Bora shkruan(inë) tregim!

Për Koha Javore: Bajram Sefaj

Bora (e bardhë), ky ndajshtim ose veçim, si tillë, bëhet me qëllim të qëllimshëm: të dallohet bora e (ftohtë) nga Bora, emër i gjinisë femërore, jo aq i shpeshtë ndër ne, por, edhe krejt i panjohur nuk është. (T’ia shtoj De, as që provoj nga se emri Deborë-a, është aq i shpeshtë, madje i popullarizuar në botën shqiptare për të dy anët e gardhit, me shpresë të rrënimit të shpejt!). Fill pas këtij shpjegimi, si domosdoshmëri sqaruese, pason pyetja: a më mirë bën Bora kur shkrinë apo kur shkruan romane! Dorën në zëmër, bora zemërftohtë, këto dy gjëra ose nuk i bën fare, ose i bën shumë rrallë! Si në këtë rast, fjala vjen.

*

Kur iu avita kompjuterit për të shënuar titullin, me ndonjë fjalë shoqëruese eventuale, sa për të mbajtur mend sajesën letrare që do të lindë, gjinie asnjanëse (hermafroditë) – prozë urbane. Mund të thuhet se titullin, që, vërdallë, me sillej në kokë, e kisha të gatshëm: Bora shkruan tregim! E hajt tok’s. Tamam në çastin kur po shënoja këtë, në vend se Bora shkruan…, instinktivisht shënova Bora shkrinë… Besoni miq, lexues të dashur, gjithë sa jeni, shumë më shumë, mu begenis fjala shkrinë se sa shkruan! Kjo dilemë a mëdyshje mbetet për t’u hulumtuar dhe analizuar, para se të jepet përgjigje!. Eh, sikur bora më shumë të shkrinte se sa të shkruante tregime, sa mirë, do të ishte!

*

Kjo grimë teksti që, në vijim, mbërthehet midis thonjëzash, si midis nofullash të një krokodili të sertë, apo midis kanxhash të një shpend mali grabitqar, të ndonjë krijese të panjohur e, edhe më të trentë, është fajtor për këtë gjithë ketë zallamahi e hallakamë: “Këtë vit, Saharaja është zbardhur nga dëbora dhe temperaturat në Arabinë Saudite kanë rënë në minus dy (2) gradë Celcius. Këto imazhe me akull në dunat e rërës në Sahara sjellin një pamje tejet të pazakontë për këtë vend. Ndërsa në Arabinë Saudite, banorët mbushën shkretëtirën në rajonin e Aseer për të shijuar boren… “.

*

Kjo është gjithçka (e tera) që me cyti (yshti), të hallakas e shpupuris e midis faqesh, tashmë të verdha, të vëllimit tim të parë më tregime, “Tri pika” (Rilindja – 1980). Atje gjeta (çka nuk gjeta. Gjeta edhe atë që nuk dëshiroja ta gjeja!). Në anën tjetër, nuk e gjeta atë që kërkoja: Nuk e gjeta ashtu siç pandehja, siç e ëndërroja ta gjej. S’i doja zotit tjetër mall se të gjëja, të paketuar në një pako të veçantë tërë atë që kisha thënë e parashikuar në lidhje me ndryshimin e madh klimaterik që, ndërkohë do të ndodhë, në botën tonë të madhe, në botën tonë të vogël e, gjithnjë më të vocërr. Në atë parashikim ogurzi, shih ironinë e koincidencës, si jerm të kisha qëlluar, flisja mbi përzierjen e poleve: zhvendosjen e Antarktikut dhe Arktikut bashkë me viset e tyre të ngrira gjithmonë, dimër e verë, nënpeshën e rendë shekullore të akullt dhe, vendosjen e tyre brezit të nxehtë (skuqur), gjithmonë, dimër e verë, në Ekuador! Ndërsa klima ekuatoriale të zbres a të ngjitet në të dy polet e skajshme të planetit Tokë. Kjo zhvendosje e madhe dhe e papritur klimaterike, kjo luhatje e madhe, natyrisht se shkaktonte edhe rebalancë dhe prishje të madhe terezie dhe ekuilibri, në përmasa të gjëra planetare!
Asgjë tjetër nuk me kujtohej pos që atje përmendeshin, ziheshin në gojë, shporetë zjarri me dru dhe me elektricitet, të nxehtë valë, tesha të trasha zhguni, terrene të përshtatshme e me pista të gjata për ski e sporte të tjera dimërore, e sende të tjera tipike për Polin e Veriut dhe Polin e Jugut instaloheshin dhe kërkoheshin në Ekuador dhe harkun e tij… Kurse plazhe të mëdha me shumë pushues të përgjumur, në diell e rrezitje, me shumë diell, me të nxehtë të madh, me flladitëse e rekuizita tjera të shumta, tipike për klimën ekuatoriale, ishin të nevojshme në të dy Polet, të Veriut dhe të Jugut… Hallakatje e përzierje kjo, se ç’ke me të. Ec e bjeri në fije.

*

Derisa arabët, i madh e i vogël, ishin zgjuar me sabah, e kishin nxituar, të përjetojnë gëzimin, që borën e bardhë, që në Shkretëtirë të Saharasë ngjante edhe më e bardhë, ta shihnin me sy të tyre, ta preknin me dorë, ta ledhatonin e përqafonin dhe, ajo si e llastuar shkrihej në duart e tyre të djegura etjeje të pashuar shekullore, në anën tjetër, unë rrëqethesha nga këto pamje dhe mendoja në diçka tjetër: sa e frikshme është bora për mua dhe moshatarët e mi, që atje, në Dukagjin, kur bënin dimra të gjatë e plotë acar, shkelnim mbi të këmbëzbathur… Dhe, e dyta, asnjëherë në jetë nuk kam pasur dëshirë me të flakët që mos t’i besohet asnjë fjalë që e thash deri këtu. Të vërteten e njëmendet të kësaj lakërdie lëxuesi eventual, ta kërkojnë e gjej në fletët e tregimit a novelës “Përrallë nate”, në vëllimin “Tri pika”, Prishtinë – 1980!

Të fundit

më të lexuarat