
Në përgjithësi, prindërit përpiqen t’i edukojnë fëmijët e tyre duke u dhënë këshilla pafund, duke u pëshpëritur sjellje dhe modele të të menduari, dhe harrojnë se ata, në fakt, janë thjesht fëmijë, pa përvoja jetësore. Ndonjëherë edhe vetë të rriturit e kanë të vështirë të mësojnë nga gjërat që u thuhen, sugjerohen apo kërkohen. Nëse ndodh kështu me më të rriturit, po me më të vegjlit? Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se komunikimi është i panevojshëm, por ndoshta duhet të shqetësohemi pak më tepër edhe për shembullin që po japim.
Kur një familje zgjerohet, misioni parësor që prindërit i vënë vetes është t’i plotësojnë fëmijës kushtet e jetesës dhe të sigurohen që asgjë të mos i mungojë. Është mision i rëndësishëm, vërtet, por në fakt, është vetëm hallka e parë e një zinxhiri të gjatë. Misione të tjera e presin dhe dorë të rëndësisë së parë merr edhe edukimi, formimi në përgjithësi i fëmijës. Por, në ditët e sotme, shpesh ndodh që në këmbim të kohës apo vëmendjes që ata kërkojnë, u jepen lodra për t’u shpërqendruar apo pushuar të qari.
Që në vitet e para të jetës së fëmijës, prindi e përdor shumë fjalën “Mos!” kundrejt tij. Por, praktika i tregon secilit se ai jo përherë do të bindet vetëm nga kjo fjalë. Natyra e tij kurioze, prej vocërraku që kërkon të dijë e të njohë botën, vazhdimisht do të gjenerojë në kokën e tij pikëpyetje, të vogla apo të mëdha, nganjëherë të bezdisshme për prindin për t’i kthyer përgjigje. Fatkeqësisht, në shumë raste prindërit japin si përgjigje ‘‘mospërfilljen’’.
Dihet që shkollimi është ai që fëmijës i mëshohet më fort, dhe për këtë prindërit shqetësohen shumë për arsimimin e fëmijëve të tyre. Ndaj dhe i regjistrojnë në shkollë, disa edhe në ato nga më të mirat, pavarësisht shpenzimeve.
Ndërkohë, në anën tjetër, të gjithë prindërit duan që fëmija i tyre të jetë më i miri, të jetë i kulturuar, i sjellshëm, i kujdesshëm, të mësojë në shkollë, të zhvillojë talente, të ushqehet siç duhet, dhe në njëfarë mënyre t’ia kushtojë kohën gjërave të dobishme. Por, sa luftojnë ata që të gjitha nga ato që listuam e të tjera përtej, t’ia mësojnë fëmijës si bëhen, si arrihen, nëpërmjet vetë shembullit të tyre? Nëse vërtet dëshirojmë, të mos harrojmë se, së pari, duhet të jemi vetë më të mirë; si prind, gjysh, etj.
Dihet që shkollimi është ai që fëmijës i mëshohet më së shumti, dhe për këtë prindërit shqetësohen shumë për arsimimin e fëmijëve të tyre. Ndaj dhe i regjistrojnë në shkollë, disa edhe në ato nga më të mirat, pavarësisht shpenzimeve. Vërtet, është i padiskutueshëm roli i edukimit në shkollë, por nga ana tjetër, para viteve shkollore dhe përgjatë gjithë kohës në vazhdim, fëmija ka si udhëzuese “shkollën e familjes”.
Për një prindërim apo përkujdesje sa më të mirë, nëpër botë ekzistojnë edhe kurse, por ne nuk i kemi ende pjesë të kulturës. Ndoshta, për këtë arsye, jo rrallëherë, vetë prindërit bien në kontradikta në lidhje me çka kërkojnë prej fëmijëve të tyre. Për shembull, si mund t’i kërkohet fëmijës të lexojë libra, të jetë i pari në klasë, por ai nuk sheh kurrë në shtëpi që libri preket apo lexohet?! Apo, kur fëmijës i thuhet të mos qëndrojë gjatë në kompjuter/smartfon apo TV, por ndërkohë familjes i ka tretur shikimi dhe vëmendja në botën virtuale.
Sjellja në jetë e një fëmije është përgjegjësi shumë e madhe, dhe prindërit s’duhet të harrojnë kurrë se ata janë mësuesit e parë të tyre. Ndaj, për këtë dhe shumë të tjera ekziston uniteti i familjes, prindërimi apo kujdestaria. Me anë të fjalës që ecën paralelisht me sjelljen, fëmijët munden të mësojnë atë që vërtet duhet dhe, mbi të gjitha, t’i bëjnë pjesë të vetes, mbi bazën e të cilave të ndërtohen si individë të shoqërisë, si qenie me vlera humane dhe shpirtërore, që një ditë t’i japin kësaj bote vetëm fryte të mira.
