Pavarësisht se kaluam 30 vite në demokraci dhe po aq vite po përjetojmë një tranzicion politiko-ekonomik të tejzgjatur, pozita politike dhe mirëqenia e shqiptarëve në Mal të Zi, në krahasim me fillimvitet e demokracisë e dhe vendet e tjera të këtij shteti, ka mbetur në vendnumëro! Shkaqet e kësaj gjendjeje të palakmueshme shpeshherë janë diskutuar e komentuar, por për arsye të oportunizmit, joprofesionalizmit apo të korrupsionit politik, ato asnjëherë nuk janë thënë hapur, jo për të kritikuar por, së paku, për të nxitur frymën e përgjegjësisë dhe veprimit për trasimin e një rruge tjetër, e cila do të na shpie drejt ndryshimit të pozitës në të cilën ndodhemi. Kështu nuk shkon dhe nuk duhet toleruar më tutje!
Është e njohur në politikë se “faji është jetim” dhe gjithmonë “nuk jam unë (nuk jemi ne) fajtor” apo “faji duhet kërkuar diku tjetër”. Por, meqë ra fjala për demokraci, atëherë fajin s’kemi ku ta kërkojmë tjetër, përveç te politika zyrtare dhe politikanët tanë shqiptarë, sepse me politikanët malazezë dhe hyzmeqarët e tyre jemi ngopur. Po ç’kanë bërë ata?!
Shqiptarët në Malin e Zi, në fillimvitet e demokracisë u bënë pjesë e përmasës shqiptare të krizës jugosllave, ndonëse qenë i vetmi rajon i ngulimeve shqiptare ku nuk shpërtheu konflikti i armatosur. Vendbanimet shqiptare ishin vendet ekonomikisht më pak të zhvilluara në Mal të Zi, nuk gëzonin të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare, programet shkollore ishin reduktuar, emigrimi i popullsisë kishte marrë përmasa të mëdha, kështu që identiteti kombëtar rrezikohej gjithnjë e më shumë. Shqiptarët në këtë kohë përbënin 6.57% të popullsisë së përgjithshme të Malit të Zi, gjegjësisht 7.14% të popullsisë së përgjithshme, gjuha amtare e të cilëve ishte gjuha shqipe.
Ngecja e zhvillimit ekonomik dhe boshatisja e vendeve shqiptare, përgjegjësi e partive politike shqiptare
Fillimvitet e demokracisë, ndonëse në kushte të rënduara politike, pasi rajoni ishte kapluar nga lufta dhe si pasojë Jugosllavia si shtet po zhbëhej, ngjallën shpresë te shqiptarët se po vinin kohë më të mira, qoftë politike apo ekonomike. Në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1990 populli shqiptar, i vetëdijshëm për nevojën e ndryshimeve, në numër të madh votuan shqip, votuan LD në MZ-në, atëbotë partinë e vetme politike shqiptare. Nuk vonoi shumë, sa për shkak të pakënaqësisë për punën e kësaj partie e me shumë për interesa personale të individeve apo grupimeve të caktuara, partitë politike shqiptare filluan të binin si “kërpudhat pas diellit”, aq sa deri më sot në skenën politike shqiptare kanë defiluar 13 parti apo grupe qytetarësh. Absurd, të panevojshme, servilizëm, të dëmshme, gjithsesi!
Deri në vitin 1998 ekzistonin vetëm dy parti politike shqiptare dhe disi, sa i përket çështjes kombëtare, kishin qëndrime të përafërta dhe nuk vërehej ndonjë lakmi ndaj pushtetit qendror dhe as ndonjë joshje për shqiptarët nga ana e pushtetit për të hyrë në qeveri. Pikërisht këtu fillojnë përçarjet dhe lakmia për pushtet, pikërisht nga këtu fillojnë premtimet e shumta të partisë-shtet dhe joshja e elektoratit shqiptar me premtime të shumta për punësim në shkëmbim të votës, pa asnjë kriter, për leje ndërtimi apo ndonjë favor tjetër që, ata të cilët votonin partitë shqiptare nuk mund t’i merrnin dot. Përderisa militantët partiakë punësohen edhe pa e kryer fakultetin, ata që nuk janë me partinë në pushtet presin në Entin për Punësim dhjetë vite e më shumë. Është ky korrupsion politik, nepotizëm i pastër!
Efekti i korrupsionit politik, për neve i rëndësishëm në nivelin lokal, ka për pasojë jo vetëm ngecjen e zhvillimit ekonomik por edhe rritjen e shkallës së papunësisë, pabarazinë në mes të qytetarëve, joprofesionalizmin, humbjen e besimit në administratën publike etj., dhe si rrjedhojë, karvani i emigrantëve shqiptarë nuk ka të ndalur. Vendet shqiptare po boshatisen nga dita në ditë. Ndonëse nuk ka shënime zyrtare, në bazë të shënimeve krahasuese të regjistrimeve të popullsisë, na del se mbi 20 000 shqiptarë e kanë braktisur vendin e tyre, që përbëjnë së paku 41% të popullsisë shqiptare në Mal të Zi.
Zhvillimi ekonomik i vendeve shqiptare në Mal të Zi, sot është nën nivelin e fillimviteve të demokracisë. Në vitin 1996, të ardhurat buxhetore të komunës së Ulqinit ishin më të mëdha se të komunës së Tivatit për afro 15%, (6291:5517), ndërsa sot sipas indeksit zhvillimor të komunave në Mal të Zi, Ulqini renditet në vendin e 12-të, ndërsa Tivati në vendin e 6-të. Ulqini është e vetmja komunë në bregdetin malazez e cila përfiton nga Fondi i Egalizimit, si komunë nën mesataren zhvillimore në Mal të Zi (76.95%). Numri i të punësuarve në Ulqin, në vitin 1989 ishte 4 068, ndërsa në vitin 2017 – 4 438 punëtorë. Pra, për 28 vite janë punësuar vetëm 370 punëtorë, ndërkaq shkalla e papunësisë në Ulqin është 24.39%, ndërsa në Plavë (viti 2017) 57.98%.
Investimet në ekonomi nga pushteti qendror në komunën e Ulqinit janë katastrofale. Në vitin 2017 nga buxheti i Malit të Zi në vendet e banuara me shqiptarë është investuar: në sektorin e komunikacionit 2.37% të investimeve të përgjithshme në këtë sektor në Mal të Zi, në infrastrukturën e nevojave komunale dhe ruajtjes së mjedisit vetëm 1%, në infrastrukturën shkollore, shëndetësore dhe sport 1.59%, ndërsa në turizëm 0%. Përkundër këtyre rezultateve katastrofale, politikanët tanë zgjodhën rrugën e vazhdimit të bashkëpunimit me partinë-shtet, pa ndërmarrë asnjë hap konkret për ndryshimin e kësaj gjendjeje të mjerueshme.
Dështimi i partive politike shqiptare
Si rrjedhojë e bashkëpunimit dhe nënshtrimit të interesave të partisë-shtet ose partive tjera malazeze, sot shqiptarët, si pasojë e ligjit zgjedhor diskriminues përfaqësohen në Kuvendin e Malit të Zi vetëm nga dy përfaqësues, nga katër sa kishim deri në vitin 1998. Ndërkaq, edhe pse partitë shqiptare fituan numrin e duhur të këshilltarëve, besimin për të udhëhequr komunën e Ulqinit këshilltarët e zgjedhur ia dhanë DPS-it, përkundër të gjitha dështimeve të cilat i paraqita më lart. Edhe më keq, shqiptarët (politikanët, jo populli) po i rrinë besnik DPS-it edhe sot kur ata e humbën pushtetin, madje përsëri kryetar i komunës së Ulqinit do të zgjidhet nga radhët e tyre, edhe pse partitë shqiptare e kanë numrin e duhur për të zgjedhur kryetarin nga radhët e shqiptarëve. Shtrohet pyetja: Pse? Për interes të shqiptarëve dhe zhvillimit të tyre, JO!
Vetëqeverisja vendore është krejtësisht e centralizuar. Në këto kushte komunat nuk disponojnë me pasuritë e tyre, madje as nuk përfitojnë nga të ardhurat e krijuara aty. Zona e bregdetit shfrytëzohet pamëshirshëm nga pushteti qendror. Si në asnjë vend tjetër, në bregdetin malazez vija e “të mirave detare” në komunën e Ulqinit shkon deri në 1 000 m në brendësi, përkundër përkufizimit ligjor 6 metra nga bregu i detit, pa çka se atje e dërguam një njeri tonin i cili mbulon vendin e kryetarit të Këshillit Drejtues, por zona nuk u tërhoq, nuk ndryshoi, ndërsa shqiptarët qëndronin në koalicion me partinë-shtet!
Shqiptarët në Mal të Zi duhet ta gjejnë apo krijojnë një Albin Kurti – për ndryshime
Nga sa cekëm më lart, mund të themi me të drejtë se kemi një dështim të klasës politike shqiptare. Ata nuk i kanë përmbushur premtimet e dhëna, përkundrazi, duke bashkëpunuar qorrazi apo për interesa personale me partinë-shtet, kanë kontribuar dukshëm në keqësimin e gjendjes ekonomike dhe në boshatisjen e vendeve shqiptare. Politikanët tanë nuk kanë qenë të aftë të materializojnë vendimet juridike të brendshme e as ndërkombëtare, sidomos në sferën e të drejtave kombëtare, për të cilat do të flasim njëherë tjetër.
Si duket, interesi i tyre kryesor ka qenë dhe janë kujdesur më shumë për menaxhimin e buxheteve komunale, sepse, thonin ata, për investime kapitale është qeveria. E çka ka bërë qeveria, e shohin të gjithë shqiptarët.
Politikanët aktualë shqiptarë në Malin e Zi janë përgjegjës për gjendjen e mjerueshme ekonomike dhe politike. Ata duhet të reflektojnë sa më parë që është e mundur. Votuesit besnikë të tyre duhet të kërkojnë llogari për politikën dështuese të tyre. Ka ardhur koha për një klasë të re politike shqiptare në Mal të Zi, për një mentalitet tjetër politik, për një bashkërendim të mirëfilltë të kërkesave shqiptare. Figura dhe politika e Albin Kurtit duhet të jetë shembull për të gjithë shqiptarët e pakënaqur në Mal të Zi, për të gjithë ata që dëshirojnë zhvillim dhe mirëqenie ekonomike të vendeve të banuara me shqiptarë dhe forcimin e identitetit të tyre kombëtar. Albini, sigurisht, nuk do vijë të na i kryejë punët, ato duhet t’i bëjmë vetë. Pra, duhet ta gjejmë apo ta krijojmë një Albin Kurti, i cili është më se i nevojshëm.
