Ulqin – Në sallën e konferencave të hotelit “Plaza”, të shtunën është bërë përurimi i romanit “Gjurmë që mbesin” të autores Edita Nimanbegu.
Moderatorja Adriana Hoxha, studiuese e letërsisë, ka thënë se që në titull kuptojmë se libri ka për të trajtuar diçka që ka ndodhur në të shkuarën, gjurmë që kanë ngelur në jetët e personazheve të romanit.
“Romani ka në qendër figurën e femrës, ashtu siç kemi vënë re që Edita zakonisht trajton figurën e femrës në librat e saj. E trajton atë në forma të ndryshme duke treguar vuajtjet të cilat femrat në përgjithësi kanë kaluar gjatë hapërimit të tyre”, ka thënë ajo.
Në vështrimin e saj për librin Lumnije Rexha – Bisha, edukatore dhe autore e disa librave për fëmijët parashkollorë, ka thënë se duke lexuar romanin “Gjurmë që mbesin” është mbushur me impresione dhe është kthyer në ditët e fëmijërisë së saj “kur të gjithë fëmijët e lagjes luanin bashkë rrugicave, në oborre e kopshtije, e ku të gjithë fëmijët kishin edhe obligimet e veta në familje”.
Ajo ka theksuar se autorja i shtjellon mirë dramat njerëzore dhe se brezat e ardhshëm duhet të njihen me vuajtjet e sakrificat e femrës përmes personazheve të këtij libri.
“Jeta, personazhi kryesor i veprës na jep mesazhin thelbësor: Nëse ne si femra jemi këmbëngulëse në realizimin e ëndrrave, dëshirave dhe pikësynimeve tona, çdo sfidë të jetës do ta përballojmë dhe do të mposhtim çdo barrierë që na pengon në arritjen e qëllimeve që i kemi vënë vetes”, ka thënë në vështrimin e saj për librin Lumnije Rexha – Bisha
“Gëzimi dhe dhimbja, lumturia dhe vuajtja janë personazhet e romanit që përballen nga dekada në dekadë me sfida të shumta për të jetuar jetën. Jeta, personazhi kryesor i veprës na jep mesazhin thelbësor: Nëse ne si femra jemi këmbëngulëse në realizimin e ëndrrave, dëshirave dhe pikësynimeve tona, çdo sfidë të jetës do ta përballojmë dhe do të mposhtim çdo barrierë që na pengon në arritjen e qëllimeve që i kemi vënë vetes”, ka thënë Bisha.
Në bashkëbisedim me moderatoren e takimit, autorja e librit Edita Nimanbegu ka treguar për nxitjen dhe frymëzimin e saj për të folur për femrat, të cilat janë në qendër të librave të saj.
“Duke qenë se jetojmë në një shoqëri ku femra ka vuajtur dhe nuk është respektuar sa duhet, andaj vuajtjet e saj ishin të mëdha. Kjo më ka nxitur që të flas për këto gjëra. Ndoshta ndjenja e zemërimit kundrejt padrejtësive ishte arsyeja e vetme që unë u nxita të shkruaj për femrën”, ka thënë ajo.
Në vërejtjen e moderatores se femrat që ajo i trajton në libër janë, pak a shumë, të ndryshme nga të tjerat, sepse kanë vullnetin, dëshirën, ndoshta edhe guximin për të vepruar ndryshe në një shoqëri maskiliste, siç është ajo për të cilën flitet në libër, Nimanbegu ka thënë se edhe sot kjo gjendje nuk ka ndryshuar aq shumë, duke pranuar se edhe në kohën e sotme është vështirë të jesh ndryshe dhe të jetosh kundër rrjedhës së kohës.
“Mendoj se në një vend të vogël është përherë e vështirë që të kesh mendime të ndryshme dhe të jetosh një jetë që të pëlqen. Ka shumë elemente të cilat ndikojnë, që i nxisin njerëzit të flasin për të tjerët dhe ka paragjykime. Mirëpo kjo gjë ishte e theksuar më herët më tepër. Kurse besoj që në ditët e sotme nuk kanë ndryshuar aq shumë kohërat dhe mund të them se akoma ekzistojnë gratë apo femrat të cilat mund ta gjejnë veten në romanin tim”, ka thënë ajo.
Autorja ka treguar se shumë histori që shtjellohen në roman bazohen në ngjarje të vërteta, por ka edhe ndërthurje. Ndërsa lidhur me fundin e lumtur të romanit, ajo ka thënë se jo të gjitha historitë kanë pasur fund të lumtur, por që ka dashur të japë një mesazh pozitiv.
“Romani patjetër ka edhe ndërhyrje. Mirëpo historitë janë bazuar në ngjarje të vërteta, por janë të modifikuara dhe në të vërtetë të gjitha historitë nuk patën fundin e lumtur, por dëshira ime që të jetë ashtu më nxiti që ta shkruaj në atë mënyrë”, ka thënë Nimanbegu.
Gjatë përurimit është lexuar edhe vështrimi i redaktorit të librit, shkrimtarit Jaho Kollari.
Për shkak të situatës epidemiologjike, përurimi është mbajtur pa publik, vetëm në prani të mediave.
Libri “Gjurmë që mbesin” është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ndërsa është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Ky është libri i dytë i autores Edita Nimanbegu, e cila më herët ka botuar romanin “Shtigjet e fatit”.
i. k.
