
Por, ja se të gjitha shpresat gjejnë mbështetje në pikën (e madhe) përfundimtare. Kur do të (ç)liroj veten dhe ju nga kjo rrugë e mundimshme, nga ky tunel që, asgjëkund, nuk kallëzon fije (rreze) drite e shprese se do të mbarojë, do të përfundojë, përfundimisht! Nëse është për t’i besuar asaj që predikojnë shumica, jo të gjithë (larg saj!), se shkrimtarët nga pak janë edhe maniakë! Me shkrimet e tyre, në të shumtën e herës, mundojnë veten dhe lexuesit eventualë. Me përfundimin e këtij shkrimi, do të shpëtoi lexuesi eventual, në një anë, e, në anën tjetër, do të shpëtoj edhe unë vetë. Një e rame, dy të vrame, predikon një ekspresion (proverb) yni i lashtë, nga thesari i pasur popullor! Ngul këmbë e denjoj t’i shkoj deri në fund, durimit të dyanshëm.
Lexues mik e qëllimmirë, sigurisht, ndoshta më nguti pakëz, “kush ngutet përmutet” (thotë një ekspresion tjetër yni, (kur është vetëm yni), i urtë dhe i mençur në porosinë e tij, dhe, unë, si çdo pjesëtar i kombit shqiptar, detyrimisht pajtohem me porosinë e tij), por, në anën tjetër, kurrsesi, nuk honeps një fat të tillë, të dal para jush dosido. E ndiej për obligim që tekstin në vijim ta riprodhoj ashtu siç e kam shkruar, në fazën përgatitore, pa ia ndërruar, as shtuar, as munguar as (të vetmen) një pikë, as presje. Këtë e bëj në mbështetje të sigurt të së mençurës porosi të shkrimtarit erudit e të njohur kroat Mirosllav Kërlezha (Miroslav Krleža), kur thotë: “Rrëmuja në fjali është pasojë e rrëmujës në mendime, e, rrëmuja e mendimeve është pasojë e rrëmujës në kokë, e, rrëmuja në kokë është pasojë e rrëmujës te njeriu, e, rrëmuja në njeri është pasojë e rrëmujës së mjedisit dhe e gjendjes së atij mjedisi letrar”!. (Në origjinal, në gjuhën kroate, në gjuhën, kërlezhiane*: “Nered u rečenicama je posljedica nereda u mislima, a nered u mislima je posljedica nereda u glavi, a nered u glavi je posljedica nereda u čovjeku, a nered u čovjeku je posljedica nereda u sredini i u stanju te (književne) sredine“). E, gjendje më kaotike për mbarë njerëzimin nuk ka ku shkon, sesa është kjo, e gjithë këtyre ditëve të skëterrshme të Pande(h)misë!
*(Si identifikim i gjuhëve më emra të shquar shkrimtarësh kombëtarë: gjuhë shekspiriane; te anglezët; gjuhë e Molerit, te francezët; gjuhë tolstojane , te rusët; gjuhë dantiane, te italianët; gjuhë niçeane, te gjermanët; gjuhë e noliane, te shqiptarët… e, kështu më radhë!).
Pa eskivazhe, ekuivokë, pa ngreh e mos këput!
Ja teksti im, në vijim. Nuk jam në gjendje të lakmueshme fizike kurrfare, shëndetësore aq më pak, të rrugëtoj me Ju. Rruga e mbarë ju qoftë, pa mua. Kabahatin për këtë aventurë e ka Pande(h)mia, jo unë!
I tmerrshëm ishte fillimi…
(ditë apokalipsi ishin, ato ditë!)
Ditët e para të Pandemisë, kur akoma ende nuk ia dinim emrin me tamam, ishin posaçërisht të vështira. Të veshura me shoka të trasha zhguni të murrmë. Ishin ato ditët e para të muajit të mbrapshtë mars, të vitit të mbrapshtë 2020, në kuptimin e parë të fjalës. Në fillim, jo krejt bota, por shumë rajone, pjesë të mëdha të botës, u gjendën ballë përballë me të panjohurën. Dinosaurin e zi, që shumë shpejt do të shndërrohet në një apokalips të frikshëm. Pikësëpari, i tërë opinioni i gjerë publik botëror, u preokupua, u angazhua për ta ditur e për ta njohur vendlindjen e këtij përbindëshi. Fill pasi opinioni mësoi emrin e qytetit kinez Wuhan, filluan kalkulimet ogurzeza, që, realisht, më shumë ngjanin në trillime fantastike dhe imagjinatave të njerëzve të humbur në mjegull e të fantaksur. Ky virus, aq i panjohur dhe aq enigmatik, i egër dhe i pashpirt, është pjellë e mendjes së ligë dhe të sëmurë të të ndjerëve, të ligjve kriminelëve marroqë e destruktivë, të cilët e prodhuan këtë “ilaç”, për të “shëruar” (lexo: likuiduar) një pjesë të mirë të njerëzimit. Pastaj, gjoja se, nga pakujdesia, njërit nga punëtorët e laboratorit akoma të panjohur (inconnu), i shpëton nga dora, a i plas në dorë, provëza (epruveta) a ndonjë enë tjetër më e sofistikuar, ku ishte konservuar ky “ilaç” vdekjeprurës. Ata që mendonin e besonin kështu, argumentin e tyre e mbështetnin fort në besimin naiv se prodhuesit, atje, në atë qytetin me emrin Wuhan, në zemrën e Kinës shumëmilionëshe, prodhimin e tyre e distribuonin në sasi e doza të caktuara. Diku më shumë e diku më pak, në rajone të botës. Rusia, për shembull, fqinji më i afërt i Kinës, nuk ishte prekur akoma ende nga ky virus, vrastar i pamëshirshëm e katil, që nuk po i gjendej ilaçi askund në botë. Një mik imi, me tamam mik, kur është burrë fisnik e artist i mirë, nga Prishtina, i kishte zënë besë një teksti trillan të fejsbukut, i kishte besuar parashikimet dhe parallogaritë ogurzeza të atyre “mirë të informuarëve”, se koronavirusi, botën do ta lehtësojë, do ta dëlirë e do ta pastrojë nga dy miliardë banorë të saj, nga shtatë miliardë a sa ka sot saktësisht. Dy miliardë banorë më pak në Planet, nuk janë pak, llogarite!
Ndërkohë, vërshimi i tërbuar i koronavirusit, njerëzimin e herri (e dëliri) për dy milionë e sipër. Nëse nget (ecën a vrapon) me këtë ritëm nxitimi, nuk është e largët dita kur, njëmend, do të mbërrihet shifra e kobshme prej dy miliardëve, shifër kjo monstruoze dhe e frikshme, të cilën e kishte gjetur diku, në hallakamë, në arrati (ikje) e sipër, miku (im) nga Prishtina.
*
Në atë mjegullim, çrregullim e trishtim, kur u dha urdhër i prerë (aga lart, si fermanët katilë të sulltanëve të Mbretërisë mesjetare otomane!), prej kushedi kujt dhe kushedi nga (mbase i vonuar), që krejt mileti, i madh e i vogël, të mbyllet në shtëpi dhe, nga andej, pas barrikadave, të japë kontributin e vet, çdo individ, pra, në luftën e përgjakshme kundër këtij armiku të panjohur, që, me aq zell e ashpërsi, aq pamëshirshëm, tund shaminë e kërcënimit nga të gjitha anët. E asaj “epoke”, sigurisht edhe nga droja (tuta, deri në panik!), e birit tim Urim, me shumë emra ledhatues (Mic, Mitrush, Mitke, Barbullush, Miçun, Mitrushanec, Michel…), me dhunë i ndarë, i shkëputur nga puna e përditshme, i mbyllur brenda bedenave të katër mureve të kullës së apartamentit të vet, nuk lë gjë pa lexuar (në gjuhën shqipe, në serbokroatisht, në anglisht e, posaçërisht, në frëngjisht, (në gjuhën e tij të dytë “amtare”), prandaj, me të drejtë, në gjirin tonë të ngushtë familjar, konsiderohej si epidemiolog të ishte, çmohej si personi më së miri, midis nesh, i informuar mbi këtë virus më shumë x-a, por që shoqërohej me një ndajshtim të lartë Kuroravirus ose Coronavirus, sikurse u shpall dhe u emërtua në botën mbarë. Një ditë, Mici (im bir), më mori në telefon dhe, natyrisht (bien évidement), shumë i shqetësuar, më thotë: nëse të prek koronavirusi, dije Bajr(r)ush (ai që bart rrush, jo unë!) se vetëm katër ditë jetë i kë. Kështu po shkruan në fejsbuk dhe ky parashikim është për të gjithë ata që vuajnë nga sëmundje të ndryshme të ashtuquajtura sëmundje shoqëruese. Këtë kumt të zi evlati im ma jepte duke pasur parasysh se unë vuaja nga një mal i madh dhe i dendur sëmundjesh, të ashtuquajtura, shoqëruese, ndër të cilat më e moçmja, më e rënda, ishte sëmundja e sheqerit (diabeti), që me shoqëron këtu e dyzet vjet të shkuara. I kësaj periudhe, “epoke” fillestare, gjithsesi të errët dhe me shumë të panjohura, në lidhje me këtë virus më kurorë, është edhe urimi i miku im i shtrenjtë nga Prishtina, kur në lidhje telefonike me thotë: shyqyr që paske dalë pozitiv, në test, e, për të tjerat, bëjmë kollaj! (Gjithnjë duke u nisur nga parimi i njohur se, gjithçka pozitive është e mirë, kur është pozitive, dhe se gjithçka e keqe, është negative!)
Humor i zi: Dola pozitiv në testin koronavirusit. Kjo është e vetmja gjë pozitive me të cilën e përmbyll vitin 2020! (Dialog, i përnjëmendtë dhe i saktë, midis dy të rinjve shqiptarë në Mërgatë!)
