Arsimi si mision e jo profesion i rastit

Në saje të rrethanave të reja shoqërore në pluralizëm në vendet e ish-kampit socialist në Evropën Juglindore është përshtypje e përgjithshme se arsimi ka humbur vlerën që e kishte më herët, sepse profesioni si mision, tash me ndonjë përjashtim lirisht mund të cilësohet si profesion i rastit, me pasoja të mëdha shoqërore. Në këtë aspekt përjashtim nuk bëjnë as shqiptarët në Mal të Zi të cilët në shkollat me mësim në gjuhën shqipe mësojnë me programe dhe tekste mësimore të imponuara që janë kundër barazisë arsimore e kombëtare të shqiptarëve në këtë mjedis sipas standardeve ndërkombëtare

Nail Draga

Nëse më herët kemi pasur rast të dëgjojmë për krizat ekonomike, e më pas edhe ato politike në pluralizëm vite me radhë është e pranishme kriza morale. Kemi të bëjmë më një krizë të veçantë e cila në pluralizëm është paraqitur me shpejtësi, sepse kanë rënë maskat e kohës së monizmit, që ishte dukuri e imponuar shoqërore.
Në këtë përmasë nuk është evituar as arsimi, sepse të gjithë jemi dëshmitarë së autoriteti i mësimdhënësit ka rënë në nivelin më të ulët shoqëror. Duke marrë parasysh faktin se në të kaluarën në arsim janë drejtuar nxënës dhe studentë të dalluar, në pluralizëm me ndonjë përjashtim të rastit janë orientuar studentët më të dobët. Po ashtu duhet cekur së kësaj dukurie i ka kontribuar edhe politizimi i shkollave që ka marrë përmasa shqetësuese, si me rastin e punësimit të mësimdhënësve por edhe në zgjedhjen e drejtorëve të shkollave duke vendosur kuadrot partiake pa marrë parasysh vlerat profesionale dhe autoritetin shoqëror në mjedisin përkatës.

Indiferentizmi si shprehi
Në rrethana të tilla shoqërore, me përjashtim të rasteve në këtë aspekt mësimdhënësit nuk kanë treguar ndonjë disponim apo angazhim konkret, por në heshtje kanë vazhduar të realizojnë programet mësimore. Kemi të bëjmë pikërisht me programe mësimore e tekste shkollore të imponuara, ku në hartimin e tyre nuk kanë marrë pjesë mësimdhënësit, me vërejtjet dhe sygjerimet e tyre, aq më tepër kur kemi të bëjmë me tekste shkollore të përkthyera në gjuhën shqipe. Në këtë aspekt në saje të rrethanave shoqërore tek arsimtarët të cilët janë aktiv në procesin mësimor ende vazhdon indiferentizmi si shprehi nga koha e monizmit, përkatësisht mentaliteti i të nënshtruarit.
Pikërisht, nga një situatë e tillë deri më tash nuk kemi pasur rast të dëgjojmë apo të lexojmë ndonjë reagim në këtë drejtim, si nga individë apo nga aktivistë profesional, për të njoftuar opinionin e gjerë e sidomos prindërit e nxënësve të cilëve u japin mësim. Mësimdhënësi bashkëkohor përveç se realizon programin mësimor, ai duhet të jetë edhe kërkues, duke mos qenë monoton, duke ofruar përmbajtje motivuese dhe inspiruese për nxënësit.
Në këtë aspekt, mësmidhënësi të nxënësi duhet të zhvillojë qasjen kritike duke nxitur kulturën e debatit për çështjet përkatëse. Vetëm në këtë formë të zhvillimit të mësimit do të trajtoheshin edhe tema të tjera që kanë të bëjnë me çështjen e identitetit kombëtar të nxënësve që iu është mohuar nga programi mësimor.
Vetëm me një organizim me kuadro të dëshmuar, si staf pedagogjik dhe personel arsimor aktiv në procesin mësimor me përgatitje shkollore, jo vetëm si profesion të rastit, por si mision jetësor, mund të arrihen objektiva pedagogjike në mjedisin përkatës.
Nuk ka dilemë se arsimi mbetet baza e një shoqërie, ndërsa e kundërta do sjellë pasoja, ku në veçanti rrezikohet identiteti kombëtar tek popujt e ndarë në mjediset multinacionale, ku as shqiptarët në Mal të Zi nuk janë përjashtim.

Mosangazhimi i partive politike shqiptare
Në këtë drejtim në pluralizëm me të drejtë është pritur angazhim konkret nga partitë politike të shqiptarëve të cilët kanë qenë pjesë e pushtetit qendror për dy dekada, por fatkeqësisht përveç ndonjë deklarate të rastit nuk kanë treguar interesimin e duhur, andaj ka munguar rezultati konkret. Konkretisht mendoj se kanë pasur mundësi të angazhohen për të arritur bashkëpunim me ministritë analoge në Shqipëri e Kosovë, në lidhje për nënshkrimin, përkatësisht memorandumin e marrëveshjes me Ministrinë e Arsimit në Mal të Zi, por ka munguar angazhimi konkret në këtë drejtim, që nuk mund të arsyetohet me asgjë.
Nuk ka dilemë së një marrëveshje e tillë do të kishte qenë në favor të arsimit në gjuhën shqipe dhe të mbrojtjes së identitetit të shqiptarëve në këtë mjedis, sipas standardeve ndërkombëtare, për të eliminuar pabarazinë arsimore edhe në pluralizëm.

Me heshtje nuk ndryshohet gjendja
Nuk ka dilemë se nëse do të vazhdojmë të jemi të heshtur apo statist vetëm për qëllime personale, gjendja në fushën e arsimit nuk do të ndryshojë. E vetmja mundësi është angazhimi i kuadrove të dëshmuara në nivel kombëtar, enkas për çështje programore dhe tekste shkollore te lëndët e identitetit kombëtar.
Ndonëse pritshmëritë kanë qenë të mëdha, për fat të keq edhe pas tridhjetë viteve në pluralizëm sistemi arsimor nuk ofron barazi për të gjithë qytetarët në arsim-edukim e identitet kombëtar. Rasti i shqiptarëve në Mal të Zi paraqet diskriminim praktik, sepse lëndët e identitetit kombëtar siç janë historia e kultura muzikore, janë me tekste mësimore të autorëve sllav dhe të përkthyera në gjuhën shqipe, dhe si të tilla janë të papranueshme dhe të dëmshme për nxënësit shqiptarë. Andaj është obligim i mësimdhënësve të cilët marrin pjesë aktive në procesin mësimor të reagojnë dhe të angazhohen për të ndryshuar gjendjen ekzistuese.
Çdo angazhim në këtë aspekt duke u bazuar në ligje, kushtetutë e standarde ndërkombëtare është obligim moral dhe kombëtar. Vetëm në këtë mënyrë mund të eliminohet diskriminimi arsimor, duke dëshmuar profesionalizëm dhe guxim, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët!

Të fundit

më të lexuarat