Studim me vlerë mbi gjenealogjinë e fisit Kelmend

Studiuesja dhe hulumtuesja e mirënjohur angleze, Mery Edith Durham, në veprën e vet studiuese me titull “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve”, ndër të tjera shkruan se në kohën kur ajo e ka vizituar Malësinë e Madhe përbëhej nga pesë fise të mëdha dhe ca të vogla shqiptare, ndër të cilët ishte Klementi, i cili nga shqiptarët thirrej shpesh Kelmendi. Kryesisht një fis i madh dhe i gjerë që shtrihet në katër bajrakë: Selcë, Vukël, Bogë dhe Nikç. Thuhet se ata rrjedhin nga katër djemtë e Kilmentit ose të Klimentit, që iku bashkë me ta prej diku “nga Veriu”, rreth trembëdhjetë breza më parë

Shaban Hasangjekaj

Baron Nopça thotë se ata lëvizën nga afërsia e Gucisë në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe u vendosën në Vukël. Ata njihen nga shqiptarët si një fis i vjetër.
Fisi i Kelmendasve nga Veriu i Shqipërisë (Malësia e Madhe), në ekzistencën e vet ndër shekuj është ballafaquar me batica dhe zbatica të shumta, në veçanti në përleshje me pushtues të ndryshëm.
Kështu ata gjatë luftërave austro-ruso-turke (1735-1773), luftuan përkrah Austrisë dhe kur trupat austriake u tërhoqën nga Jugu i Ballkanit, luftëtarët kelmendas që luftonin në Kosovë e në Sanxhak të Pazarit të Ri (Novi Pazarit), nuk gjetën rrugëdalje tjetër, veç të tërhiqeshin në drejtim të Veriut (në krye me vetë udhëheqësin e vetëshpallur Klemenet). Pas pak kohësh gjetën vendin më të përshtatshëm në rajonin e Sremit ,diku mes lumenjve Danub dhe Sava, në perëndim të Beogradit të Serbisë. Aty zunë vend dhe filluan të përhapeshin edhe më tej. Dhe rreth vitit 1749 ose 1755, aty arritën të zënë rrënjë në tri fshatra të tjera. Ruajtën gjuhën, doket dhe besimin e tyre katolik për një kohë të gjatë, deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Bile në këtë vend mund të gjeje shqipfolës deri në vitin 1921.
Në vitin 1782, u publikua artikulli i parë shkencor (akademik) rreth kelmendasve të Sremit në “Ditari hungarez” nga studiuesi dhe tregtari gjermano-hungarez Karl Gottlieb Von Windisch (1725-1793) nga Pressburgu (Bratisllava). Ky artikull vë në dukje diçka tepër interesante rreth Klementasve, dialektin shqiptar që flitet në Sremia (Srem). Kopja origjinale në gjermanisht e artikullit në fjalë është përkthyer edhe në anglisht nga Robert Elsie.
Pas një periudhe të gjatë, rreth 20 vjet luftë për të mbrojtur atdheun nga Turqit, periudhë e mbushur me beteja të përgjakshme, ku udhëheqësi tashmë i njohur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu korri suksese të njëpasnjëshme kundër ushtrive madhështore të Perandorisë Osmane, të cilës iu desh të përdorë gjithë arsenalin e saj superior të kohës dhe si një përbindësh i tërbuar nga thyerjet e njëpasnjëshme në këtë tokë, vërshoi me gjithë tërbimin duke dërguar vetë Sulltan Muradin, ose Amurad II, me ushtrinë e tij madhështore. Pas kësaj beteje të përgjakshme, udhëheqësi i tyre për të shpëtuar jetën e vet, la vendlindjen përgjithmonë.
Shqiptarët gjithmonë luftuan me turqit me trimëri dhe zgjuarsi të veçantë, duke i detyruar ata të tërhiqeshin nga tokat e tyre shumë herë me duar të përgjakura dhe si shpërblim për këtë, pasi vendi ra në duart e turqve, popullsia u dënua dhe u shtyp ashpër, e shumë prej tyre u detyruan të kthehen në besimin muhamedan për të shmangur vuajtjet, thuhet në artikullin në fjalë. Pjesa tjetër e kelmendasve që vendosi t’i qëndrojë besnik fesë katolike, do të duronte vuajtje nga më të ndryshmet për një kohë të gjatë, derisa edhe shpresa se një ditë do të shpëtonin nga kjo trysni, po zbehej. Por, pikërisht në këtë kohë, doli njeriu i përshtatshëm, i cili premtoi se do t’i shpëtonte. Një sipërmarrje e tillë nuk kishte si të dështonte, kur Heroi kishte luftuar krah për krah me Kastriotin e madh, dhe që me vendosmërinë dhe inteligjencën e tij pushtoi zemrat e popullit, që me të drejtë e ngriti figurën e tij shumë lart.
Klimenti, ky ishte emri i patriotit të lartpërmendur, që ia paraqiti planin disa atdhetarëve të tij, dhe së bashku arritën të grumbullonin pothuaj 20.000 trupa shqiptarë të armatosur, të cilët në vitin 1465 i kishte pri me gjithë familje dhe plaçka, drejt maleve më të larta e të pabanuara, diku midis Shqipërisë e Serbisë. Aty ata zunë vend duke ndërtuar shtëpitë e tyre, rrethuan gjithë vendin dhe i siguruan me ndërtimin e pengesave në të gjitha shtigjet. Këtu ata arritën të ndërtonin një “shtet” të vogël e të lirë dhe zgjodhën Klementin si udhëheqësin e tyre, nga ku rrjedh edhe emri “Kelmendi”, i cili u përshtat nga bashkëkombësit e tjerë që nuk lëvizën nga vendlindja, emër që ruhet edhe sot e kësaj dite, shkruan në artikullin e studiuesit Karl Gottlieb Von Windisch.
Turqit në këtë kohë ishin ende të dobët, mbasi s’arritën ta ndalnin këtë mërgim, i çuan fjalë Portës së Lartë, e cila u dërgoi trupa për t’i sulmuar, por Kelmendasit, jo vetëm që luftuan me kurajo dhe nuk u mposhtën, por arritën t’i përballonin me sukses çdo sulmi tjetër që pasoi. Megjithatë, pas betejës tragjike të Mohakës (Mohacs) në vitin 1562, ku Kristianët humbën pothuajse gjithë tokën e Ilirisë, u detyruan nga turqit të paguajnë një taksë vjetore prej 4.000 dukatësh. Në këtë mënyrë jetuan në paqe mes malesh, duke u marrë kryesisht me kullotën e bagëtive derisa arritën të bëheshin fis me emër në krejt zonat përreth. Së fundi, në vitin 1737, bashkë me shumë boshnjakë, bullgarë dhe familje të tjera shqiptare, Patriarku grek i Beogradit, Arsenius Jovanoviç, arriti t’ua mbushë mendjen kelmendasve të emigrojnë në Serbi. Pothuaj 20.000 njerëz u mblodhën te pika e përcaktuar në Valevo, pranë lumit Kollubara, dhe po aty u sulmuan dhe u masakruan nga turqit, aq sa mbas sulmit të pabesë arritën të mbijetonin vetëm 1.000 vetë prej tyre. 300 prej atyre që arritën të shpëtonin ishin kelmendas dhe me gjithë gra e fëmijë, duke mos pasur rrugëdalje tjetër u kthyen nga Beogradi, dhe me ndihmën e priftit Suma, ndërtuan shtëpitë në Sremia (Srem) afër Mitrovicës. Aty u ngritën fshatrat Hrtkovçi dhe Nikinçi, që nuk ishin larg lumit Sava. Të dy këto fshatra janë tërheqëse dhe të ndërtuar shumë mirë, me kisha ku priftërinjtë Françeskanë, ngase të gjithë janë besimtarë të devotshëm të fesë katolike, mbajnë mesha në latinisht, thekson autori në vazhdim të artikullit të vet.
Kelmendi është i përbërë prej gjashtë familjesh (fisesh), të shpërndarë në dy fshatra, nga tri familje (fise) për secilin fshat dhe si gjithë popujt e Lindjes, edhe atë kanë zakone të ashpra, por jo barbare. Disa nga karakteristikat e tyre të veçanta janë, ndershmëria, besnikëria, maturia dhe gatishmëria për të luftuar. Dy nga dobësitë e tyre janë hakmarrja dhe gjaknxehtësia. Burrat zakonisht martohen tepër të ri – rreth të njëzetave, kurse vajzat kur janë rreth 13-14 vjeçe. Një kelmendas nuk martohet kurrë me një vajzë të huaj, po ashtu edhe gratë nuk lejohen të martohen me të huaj. Kjo ka qenë arsyeja që nuk janë përzier kurrë me askënd deri në ditët e sotme. Karakteristikat e tyre fizike janë: të mëdhenj me trup, të hollë, me gjatësi mesatare, me tipare të fytyrës së zakonshme dhe tërheqëse, aq sa dikush mund të dallojë fare një kelmendas nga ilirianët (kroatët). Gratë kanë një bukuri të veçantë dhe shumë tërheqëse, sidomos kur janë ende të reja dhe burrat e tyre me të drejtë janë krenarë dhe xhelozë deri në ekstrem. Prandaj, nuk është e këshillueshme të flasësh me gruan kelmendase, qoftë edhe në mes të ditës, nëse nuk është e shoqëruar nga dikush, sepse nëse burri i saj vihet në dijeni, ka shumë mundësi që dikush të vritet aty, në vend. Njerëzit e afërm të familjes, zakonisht jetojnë në të njëjtën shtëpi, dhe ndodhë shpesh që një shtëpi të përbëhet nga 30 familje të ndryshme. Shtëpitë janë madhështore dhe shumë të pastra. Gjella nuk është fort e shijshme, por megjithatë, nuk krahasohet me atë të ilirëve nonuniat (Autori i artikullit me këtë shprehje e ka fjalën për besimtarët ortodoks, pra nonuniat. Unia janë besimtarët ortodoks që vendosën t’i bashkoheshin Kishës katolike të Romës). Djathin e përdorin shumë, madje në çdo gatim. Janë qejfli në përgjithësi. Edhe gratë po ashtu rrallë herë refuzojnë pijen. Ju pëlqen ta përziejnë rakinë, pijen e tyre më të preferuar me pak mjaltë. Merren me bujqësinë dhe kullotat, në veçanti me delet, kafshë kjo që e prunë me vete nga Shqipëria. Kafshë e shëndetshme, që prodhon cilësi leshi shumë të lartë, aq sa në Srem këto kafshë njihen si delet kelmendase. Gratë punojnë brenda me tjerrjen dhe thurjen e leshit, dhe i bëjnë vetë të gjitha rrobat që ato veshin. Janë gjithashtu shumë të shkathëta në ngjyrosjen e leshit, në lloje të ndryshme barishtesh, diçka që i dallon me veshjet e tyre shumëngjyrëshe.

(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat