokratik të udhëhequr nga politika hegjemoniste, reflektimi për një falje të tillë nga serbët ende mungon.
Qeveria e sulmuar nga pozita e opozita(!?)
Deri më tash kemi pasur rast të dëgjojmë akuza për pushtetin nga ana e opozitës, por kësaj radhe kemi përjashtime, se ajo po sulmohet edhe nga pozita, pra nga shumica parlamentare, duke qenë risi në skenën politike pluraliste në Mal të Zi. Në këtë aspekt dallohet Fronti Demokratik(DF), me deklarata e akuza të ndryshme kundër qeverisë aktuale, e në veçanti kundër kryeministrit Z.Krivokapiq. Fjala është fillimisht për ndryshime në kabinetin qeveritar, ndërsa më pas duke kërkuar dorëheqjen e tij, duke theksuar se ai nuk ka mbështetjen e tyre.
Në lidhje me këtë çështje nga subjektet politike të shumicës parlamentare më 24 qershor 2021 është mbajtur takimi i përbashkët, pa ndonjë rezultat por është cekur se do të vazhdohet javën tjetër për të gjetur kompromis në këtë drejtim. Madje ceket së nëse nuk ka zgjidhje, zgjedhjet janë opsioni i vetëm, që nuk është në favor të qytetarëve në Mal të Zi, të cilët më 30 gusht 2020, votuan për rotacionin e pushtetit.
Zgjidhje apo zgjedhje
Stabiliteti politik në Mal të Zi varet nga të gjithë qytetarët, por përgjegjësia kryesore bie mbi popujt shumicë përkatësisht te malazezët dhe serbët, andaj çdo tension, qoftë ai edhe artificial i nxitur në mes tyre do të jetë me pasoja për qytetarët në këtë mjedis. Nga ana tjetër, ish pozita, tash opozita(DPS) duhet të pajtohet me fatin se ka humbur pushtetin pas tridhjetë viteve, dhe duhet të jetë konstruktive dhe mbështetëse e veprimeve ligjore në favor të qytetarëve dhe të stabilitetit në vend.
Ndërsa moskoordinimi në kuadër të shumicës parlamentare me paraqitje të turbulencave politike duhet arsyetuar në mungesë të përvojës politike dhe të ambicieve lideriste të përbërëseve të këtij koalicioni. Mos pjesëmarrja e personave politikë në qeverinë aktuale ka krijuar animozitete brenda shumicës parlamentare, dukuri qenë e panjohur deri më tash në pluralizëm në Mal të Zi.
Pikërisht duke marrë parasysh situatën aktuale, ekzistojnë ide të ndryshme si të tejkalohet ajo, si me ndryshime në kabinetin qeveritar, apo me shkarkimin e kryeministrit, që do të thotë shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Andaj si zgjidhje mbetën bisedimet dhe një marrëveshje e re e cila do jetë e pranueshme në favor të shumicës parlamentare. Ndërsa tentimi për qeveri të përkohshme, apo teknike me kohë të kufizuar deri në zgjedhje të parakohshme parlamentare mbetet çështje e hapur në ditët vijuese për shumicën aktuale parlamentare.
