
Autori Sokol P. Lulgjuraj thekson se këtë vepër, të cilën e quan Enciklopedi e vogël për Malësinë e Madhe, ka synuar të përshkruajë jetën e Malësisë ndër shekuj, por, siç thotë ai, jo me synim kryesisht historik, por qëllimi kryesor është të përshkruan rrënjët e asaj force të madhe e cila qe në gjendje të mbante të gjallë në shekuj, jo vetëm gjuhën tonë, por edhe traditat tona, dy shtyllat kryesore me anë të cilave mbahet identiteti ynë kombëtar. Duke pasur parasysh mungesën e njohjes së realitetit kombëtar shqiptar, autori Lulgjuraj thekson se në veçanti brezi i sotëm është tejet i interesuar të dijë më tepër për të kaluarën e lashtë dhe të afërt, për të parët, cilësitë, tiparet e tyre, sa ishin trima, besnik e mikpritës, sa ishin të nderuar në rrethin e mjedisin në të cilin jetuan, çka trashëguan dhe sa të njëjtë jemi me ta. Për këtë shkak përmbajtja e monografisë “Malësia e Madhe ndër shekuj”, u sistematizua për hir të ndriçimit të këtij realiteti, duke filluar nga koha kur të parët tanë vendosën të jetojnë në kushte e rrethana shoqërore – historike tejet të vështira.
Autori i monografisë në fjalë, në pyetjen e shtruar: Pse të parët tanë braktisën jetën dhe për hir të kujt strehuan në male duke pranuar jetën e vështirë? Jep përgjigjen koncize: “Ilirët të cilët nuk pranuan të jetojnë nën sundimin romak, të cilët kishin pushtuan viset bregdetare e fushore, hapësirë të lirë gjetën në zona të ashpra malore dhe deri në ditët e sotme mbetën autonom, të lirë e të vetëqeverisur, kështu që kontributi i tyre ishte vendimtar për ruajtjen e vazhdimësisë etniko-kulturore iliro-shqiptare, siç e vërtetojnë shumë studiues, ndër të cilët edhe Aleeksander Stipçeviq, i cili në veprën ‘Ilirët’ shkruan: ‘Në krahinat më të izolueme ku qytetnimi romak nuk mbrrijti me depërtua, ilirët vazhduan jetën e vet patriarkale dhe të mbrapambetun, tue ruajt veshjen, gjuhën, strukturën shoqnore dhe tiparet fizike përsa i përket anës antropologjike në nji shkallë ma të naltë’ “.
Pse të parët tanë – ilirët, rezistuan në kushte të tilla nga më të vështirat që i njeh historia kur shumë të tjerë nuk rezistuan dot? Janë disa arsye, shprehet autori. “Male ka shumë në botë dhe më të larta dhe më të thepisura se tonat. Ato sigurisht ishin një strehim për ilirët që nuk pranuan të nënshtrohen, por arsye më të fortë ndoshta është fakti se kjo popullatë, nga sa e njeh historia, ka luftuar gjithnjë vetëm në mbrojtje të lirisë së saj, ose në ndihmë të popujve të tjerë, por kurrë nuk ka qenë një popull pushtues si shumë të tjerë që mburren me pushtimet e tyre dhe që kanë ndërtuar mirëqenien e tyre në kurriz të popujve të tjerë. Prishja e traditave dhe zakoneve të një populli, vjen jo vetëm nga pushtimi i tij nga të tjerët, por edhe kur ky bëhet pushtues. Pikërisht, ilirët në pamundësi të mbronin Ilirinë në rrafsh, shkuan në male jo thjeshtë për t’u strehuar, por për t’i kthyer ato male në pozicionet e fundit të luftës për jetë a vdekje”.
Përkitazi me vendosjen e feve të ardhura nga popujt tjerë në vendin tonë, autori thekson se një qëllim i veprës së tij “Malësia e Madhe ndër shekuj”, është edhe të tregojë për kushtet dhe metodat e ndryshme përmes të cilave u arritën këto vendosje. Krishtenizmi është formuluar dhe propaganduar nga njerëz të dalë nga populli i thjeshtë në kushte të vështira të sundimit të egër romak, kurse islamizmi, me gjithë përmbajtjen e tij humanitare u përhap njëkohësisht gjatë pushtimeve të njëpasnjëshme arabe ose turke, duke theksuar se kryesisht nuk u imponua drejtpërdrejtë, përveç disa rasteve tashmë të njohura nga historia.
Në monografinë “Malësia e Madhe ndër shekuj”, Sokol P. Lulgjuraj ka theksuar rolin e Besëlidhjes, e cila nuk ishte një akt formal, por ishte çimentim, në të cilin do të lidhej ndonjë marrëveshje, e cila, e lidhur nga Kuvendi pa asnjë Besëlidhje, nuk do të kishte asnjë vlerë të saj.
Në monografi, autori po ashtu ka shfrytëzuar rastin të bën fjalë, jo vetëm për kryeparët, por edhe për bajraktarët dhe personat me ndikim të madh në popull, jo vetëm për rolin dhe funksionin e tyre, por edhe për shtrembërimet që janë bërë nga studiues të ndryshëm të ndikuar ose në shërbim të ideologjive të huaja.
Autori Sokol P. Lulgjuraj ndër të tjera pohon se janë shkruar shumë vepra për Malësinë e Madhe, por qëllimi i tij në hartimin, shkruarjen dhe koncipimin e kësaj vepre, nuk ka qenë të bën një lloj përmbledhjeje apo komenti të tyre, as të tregojë aspektet e ndryshme në gjuhën e specialistit, por të jep pamjen e fundit të asaj që ende ka mbetur gjallë në Malësi, qoftë në kuptimin teknik, qoftë në kufirin e jetës shpirtërore të së kaluarës sonë. Autori po ashtu ka pasur për qëllim që të hedhë një shikim jo vetëm në të kaluarën tonë, por edhe në të ardhmen duke synuar që të gjitha këto të integrohen së bashku në një tersi harmonike – bashkimin e traditës më të re përparimtare botërore.
Autori në fund konfirmon se kur është fjala për paraqitjen e materialit të lëndës në drejtimin teknik apo artistik, gjithçka është marrë drejtpërdrejtë nga tereni dhe jo nga materialet e botuara. Po ashtu disa veçori të zakoneve në Malësinë e Madhe janë marrë drejtpërdrejtë nga burimet gojore të pleqve, dhe jo nga burimet e njohura.
Për realizimin e veprës së vet, autori thekson se ka shfrytëzuar materiale të ndryshme, si nga autorët e vendit, ashtu edhe të huajt, kryesisht: Shtjefën Gjeçovin, Gjergj Fishtën, Xhafer Belegun, Hajredin Hoxhën, Vladimir Dedierin, Aleksander Stipçeviqin, Milan Shufllain, Raymon Poincare, Hugo Grothe, etj.
Falënderon gurgdhendësin popullor Zef Gj. Lucaj, mbledhësin e këngëve popullore, Nosh M. Lulgjuraj, si dhe fotografistin Shtjefën T. Ivezaj, nga i cili ka marrë ca fotografi.
Në fund, pa ngurrim dhe me plot gojë, mund të konstatojmë, por edhe të konfirmojmë se autori Sokol P. Lulgjuraj, me studimin vet monografik “Malësia e Madhe ndër shekuj”, siç ndryshe e quan ai “Enciklopedi e vogël mbi Malësinë e Madhe”, ka dhënë kontribut të madh e gjithëpërfshirës në prezantimin universal të trevës së Malësisë së madhe prej nga rrjedh dhe frymon vet ai, por edhe në ndriçimin dhe shpalosjen e trashëgimisë kulturore dhe identitetit të Kombit shqiptar ndër shekuj. Me këtë vepër vërtetë madhështore me vlerë të lartë letrare, autori Sokol P. Lulgjuraj padyshim u ka dalë “hakut dhe borxhit” bashkëvendësve të vet duke ua ofruar vendlindjen e tyre të shtrenjtë, të çmuar dhe të dashur – Malësinë e madhe në shuplakë të dorës e më afër shpirtit e zemrës, por edhe lexuesve, studiuesve dhe aderuesve të fjalës së shkruar letrare, një vepër me vlerë dhe peshë jashtëzakonisht të madhe, përmes të së cilës do të njihen, por edhe do të mësojnë më shumë për rrjedhat historike të Malësisë së Madhe, së dhe për trashëgiminë kulturore dhe identitetin e Kombit shqiptar në përgjithësi.
