
Peizazhi i krijimtarisë dhe i poezisë së Ndue Sinishtaj është i gjerë dhe i thellë. Poezia për poetin, në çdo varg të poezisë të Sinishtaj është arti që të fisnikëron shpirtin dhe të bën të dashurosh me shpirt. Atdheu i zvogëluar është drama e tij poetike, drama që dhemb, dhe zjarri që i jep flakë vargjeve. E kaluara që ka ikur, e tashmja që ekziston dhe e ardhmja që s’ka ardhur është studioja ku krijon Ndue Sinishtaj. Ky mision i tij poetik për lirinë dhe letërsinë, e bën këtë poet thuajse kombëtar, bir të artit dhe të letërsisë. Vepra e tij është përmbledhje me motive, frymëzime dhe me tematika nga më të ndryshmet, ngase ato nxjerrin në pah aktin e lindjes, atdheun, ëndrrat fëmijërore dhe fëmijërinë, mallin për vendlindje, dashurinë, përkushtime ndaj njerëzve të tokës së tij, të gjakut të tij, sakrificën për lirinë e vendit, ku me mjeshtri ka poetizuar:
O ish-gjaku im,
pa dhambë ke lind
e t’lypet me jetue
s’bashku me ujq
Në Kshevë, në vendlindje, aty ku edhe varret janë të shenjta dhe hyjnore, poeti këtë ambientit do ta ketë në çdo çast të jetës me vete.
U larguem prej tejet
si frute t’nji rastit të vebër
e kocat na i bren pamëshira
si gëlbaza mushknitë e berrit
Vepra “Te vorret e Kshevës” hapet me poezinë “Metamorfoza e gjakut tim”, që njëherit është prolog dhe çelës, ndër të tjera shkruhet:
Gjysmaku im
mes Dje dhe Sot
qëndron një urë zjarri
ku vjet për vjet
përzihen e ndahen
liritë dhe vargonjt
Kur flasim për vargun poetik të poetit Ndue Sinishtaj, kemi parasysh se kemi të bëjmë me një krijues të mirëfilltë, i cili në letërsinë shqiptare bashkëkohore është krijuesi frytdhënës, ku kultivohet fjala e bukur poetike. Poeti Sinishtaj me zell të madh, përkushtim, pasion, dashuri dhe energji të pashtershme i dedikohet poezisë. Me punë të palodhshme dhe kontribut të jashtëzakonshëm për avancimin e kauzës kombëtare dhe shoqërore poeti kërkon nga të gjithë shumë punë, mirëkuptim, dashuri, harmoni dhe përkushtim në ndërtimin e vendit të vet, në konsolidimin dhe përparimin e atdheut sepse sipas poetit përgjumja askujt nuk i bënë mirë. Vargu që shkruan Sinishtaj pulson fuqishëm me vendlindjen e tij Kshevën. Rrënjët e vargut poetik janë ngulur nga veriu, deri në skajin më jugor të Shqipërisë, atje deri te deti Jon, duke bërë kështu që poezia e tij të pëlqehet kudo që ka shqiptarë.
Motiv krysor e poezisë në vëllimin poetik “Te vorret e Kshevës janë pikërisht njerëzit e tij më të afërt, më të dashur, janë lidhjet e gjakut të tij, janë fijet të dukshme e të padukshme që lidhin individin poet me vendlindjen e tij. Babai, gjyshja, vëllai, mësuesi, bashkëfshatari janë heronjtë lirikë që marrin përmasa thuajse afër të së jashtëzakonshmes në poezinë e Sinishtajt. E poetik është njëri prej tyre, frymë balte, shpirt e zjarr, njëlloj si ata. Ata i dhanë kuptimin, Noka u ktheu sharmin. Ata i dhuruan filozofinë me pafajësinë e tyre, poeti u ndezi dëshirën të ndihen më mirë, të kuptojnë më bukur; ata i dhanë padashur frymëzim edhe ndjenjë, njeriu i poezisë i shndërroi, përmes vargjeve, në përsosmëri dhe autoritet. Pjesa më e madhe e poezive e kanë një përkushtim çka tregon edhe kredon poetike të ngulitur mirë të autorit tonë.
Kështu në poezinë “Tim At” autori shprehej
O babëlok,
Ka do gjana që i prekë
Veç dora e syni
Apo përmëtej, ai na vë në dukje edhe mundimet e Lokës (nanës) së vet. Ngarkuar me barrën e rëndë të të gjithë punëve si të gjitha gratë e vendit tonë në kthimin e lodhshëm të përnatshëm.
Në perëndim
Kalojshin gratë malësore
Tue u kthye nga pazari
Të ngarkueme me harxh
Të veshuna me xhubleta
Tue u kapë përpjetë malit
Pikë të zeza
Në horizont
Nga një lexim i kujdesshëm mund të dallosh edhe nota të holla të protestës. Kështu shihet qartë në krijimtarinë e tij e zëri protestues i poetit shqafet me nota dhembshurie dhe të ashpra ai tenton që përmes vargut në mendjet e atyre te cilët me vetëdije hapin plagë të pashlyeshme në jetën njerëzore. Në më së shumti e gjithë kjo është thuajse e pandjeshme, por gëluese në nëntekst. Poezitë e këtij poeti janë shkruar me gjuhë artistike që lexuesin e bëjnë për vete dhe veprat i ngre në nivel ideoartistik. Pikërisht ky nivel i fjalës poetike të Ndue Sinishtës të obligon që në rradhë të parë të kalosh nëpër filtrin e mendimit e të fjalës së shkruar prej tij. Çdo fjalë e rresht që ka shkruar në libra me poezi Sinishtaj, sigurisht ai e ka “ matur e peshuar” mirë brenda vetes mendimin e fjalës, pastaj e shkruan në letër. Ai gjurmon si skifter mes skutave të fshehta të mendimeve dhe i përpin ato brenda shpirtit. Pastaj, si një hekurpunues dredh ujvarën e shpirtit në letërmallin e dhimbjen e mallin, lotin e gazin. Me krijimet e tij, poeti Ndue Sinishtaj ka formuar “liqenin” e vet me fjalën e bukur shqipe. Ai dallohet për vargun “migjenian” e herë-herë shihet të jetë fort i afërt edhe me Camajn në hermetizimin a simbolizmin e tij:
Qielli i shpirtit tim
A i moti para shiut
Ku dejkat fluturojnë
Kryq-tërthuer në ajër
Se mendimet e mia
Poezitë e Sinishtaj janë të thjeshta në dukje për lexuesin dhe për çdo lexues të thjeshtë. Kanë një rrjedhshmëri të pastër kur lexon, por aty do ndjesh krenari të ligjshme e hyjnore që të ndez zjarr.
Poezia e Ndue Sinishtaj çel si lulet. Prushi i kraharorit të poetit është tymosur, poeti Sinishtaj është në betejë të pareshtur për të pathënën, për të pafituarën e së tërës. Në bisedë me flamurin, poeti Sinishtaj e merr amanetin nga i nderuari flamuri ynë, se liria dhe atdheu janë dy gjërat më të çmuara për shpirtin dhe qenien time:
Në gjirin tonë do të flakojë
Flamuri- Kuq e Zi
Si ëndrra në natën e shekujve ngritet fjala, fryma e përjetshme e tokës dhe maleve, i gjelbërimeve të fushave dhe maleve, rrezet e purpurta të diellit, dhe valët që na i jep lumi, janë fjala e dalë nga shpirti i trazuar i poetit. Fjala që s’resht kurrë së krijuari.
Krijimtaria e Ndue Sinishtaj është e gjërë dhe e thellë. Në peisazhin poetik të poezisë së Sinishtës, nuk ka vetëm dheun e Kshevës, apo kaos vuajtjesh e dhimbjesh, por ka të përpjeta me vetima dhe bubullima. Qielli i poetit vazhdon të jetë i ndyshueshëm si në eposet e legjendave në botën e pafund të krijimit, loti i zemrës është i përvuajturi, një i afërm hero i dramave njerëzore. Liria e njeriut nis me punën. Ndërsa drama e njeriut nis me dashurinë, dhimbjen dhe trishtimin. Bërja e një libri dhe botimi i tij, është hapësirë e lirisë, dhe art i të qënit.
Realitetet e këqija, kaosi dhe anarkia, janë muzat ku merr të korrat shkrimtari dhe poeti.
