(vijon nga numri i kaluar)
Revista „Fjala“, tribunë e mendimit të lirë
Nga numri i revistave të ndryshme të cilat botoheshin në Prishtinë, duke filluar nga viti 1990, vendin parësor e kishte revista „Fjala“., e cila dallohej me përmbajtjen e saj duke qenë revistë e hapur, përkatësisht tribunë e mendimit të lirë dhe e krijimit të tolerancës e të kulturës së re politike.
Artikujt e botuar në këtë revistë, nga personalitete të fushave të ndryshme si në atë kohë, por edhe tash pas tri dekadave, e them pa hezitim se ishin model për studiuesit e profileve të ndryshme shkencore, kulturore e publicistike. Pikërisht duke marrë parasysh tematikën dhe përmbajtjen e trajtuar si asnjëherë deri në atë kohë, do të ishte me interes për opinionin e përgjithshëm kulturor botimi i disa vëllimeve, duke bërë përzgjedhje të artikujve të botuar në Fjala (1990-1992).
Një veprim i tillë do të ishte nderim dhe respekt për autorët për angazhimin e tyre profesional dhe kombëtar për të shpalosur çështje të ndryshme të panjohura deri atëherë për opinion e gjerë. Nuk ka dilemë se meritë kryesore ka pasur kryeredaktori Milazim Krasniqi së bashku me stafin e redaksisë, të cilët nuk hezituan të botojnë materiale me vlerë shumëdimensionale, që me kënaqësi lexohen edhe tash, ndonëse janë bërë rreth tri dekada nga botimi i tyre. Madje, kam bindje të plotë se brezi i ri i cili nuk ka pasur mundësi t ‘i lexojë këto materiale të revistës „Fjala“, ka mundësi të mësojë nga autorët e asaj kohe për shumë çështje që mund të jenë në fokusin e tyre të formimit profesional, sepse janë shkruar me profesionalizëm dhe qasje intelektuale.
Botim i veçantë eseistik për kohën
Në gamën e botimeve të cilat i ka botuar revista „Fjala“ bën pjesë edhe libri i Basri Çapriqit „Aksidenti i orës shqiptare“, botuar në vitin 1993. Kemi të bëjmë me një botim eseistik, i veçantë për kohën kur janë shkruar e botuar, duke sfiduar rrethanat e kohës, në saje të ndryshimeve të sistemeve shoqërore, ku as shqiptarët nuk ishin përjashtim. Andaj, të lexohen sot këto ese, do të thotë rreth 30 vite më herët, duhet kuptuar kontekstin kohor, ku vetëm në këtë mënyrë mund të kemi një opinion për çështjet e trajtuara.
Në periudhën bashkëkohore nuk janë të rralla rastet që intelektualë të ndryshëm, të cilët përveç fahut të tyre profesional, në opusin e tyre krijues të jenë të njohur edhe në lëmenj të tjerë siç është eseistika apo publicistika. Në këtë aspekt në dy-tre vitet e fundit edhe në hapësirën etnokulturore shqiptare me shkrimet e tyre eseistike e publicistike filluan të paraqiten një numër i konsiderueshëm individësh, kryesisht shkrimtarë, që në njëfarë mënyre ishin edhe nismëtarët e lëvizjeve demokratike tek ne. Kështu një ndër më të zellshmit nga ky aspekt i cili ka bërë kthesë në eseistiken e publicistikën tonë të opinioni shqiptar është edhe poeti B.Çapriqi, me librin “Aksidenti i orës shqiptare”. Është ky një libër i cili në vete përmbledh shumë artikuj të botuar më parë(1990-1992) në revistën Fjala, që së bashku trajtojnë një tërësi unike nga aktualiteti i kulturës shqiptare dikur dhe sot. Me një fjalë, trajtimi i problemeve gjegjëse në këtë libër paraqet një freski dhe risi për eseistiken e publicistikën shqiptare dhe më gjerë, sepse është botimi i parë i këtij lloji tek ne.
Autori aksidentin e kulturës shqiptare e ka trajtuar në plan të gjerë kultural për tërë hapësirën etnokulturore shqiptare, pothuaj duke filluar nga Rilindja Kombëtare Shqiptare e deri në ditët tona. Kjo goditje për fat të keq ka përfshirë të gjitha dimensionet e qenies kombëtare dhe materiale të kulturës shqiptare, duke nisur me shthurjen e hapësirës kulturore gjithëshqiptare e duke përfshirë hapësirën informative, intelektuale, shkencore, arsimin fillor, të mesëm e universitar, të gjitha llojet e artit e duke përfunduar me deformime të ndryshme në kulturën politike.
Botimi në fjalë bën përpjekje që të tregojë shkaqet e aksidentit, që për fat të keq shqiptarët e përjetuan rreth gjysmë shekulli. Është çështje tjetër se a e përjetuan këtë tragjedi kombëtare shqiptarët me dëshirën e tyre apo diçka e tillë ka qenë e imponuar nga të tjerët. Por, në lidhje më këto çështje autori i këtij libri nuk është imun, por ai i bën një vështrim kritik gjendjes ekzistuese, duke dëshmuar se tragjedia shqiptare, ndonëse filloi më herët, ajo pikën kulmore e arriti në periudhën e ashtuquajtur socialiste. Nëse faktet e periudhave të kaluara mund të shërbejnë për të bërë një analizë diakronike për kohën e socializmit, analiza sinkronike është e tepërt, sepse faktet flasin vetë.
Nga leximi i këtij libri vërehet se autori kryesisht ka qenë i preokupuar me kulturën si bazament i identitetit kombëtar, e cila pati po të njëjtin fat si populli. Ajo jo vetëm që pësoi ndryshime, por njëherit në kulturë filluan të dominojnë qasjet ideologjike, duke mënjanuar pothuaj tërësisht bazamentin kombëtar. S’ka se si të shpjegohet ndryshe e dhëna, kur për ca figura të rëndësishme të letërsisë në veçanti, e të kulturës në përgjithësi, si p.sh. Faik Konica, Gjergj Fishta etj., u injoruan për pesë dekada. Një veprim të tillë e ka bërë pushteti për hir të ideologjisë, por pasojat ishin të mëdha sepse gjenerata të tëra shkollarësh, jo vetëm që kanë mbetur analfabetë për shumëçka, por në një farë mënyre ata janë dezinformuar për mjaft personalitete letrare, kulturore e historike të popullit tonë.
Aksidenti i shkaktuar nga bartësit e komunizmit në hapësirën etnokulturore shqiptare në Evropën Juglindore, në shikim të parë nuk ishte i veçantë për shqiptarët, por nëse i bëhet një analizë më e detajuar, pa hezitim mund të thuhet se komunizmi në shoqërinë shqiptare ishte më i tmerrshëm se askund tjetër. Një konstatim i tillë nuk është vetëm shprehje e rastit por një dëshmi autentike.
Jemi të sigurt se në të ardhmen e afërt individë të penave të ndryshme do të shkruajnë faqe të tëra për këtë murtajë që i solli tragjedinë kombit tonë. Në këtë aspekt edhe kjo vepër trajton ca çështje në mënyrë eksplicite, që njëherit jep mundësi për teza të ndryshme të trajtimit të çështjeve përkatëse.
Duhet thënë me këtë rast se me rastin e botimit të ca artikujve të këtij libri, ka pasur edhe reagime nga individë të ndryshëm në revista të kohës, që një farë mënyre ishin akuzë ndaj autorit. Reagimet e tilla ishin pa mbështetje faktografike, të shkruara me emocione nga individë dogmatikë, që çdo gjë që ishte shqiptare e kanë idealizuar, ndërsa realiteti ka qenë tjetër fare. Por, fatmirësisht koha dëshmoi shumë çka , andaj edhe artikujt e këtij libri duhet lexuar në varshmëri me kohën, sepse shkrime të tilla atëherë pakkush ka pasur guximin të shkruaj.
Por, autorit të këtij libri, i njohur në opinion shqiptar dhe më gjerë si poet, nuk i ka munguar guximi intelektual e qytetar që të merret me shkrime eseistike e publicistike nga aktualiteti shqiptar, që për opinionin e gjerë pothuaj ishin tema tabu. Andaj i trajtuar me një akribi publicistike, ky botim paraqet një qasje intelektuale për kulturën dhe shoqërinë shqiptare sipas standardëve bashkëkohore dhe si i tillë është i mirë së ardhur për opinion kulturor shqiptar.
(Fund)
(Kumtesa është paraqitur në Sesionin shkencor “Poeti i detit”, më 18 janar 2020, në Ulqin, me rastin e 60-vjetorit të lindjes së poetit B.Çapriqi, në organizim të Shoqatës “Art Club”-Ulqin dhe PEN Qendra e Kosovës-Prishtinë).
