Dukuritë neofashiste në Mal të Zi, dëshmi e një mjedisi të pakonsoliduar

Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 30 gusht 2020, në Mal të Zi kemi paraqitje të dukurive të neofashizmit, të inspiruara nga ideologjia serbomadhe të përfaqësuara nga partitë serbe, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me mjedis të pakonsoliduar, që të përkujton vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, përkatësisht fillimin e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë me pasoja shoqërore edhe pas tridhjetë viteve pluralizëm

Nail Draga

Rasti i nismës nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit për të marrë masa ndëshkuese ndaj një mësimdhënëse në një shkollë fillore në Cetinë, se nuk i ka ndaluar nxënësit të mos shkojnë në një takim përkujtimor me rastin e 9 Majit – Ditës së fitorës mbi fashizmin, që është organizuar nga Organizata e Luftëtarëve të LNÇ-së dhe mbeshtetur nga qytetarë të ndryshëm, ka shkaktuar reagime nga subjekte të ndryshme politike në Mal të Zi. Nuk ka si të jetë ndryshe, sepse pothuaj gjatë tërë vitit 2020, para e pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtuara më 30 gusht, dukuritë neofashiste me parulla e ikonografi ishin bërë pjesë e retorikës në skenën politike në Mal të Zi. Madje të tillët qëllim kanë të rehabilitojnë kriminelët e bashkëpunëtorët e fashizmit, duke zhvlerësuar luftën antifashiste si vlerë çlirimtare e evropiane.
Me rastin e rotacionit të pushtetit në Mal të Zi, opozita aktuale e përfaqësuar nga PDS-ja është duke dëshmuar se janë mbrojtësit e antifashizmit, përkatësisht të shtetësisë dhe të kombit malazez, sepse ai është i kërcënuar nga ideologjia serbomadhe, duke akuzuar pushtetin aktual se qëndron pas paraqitjeve të tilla neofashiste.
Opinioni publik është i njohur se dukuria e tillë më së shpeshti po shfaqet në mjediset ku jetojnë popujt pakicë, ku si rast tipik kemi boshnjakët në qytetin e Plevlës, ku para një muaji në qytet kishte grumbullime të qytetarëve serb, të cilët defiluan me parulla e këngë shoviniste kundër boshnjakëve, ku si shkas ishte emërimi i kryeshefit boshnjak të policisë në këtë qytet, i cili sipas tyre është person i papërshtashëm (!?).

Arsimi si vaksinë kundër neofashizmit
Ndonëse po bëhën dy vite që jemi të ballafaquar me pandeminë Covid-19, në Mal të Zi dukuritë e neofashizmit nuk janë të panjohura, por janë bërë pothuaj të zakonshme. Nuk ka si të jetë ndryshe, sepse kemi të bëjmë me një mjedis heterogjen në aspektin nacional e të ndarë politikisht, që ka marrë përmasa shqetësuese edhe pas ndryshimit demokratik të pushtetit më 30 gusht 2020.
Pasi në këtë aspekt nuk kemi ndonjë hulumtim të opinionit të kohës së fundit, me këtë rast po cekim hulumtimin e realizuar nga subjekti Joqeveritar Qendra për edukim qytetar (CGO) të para një viti, që janë të dhëna me interes edhe për momentin për të kuptuar realitetin shoqëror në Mal të Zi, në lidhje me dukuritë e neofashizmit në këtë mjedis.
Kështu sipas të dhënave të publikuara del se 77.5% e studentëve nuk dinë të numërojnë tre personalitete antifashiste nga Mali i Zi, vetëm 43.6% dinë të numërojnë tre shtete të Lëvizjës Antifashiste, ndërsa 23% nga ata nuk dinë se pse festohet 13 Korriku në Mal të Zi (!?).
Të dhënat e tilla janë dëshmi e nivelit dhe zhvlerësimit të arsimit që është bërë monopol i partisë në pushtet për tridhjetë vite, duke e trajtuar këtë veprimtari shoqërore pa vlerën e merituar me kuadro e drejtues partiak. Duke marrë parasysh këtë strukturë qeverisëse te ata nuk ka ekzistuar shqetësimi se me çfarë programesh mësojnë nxënësit dhe kush i inspekton ato për të përfituar njohuri optimale për t’u ballafaquar me të shkuarën jo vetëm nga Lufta e Dytë Botërore.
Andaj, nuk duhet të na befasojnë paraqitja e dukurive neofashiste si në Plevle, Tivar, Beranë e gjetiu në Mal të Zi. Pa dilemë këta të rinj nuk janë vetëm prodhim i mjedisit arsimor, apo mediatik të infektuar dhe të skenës politike nga vitet 90-ta të shekullit të kaluar, por edhe të një trashëgemie nga koha e monizmit.

Si do të përgjigjeshin nxënësit shqiptarë?
Në lidhje me këtë çështje do të ishte me interes të realizohej një hulumtim i tillë edhe me nxënësit shqiptarë në shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Pa pasur ndonjë paragjykim në këtë aspekt, dyshoj se do të kemi ndonjë rezultat të një niveli të kënaqshëm, sepse kemi programe unike arsimore e me këtë edhe përgjigjët pothuaj do të jenë identike.
Por, po të bëhëj hulumtimi për ngjarje nga historia shqiptare, dyshoj se do të kishim përgjigje pozitive, sepse nuk kanë nga të mësojnë për çështje të tilla, sepse kemi të bëjmë me program mësimor e tekste shkollore të imponuara, ku është e përjashtuar historia e popullit shqiptar.
Duke marrë parasysh se fitimtarët shkruajnë historinë, duhet cekur se historia nuk fillon me Luftën e Dytë Botërore, dhe me vendosjen e pushtetit të komunistëve, ku parësore ishte qasja ideologjike që ishte praktikë në të gjitha vendet e ish-kampit socialist.
Por, me këtë rast duhet të cekim se vazhdojmë të kemi koncepte të kundërta të trajtimit të ngjarjeve historike në mes të shqiptarëve e malazezëve, sepse rrethimin e Shkodrës në Luftërat Ballkanike, malazezët e mësojnë si çlirimtare, ndërsa për ne ajo është luftë pushtuese për zgjerim territorial të Malit të Zi. Andaj është kërkesë e kohës rishkrimi i historisë, duke eliminuar qasjen ideologjike dhe konceptet hegjemoniste e ekspansioniste.

Në tekstet shkollore duhet të mësohet e vërteta
Nëse në librat e historisë duhet mësuar për kohën me të re në Mal të Zi, sidomos për ngjarjet e vitëve 1988 e më pas që kanë të bëjnë me të ashtuquajturin revolucion antibyrokratik, si dhe luftën në Dubrovnik, ku kanë marrë pjesë edhe malazezët, atëherë duhet cekur udhëheqësit e Malit të Zi të kohës, që janë ende në pozita të tilla. Nëse atëherë ishin në mbeshtetje të politikës serbomadhe, ndërsa nga viti 1997, u distancuan nga ajo, faktët janë të arkivuara. Kemi të bëjmë me ngjarje që i kemi përjetuar të gjithë si qytetarë në këtë vend. Çështjet e tilla duhet të prezantohen ashtu siç kanë qenë, me të gjithë kompleksitetin e tyre, sepse nxënësit duhet të dinë të vërtetën, e jo të kamufluar sipas interesit të politikës si në kohën e monizmit (!).
Andaj, dukuritë e neofashizmit në Mal të Zi nuk janë befasi, sepse „çka ke mbjellur do të korrësh“, ku pushteti malazez, ishte pjesë e të kaluarës jo të lavdishme në të shkuarën e afërt. Këtu qendron problemi në sistemin arsimor, sepse është punuar pak apo aspak në këtë drejtim, kur është në pyetje edukimi dhe arsimimi i brezit të ri. Nëse shkolla nuk ka bërë detyrën e vet, në rastin konkret te popullsia ortodokse atë e ka kryer KOS-i. Sepse, ky subjekt vazhdon më tepër të merret me politikë se sa më çështje teologjike, andaj nuk është befasi mbeshtetja nga qytetarët ortodoks në Mal të Zi, duke dëshmuar forcën e vet jo vetëm teologjike por edhe politike kundër ish pushtetit, që u dëshmua edhe në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 30 gusht 2020.

Përfundim
Dukuritë fashistoide në Mal të Zi janë prodhim i ambientit neofashist që është i pranishëm në këtë mjedis, si rezultat i veprimit të partive politike serbe, që tani janë pjesë e pushtetit e në veçanti të Kishës Ortodokse Serbe, e cila vazhdon të veprojë si shtet brenda shtetIT, sipas ideologjisë serbomadhe.
Por, në këtë aspekt nuk mund të amnistohet pushteti tridhjetëvjeçar nga ana e PDS-së, të cilët kësaj çështjeje nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur, sepse nuk janë ballafaquar me të shkuarën, duke dëshmuar drejtësi e barazi që ka ndikuar në forcimin e neofashizmit. Gjatë kësaj kohe ata kanë qenë të preokupuar për përfitime personale të klaneve të ndryshme, duke e trajtuar shtetin si pronë private që në mënyrë perfide e ka shfrytëzuar KOS-i për të realizuar objektivat e saj jo vetëm klerikale.
Nuk ka dilemë se askush nuk mund të jetë i qetë dhe indiferent në Mal të Zi me paraqitjen e neofashizmit. Ndonëse është menduar se një dukuri e tillë i takon të kaluarës, del se jemi mashtruar, sepse dukuritë neofashiste në praktikë na demantojnë në vazhdimësi, që është në kundërshtim me konceptin e antifashizmit, barazisë qytetare e nacionale të një mjedisi multinacional dhe multikulturor.

Të fundit

më të lexuarat