
Libri “Pakica shqiptare në Mal të Zi – midis bashkëpunimit dhe nënshtrimit” i autorit Allmir Çausheviq është një studim gjithëpërfshirës dhe një pasqyrë mbi veprimtarinë e partive politike shqiptare në Malin e Zi dhe të përfaqësuesve (deputetëve) të tyre në Kuvendin e Malit të Zi, në harkun kohor midis viteve 1998-2016, që përbën një periudhë të rëndësishme të shumëpartiakësisë te ne.
Për të mos krijuar ndonjë keqkuptim, sidomos tek ata që nuk e kanë lexuar librin, për faktin se kur themi “pakica shqiptare”, kjo ka një kuptim të gjerë, titulli i tij do të mund të ishte “Partitë politike shqiptare në Mal të Zi – midis bashkëpunimit dhe nënshtrimit”.
Ky libër nuk duhet kuptuar e as trajtuar si një kritikë ndaj partive politike shqiptare dhe përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Malit të Zi. Përkundrazi, studimi iu shërben vetë partive politike shqiptare për të përmirësuar punën e tyre në të ardhmen. Në të vërtetë, të dhënat, pra rezultatet e studimit dhe përfundimet e tij janë një kambanë për partitë politike shqiptare, për nevojën e rishikimit të politikës së tyre dhe ndryshimin e strategjisë së veprimtarisë së tyre politike
Përzgjedhja e objektit të studimit (temës) është me rëndësi të veçantë, sidomos për vetë shqiptarët në Malin e Zi, duke qenë se deri tani nuk kemi pasur ndonjë studim të thelluar mbi këtë çështje dhe problematikat që ngërthen ajo. Për këtë arsye, duhet vlerësuar autorin për guximin për t’u përballur me një temë sa të rëndësishme, po aq edhe të ndjeshme. Kur e them këtë kam parasysh faktin se duke qenë vetë pjesëtar i pakicës shqiptare, domethënë duke i njohur edhe personalisht aktorët politikë për të cilët shkruan, ekziston rreziku i qasjes subjektive, ndryshe nga një autor joshqiptar, për shembull. Por në anën tjetër, kjo ka edhe favorin, sepse i njeh më mirë rrethanat dhe rrjedhat politike, pasi që edhe vetë në mënyrë të tërthortë i ka ndjekur proceset politike të shqiptarëve në Malin e Zi. Megjithatë, vlerësoj se autori i ka tejkaluar me sukses këto vështirësi paraprake.
Studimi është realizuar mbi bazën e metodologjisë së konsoliduar shkencore dhe i plotëson të gjitha kërkesat e një punimi shkencor serioz. Ai ofron një qasje teorike solide mbi bazën e literaturës ekzistuese në fushën e të drejtave të pakicave, përfaqësimit politik, me theks të posaçëm në përfaqësimin e pakicave, proceseve politike në vendet e ish-Jugosllavisë, sidomos në Mal të Zi etj.
Nisur nga pyetja kërkimore se “Si reflektohet veprimtaria politike e partive nacionale shqiptare nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në sistemin politik malazez, si pjesë e koalicionit të shumicës parlamentare që nga viti 1998?”, autori arrin të provojë dhe të argumentojë me të dhëna faktike hipotezën duke arritur në përfundimin se “efektiviteti i partive nacionale shqiptare është shumë i ulët sa i përket ndikimit në procesin e vendimmarrjes, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që lidhen drejtpërdrejt ose indirekt me komunitetin e pakicës shqiptare”.
Studimi bazohet në tre rrafshe kryesore:
- pjesëmarrjen, gjegjësisht suksesin (rezultatet) e partive shqiptare në proceset zgjedhore në Mal të Zi;
- aktivitetetin, gjegjësisht efektivitetin e deputetëve të partive politike shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi;
- nivelin e kënaqësisë së vetë shqiptarëve me veprimtarinë e partive politike shqiptare.
Autori ka përdorur të dhëna sasiore dhe cilësore, të siguruara në arkivat e partive politike, Kuvendin e Malit të Zi, nga intervistat me deputetët shqiptarë, nga anketimi i opinionit publik shqiptar etj. Analiza e këtyre të dhënave e ndihmon autorin në interpretimin sa më me objektivitet, ofron mundësi për analiza krahasuese, duke nxjerrë përfundime mbi bazën e fakteve.
Në këtë drejtim do të nënvizoj origjinalitetin e punimit dhe faktin se punimi është fryt i punës kërkimore individuale të autorit. Kur e them këtë, kam parasysh në radhë të parë faktin se për qëllime të studimit, autori ka realizuar anketimin me 350 persona. Kjo përbën një vështirësi tjetër, sepse autori nuk ka mundur të bazohet në ndonjë anketim paraprak lidhur me këtë çështje.
Si periudhë studimi janë marrë me qëllim vitet 1998-2016, pasi që kjo lidhet me kohën kur partitë politike shqiptare kanë qenë pjesë e pushtetit. Brenda kësaj periudhe, mund të dallojmë dy faza: 1998-2006 (që përkon me kohën e ndarjes së Partisë Demokratike të Socialistëve e deri në shpalljen e Pavarësisë së Malit të Zi) dhe 2006-2016 (periudha pas pavarësisë). Pavarësisht kësaj, autori nuk vëren ndonjë dallim apo përmirësim sa i përket politikës së pushtetit ndaj partive politike shqiptare dhe realizimit të kërkesave të tyre.
Me rëndësi janë përfundimet në të cilat ka arritur autori se përkundër bashkëpunimit me pushtetin (Partinë Demokratike të Socialistëve), partitë shqiptare dhe shqiptarët në përgjithësi nuk kanë pasur ndonjë përfitim dhe se pozita e tyre politike e socio-ekonomike mbetet pothuajse e njëjtë. Ndonëse kanë qenë pjesë e pushtetit, partitë shqiptare nuk kanë arritur që çështjet e tyre t’i vendosin në agjendën politike.
Përpos tjerash, punimi lejon që të bëhen edhe analiza krahasuese me periudhën kur shqiptarët nuk kanë qenë (janë) pjesë e pushtetit apo shumicës parlamentare, siç është rasti tani.
Ky libër paraqet një kontribut në studimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Malin e Zi. Studimi ka rëndësi për pasurimin e literaturës që trajton në mënyrë shkencore përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Malit të Zi. Rezultatet e tij do t’u shërbejnë edhe studiuesve dhe hulumtuesve të tjerë që do të trajtojnë këtë problematikë.
Ky libër nuk duhet kuptuar e as trajtuar si një kritikë ndaj partive politike shqiptare dhe përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Malit të Zi. Përkundrazi, studimi iu shërben vetë partive politike shqiptare për të përmirësuar punën e tyre në të ardhmen. Në të vërtetë, të dhënat, pra rezultatet e studimit dhe përfundimet e tij janë një kambanë për partitë politike shqiptare, për nevojën e rishikimit të politikës së tyre dhe ndryshimin e strategjisë së veprimtarisë së tyre politike. Ai është një ftesë për debat politik.
Jam i vetëdijshëm se ky libër nuk do t’iu pëlqejë të gjithëve, sidomos disa aktorëve politikë shqiptarë, por kjo nuk duhet as ta mërzisë e as brejë ndërgjegjen e autorit, sepse detyra e një hulumtuesi është ndriçimi i së vërtetës me të dhëna faktike. Dhe në rastin konkret, mendoj se faktet janë kokëfortë, i pëlqen apo jo dikujt kjo.
(Vështrimi është lexuar në përurimin e librit në Hotelin “Plaza” – Ulqin, më 11 prill 2021)
