
Nga zgjedhjet e pasluftës të mbajtura deri më tash në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit janë të veçanta, sepse për të parën herë një subjekt politik arriti të fitojë mbi 50 përqind të votave të elektoratit, dukuri e panjohur deri më tash në skenën politike në Kosovë. Një rezultat i tillë ishte shprehje e vullnetit të sovranit, në saje të zhgënjimit me qeverisjet e mëhershme për dy dekada nga subjektet e tjera politike. Ishte kjo përgjigja popullore në mënyrë plebishitare ndaj atyre që keqpërdorën pushtetin për përfitime personale, partiake apo klaneve të ndryshme.
Nuk ka dilemë se një situatë e tillë depresive politike e shoqërore për shumë vite ka ndikuar në ndërgjegjësimin e qytetraëve për të ndryshuar gjendjen ekzistuese. Në këtë drejtim, kontribut kanë dhënë edhe mërgimtarët në botën e jashtme, të cilët kanë qenë mbeshtetje financiare e morale në mënyrë të vazhdueshme, por fatkeqësisht nuk janë vlerësuar sa e si duhet nga qeveritë e deritashme. Por rezultati plebishitar zgjedhor në favor të Levizjes Vetëvendosje (LVV) do të ndikojë që opozita të reflektojë dhe analizojë shkakun e humbjes së zgjedhjeve. Ata nuk duhet ta kërkojnë shkakun tek të tjerët por te vetja e tyre, se ku dhe si kanë gabuar. Madje, do të ishte e logjikshme, që ata për një kohë të heshtnin, sepse ajo çka është shkatërruar e zhvlerësuar për dy dekada nuk mund të riparohet për disa muaj.
Vjosa, më e votuara në Kosovë
Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, subjektet politike pjesëmarrëse nominuan publikisht edhe kandidatët për pozitat në institucionet qeverisëse në Kosovë, që ishte motiv nxitës për elektoratin për mbeshtetje në ditën e votimit. Kështu LVV si kandidat për kryeministër paralajmëroi Albin Kurtin, ndërsa Vjosa Osmanin për pozitën e presidentes së Kosovës, ku ngjashëm kanë vepruar edhe subjektet e tjera pjesëmarrëse në zgjedhje.
Në saje të rrethanave politike e shoqërore në këto vitët e fundit, këto dy personalitete politike ishin magnet për mbeshtetje dhe votim nga qytetarët e Kosovës, si dhe nga mërgimtarët kosovarë në botën e jashtme. Një mbështetje e tillë qytetare mori përmasat e referendumit popullor për të ndryshuar qeverisjen, që u dëshmua me mbeshtetjen e LVV me 438.355 vota apo 50.28%, ndërsa për Vjosa Osmanin e votuan 300.788 votues, duke qenë deputetja më e votuar deri më tash nga paslufta në Kosovë.
Në mungesë të ligjit për referendum dhe të zgjedhjes së presidentit drejtpërdrejtë nga qytetarët, mbeshtetja e kandidates për presidente të znj.Vjosa Osmani, ishte votim plebishitar për këtë pozitë institucionale shtetërore. Rrugëtimi i deputetes Vjosa Osmani dhe mbeshtetja politike nga elektorati në kuadër të LDK-së nuk ishte rastësi, sepse ajo edhe më herët është mbeshtetur nga qytetarët duke vlerësuar qendrimet dhe parimet e saj, duke u bërë model për të tjerët në skenën politike në Kosovë. Kështu në bazë të të dhënave në votimet nga viti 2014-2021 del qartë se mbeshtetja nga elektorati është rritur dukshëm, duke qenë deputetja më e votuar në Kosovë. Në vitin 2014 ajo ka fituar 39.912 vota, 2017 (64147 vota), 2019 (176.016 vota) dhe së fundit me 14 shkurt 2021 në kuadër të LVV-së (300.788 vota).
Por, ndonëse ishte votuar në mënyrë plebishitare dhe me mbeshtetje edhe nga ndërkombëtarët, çështja e zgjedhjes në Kuvend nuk ishte e lehtë, sepse opozita kishte qëndrime joparimore, që nuk ishte në favor të respektimit të vullnetit të sovranit, por të interesave të ngushta personale dhe partiake.
Veprimi konstruktiv nga LDK-ja
Duke patur qëndrim partiak për të mos mbeshtetur Vjosa Osmanin kandidate për presidente nga ana e PDK-së dhe AAK-së, si mundësi kompromisi për mbeshtjen e presidentes ishte vetëm te LDK-ja, në të kundërtën pa kuorumin e domosdoshëm, vendi do të ishte në krizë me mundësi te shkuarjës në zgjedhje tjera parlamentare. Por, nga këto subjekte politike opozitare vetëm LDK-ja është treguar me konstruktivja (përveç tre deputetëve), duke marrë pjesë në votim dhe siguruar kuorumin e nevojshëm. Me këtë veprim ata si dhe dy deputetë (AAK e PDK) të cilët morën pjesë në votim, dëshmuan se janë në favor të stabilitetit politik të Kosovës dhe të parimeve demokratike e jo të interesave partiake.
Mosprania në sallë e deputetëve të PDK-së dhe AAK-së në momentin e votimit dëshmon se kemi të bëjmë me qëndrime identike si Lista Serbe, që nuk është në favor të demokracisë parlamentare dhe të vullnetit të sovranit. Ndërsa deklaratat se kandidati për president duhet të jetë faktor unifikues, mbipartiak dhe të tjera, ishin joserioze dhe demagogji politike, duke harruar se si ishte zgjedhur presidenti i mëparshëm.
Presidenti të zgjidhet nga populli
Ndonëse zgjedhja e presidentit të Kosovës filloi me 3 prill, në mungesë të kuorumit, sepse morën pjesë në votim 79 deputë, mbledhja u ndërpre për të vazhduar ditën tjetër. Kështu me 4 prill 2021, për të respektuar Kushtetutën u votua në ruandin e dytë ku përseri mungoi kuorumi, për të vazhduar mënjëherë në ruandin e tretë, ku ishte kuorumi i nevojshëm (82 vota) dhe me 71 vota “për” e 11 “kundër”, u zgjodh Vjosa Osmani presidente e Kosovës. Është kjo presidentja e gjashtë e Kosovës nga përfundimi i luftës pas vitit 1999. Kujtojmë së deri më tash presidentë të Kosovës kanë qenë Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Behxhet Pacolli, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi dhe së fundi Vjosa Osmani.
Duke marrë parasysh se në zgjedhjen e presidentit të Kosovës sipas të Kushtetutës aktuale, paraqiten dilema dhe spekulime të mëdha, uroj që kjo formë e zgjedhjes të jetë e fundit, sepse në të ardhmen presidentin duhet ta zgjedhin qytetarët e Kosovës me votim të drejtpërdrejtë, si kudo në botën e qytetëruar.
Të ndryshohet Kushtetuta
Në këtë aspekt, fillimisht duhet të inicohet procedura e ndryshimit të Kushtetës së Kosovës, nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, pra të gjithë së bashku pozitë e opozitë, që do të ishte në favor të demokracisë parlamentare. Pasi kemi të bëjmë me veprim demokratik besoj se një ide e tillë duhet të pranohet nga të gjithë deputetët të cilët kanë kapacitet demokratik.
Një veprim i tillë do të eliminonte dilemat e politizimit të institucionit të presidentit, ku raste të tilla në Kosovë ka pasur vazhdimisht, ndërsa ky i fundit nuk ishte përjashtim. Vetëm zgjedhja nga populli, përkatësisht nga qytetarët do të eliminoheshin dilemat ekzistuese. Në këtë aspekt ekzistojnë shembuj praktikë në rajon, ndërsa përjashtim deri tash bëjnë Shqipëria dhe Kosova, por shpresoj se edhe këtu duhet të ndryshojë një qasje e tillë, që do të jetë në favor të qytetarëve dhe demokracisë parlamentare.
Qytetarët presin ndryshime
Me përfundimin e zgjedhjeve, konstituimin dhe formimin e institucioneve shtetërore, qytetarët presin ndryshime në qeverisje ashtu siç është premtuar në fushatën parazgjedhore. Këtu mendohet në funskionimin e shtetit të së drejtës, punësim, shëndetësi, arsim, luftën kundër korrupcionit etj. Në kuadër të ligjeve të reja përparësi duhet të ketë ligji për votimin e mërgimtarëve në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në botën e jashtme. Vetëm në këtë formë do të respektoheshin mërgimtarët, kontributi dhe dinjiteti i tyre kombëtar e shoqëror.
Qeveria e re me kryemistër Albin Kurtin do të gjindet para sfidave të ndryshme ku në aspektin ndërkombëtar dialogu me Serbinë mbetet pjesë e agjendës politike, por me një qasje e program tjetër si partner në dialog, e jo inferior si deri më tash, që duhet të jetë në favor të Kosovës e qytetarëve të saj.
Duke marrë parasysh faktin se kemi të bëjmë me çështjen në të cilën janë të kyçur faktorë ndërkombëtarë, në këtë drejtim duhet të ketë bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës, sepse çështjet shtetërore janë të përbashkëta, andaj duhet të ekzistojë bashkëpunim pa hipoteka nga e kaluara, duke dëshmuar qëndrueshmëri politike e ekonomike në favor të avancimit të shtetësisë së Kosovës dhe të demokracisë parlamentare.