
Por, në këtë drejtim angazhimi i individëve apo intelektualëve të guximshëm për të ndryshuar gjendjen në favor të popullit përkatës, mbetet aspirata e vazhdueshme në fusha të ndryshme shoqërore. Në këtë aspekt ekziston një përvojë e mjaftueshme ku çështje të veçantë paraqesin pjesëtarët e popullit të ndarë, ku shqiptarët në Mal të Zi paraqesin rast për hulumtim, sepse kemi të bëjmë me të drejta të kufizuara, si më parë në monizëm edhe tash në pluralizëm që është veprim flagrant kundër barazisë qytetare e nacionale në një mjedis multinacional.
Bashkimi garanton suksesin
Duke marrë parasysh se ekziston një numër i madh i subjekteve politike të shqiptarëve, e me këtë edhe sindromi i liderizmit, mungon koordinimi dhe bashkëpunimi që është i nevojshëm për të ndryshuar gjendjen ekzistuese të shqiptarëve në nivel lokal e atë qendror në Mal të Zi.
Por, kur ekziston dëshira dhe qëllimi për bashkëpunim, nuk ka dilemë se suksesi nuk do të mungojë, ku si model duhet të na shërbejë Tuzi. Fjala është për zgjedhjet lokale të mbajtura me 3 mars 2019, për të parën herë për komunën e pavarur të Tuzit, për Malësinë. Të vetëdijshëm se vetëm të bashkuar mund të arrijnë rezultatin e dëshiruar, duke sfiduar kundërshtarët politikë, pjesëmarrës në këto zgjedhje. Dhe duke u nisur nga mision i tillë u formua FORUMI SHQIPTAR në kuadër të cilit ishin subjektet politike shqiptare që veprojnë në Malësi(Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve).Ky bashkim arriti fitore në zgjedhjet lokale, kur u mbështet nga një këshilltar i Demokratëve, ku formoi shumicën për pushtetin lokal dhe zgjodhi kryetarin.
Përfundimisht zgjedhjet lokale në Tuz më 3 mars 2019 dhe fitorja e Forumit Shqiptar, duhet të jetë një sinjal i mjaftueshëm për të gjithë ata që skenën politike e shohin si mundësi avancimi të çështjes shqiptare në Mal të Zi, e jo të interesave dhe të përfitimeve personale. Dhe funksioni i komunës së Tuzit për këto dy vite, dëshmoi besueshmërinë e ekzistimit të saj në favor të qytetarëve të Malësisë, duke dëshmuar se edhe shqiptarët dinë të qeverisin si kudo në botën demokratike. Kemi të bëjmë me veprimin praktik të autonomisë lokale sipas standardeve evropiane, duke eliminuar qasjen unitariste, e cila ka qenë pengesë e vazhdueshme në të kaluarën në zhvillimin autonom të këtij mjedisi.
Animoziteti dhe ambiciet lideriste
Ndonëse kanë ekzistuar zëra se para zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 30 gusht 2020, shqiptarët do të koordinohen me mundësi reale për të dalë me një listë të përbashkët zgjedhore, madje në këtë aspekt ka pasur angazhime si nga Tirana ashtu edhe Prishtina e nga diaspora jonë në SHBA, koalicioni nuk u realizua. Dhe shkaku qëndronte në ambiciet lideriste për të qenë bartës i listës, duke mos respektuar realitetin politik brenda vetë skenës politike të shqiptarëve në Mal të Zi. Nëse këtij konstatimi i shtojmë edhe animozitetin e dëshmuar në mes udhëheqësve të partive politike, del qartë se nuk ka pasur mundësi të realizohet një koalicion i dëshiruar, që do të eliminonte ndarjet ndërmjet elektoratit votues shqiptar.
Megjithatë, dy listat e shqiptarëve fituan nga një deputet: Lista Shqiptare 6.488 vota apo 1.58% dhe Koalicioni shqiptar- 4.675 vota apo 1.14%, që gjithsej përbëjnë 11.163 vota, duke dëshmuar se elektorati shqiptar mbështet ende partitë politike shqiptare, pavarësisht divergjencave ekzistuese.
Platforma e përbashkët në favor të parimeve
Në të ardhmen duhet gjetur mundësi për bashkëpunim, ku fillimisht duhet bërë përpjekje për të përgatitur një platformë të pranueshme për shqiptarët, që duhet të jetë e obliguese për shqiptarët, sidomos për zgjedhjet lokale e ato qendrore. Vetëm me një veprim të tillë do të ishim seriozë para elektoratit shqiptar, por edhe para të tjerëve, duke dëshmuar se çështja shqiptare është dhe mbetet parësore, për avancimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në Malit të Zi, si mjedis multinacional e multikulturor.
Një platformë e tillë do të eliminonte interesat personale të individëve apo të klaneve të ndryshme të cilat kanë mbështetur pushtetin (DPS-in) për interesa të tyre, duke eliminuar bashkëpunimin brenda subjekteve politike shqiptare. Rasti i Ulqinit në vitin 2018, pas zgjedhjeve lokale është shembull tipik i këtij veprimi, ku në pushtet u instalua DPS-i edhe pse ishte mundësia që partitë shqiptare të udhëhiqnin me komunën e Ulqinit.
Nuk ka dilemë se në moskoordinimi i subjekteve politike të shqiptarëve ka ndikuar prania e sindromit të liderizmit dhe të animozitetit të udhëheqësve të subjekteve politike, duke ndikuar në dobësimin e kohezionit të elektorat shqiptar, që është duke u dëshmuar në zgjedhjet lokale e parlamentare. Pikërisht një qëndrim i tillë vazhdon të jetë shkak që shqiptarët të mbesin gjithnjë qytetarë me të drejta të kufizuara, ku partitë politike, përkatësisht përfaqësuesit e tyre mbajnë përgjegjësinë kryesore.
Identiteti me status të dyfishtë
Me këtë rast duhet rikujtuar të gjithë se shqiptarët në Mal të Zi janë me status të dyfishtë: janë pjesë e pandarë e popullit shqiptar, ndërsa në aspektin qytetar janë shtetas të Malit të Zi. Vetëm ata të cilët nuk kanë njohuri elementare kanë dilema në këtë aspekt, duke krijuar konfuzion në opinion, ku një konstatim i tillë vlen sidomos për ata të cilët janë të luhatshëm në aspektin e identitetit kombëtar, që është pasojë e monizmit edhe në kohën tonë.
Vetëm në kohën e pluralizmit, si rezultat i rrethanave të tjera shoqërore, vetëm shqiptarët që janë anëtarë apo mbështetës të partive nacionale e kanë të qartë togfjalëshin shteti amë, duke përmendur Shqipërinë, ndërsa ata në partitë qytetare(malazeze) e quajnë shteti fqinjë, dëshmi që nuk meriton koment! Një e dhënë e tillë është dëshmi e mjaftueshme për të kuptuar se identiteti kombëtar, mund të ruhet vetëm në partitë nacionale.
Përfundimisht nuk ka dilemë së çështja e tillë mbetet e hapur, sepse identiteti kombëtar nuk është pronë e individit apo subjekteve të ndryshme qofshin ata edhe politike, por mbetet vetëdije dhe ndërgjegje mbarëkombëtare tash dhe në të ardhmen.