Krruçi mistik Ilir

Vetëm 9 km larg Ulqinit gjendet fshati piktoresk i pasur me ullinj e plazhe me ujë deti të kthjellët porsi kristali. Dikur këtu jetonin afro 100 shtëpi, kurse sot vendas që jetojnë në Krruç janë diku 25. E veçanta e këtij vendi është fakti se për të tregohen shumë legjenda, është përplot misticizëm dhe histori të pazbuluara. Vëmendjen ta tërheq së pari emërtimi latin të cilin shpesh e hasim nëpër hartat e vjetra e ku Krruçin e gjejmë si Veccio Olcini apo thënë shqip Ulqini i Vjetër. Po ku vallë është Ulqini i vjetër, a nuk është Ulqini ai që është sot mbi themelet e murit ciklopik që datojnë nga shek IV-III p.e.r? A është e mundur që Krruçi të jetë Ulqini i Vjetër?! Këtë nuk do mund ta dëshmojmë. Mirëpo gërmadhat që gjenden në shkëmbin e shkëputur nga toka e që sot qëndron si një anije në detë të shtyn të mendosh se këtu dikur moti ka ndodhur diçka që e ka shkaktuar çarjen e tokës dhe formimin e atij ishulli me gërmadha shtëpish apo çfarëdo që ato të kenë qenë dikur.
Lidhur me Krruçin informatat e para i mora në vitin e largët 1990, atëherë kur ulqinaku mndjendritur dr. Ruzhdi Ushaku hodhi përshtypjet e veta në një libër me ese të quajtur “Ulqini në gjurmë të shekujve”. Ishte ky një libër sa eseistik aq edhe historik e përplot të dhëna të ndryshme. Aty së pari zbulova Krruçin e lashtë, por, nuk dija a është Ulqini i Vjetër, Oleotopolisi (qyteti i ullinjve) i përmbytur nga tërmeti katastrofal apo fshati i sotëm me emër mistik Krruç-ççççç.
Disa herë kam qenë në Krruç por gjithmonë shpejt e shpejt dhe asnjëherë për t’u kënaq me ndonjë eksplorim e që Krruçi është një baule përplot të panjohurash. Këtë vend të veçantë e bëjnë pikë së pari toponimet e stërlashta ilire si psh: Mjekërrmadh, Kështenjë, Dragoj, Tokat e bardha etj., madje sipas studiuesit tjetër ulqinak dr. Bahri Brisku në Krruç dikund gjendet edhe Kroni i Teutës e që si hidronim e ka dëgjuar nga banorët lokal në vitin e largët 1970 gjatë hulumtimeve të tij për ullinjtë dhe mullinjtë për bluarjen e ullirit?!

Krruçi së bashku me Valdanosin kanë ullinjtë më të vjetër në Komunën e Ulqinit. Ulliri i Krruçit që gjendet në pronën e familjes së Hamdi Dragovojës, duke u bazuar në ekspertët e pylltarisë që bënë analiza, në një mesatare është i vjetër 1.291 vjet (1219-1363), po në Krruç në pronën e Vukmarkajve është ulliri me moshën mesatare 1.713 vjet (1519-2035), kurse ulliri i Valdanosit më i vjetri i konstatuar 1.892 vjet (1457-2326). Me siguri ka edhe trungje tjera ullinjësh të po kësaj moshe, mirëpo në vitin 2015 kur u bënë analizat në 20 trungje ullinjësh në Ulqin dhe 20 në Tivar këta ishin më të vjetrit e Ulqinit.
Në Ulqin janari gjithmonë është përplot me diell dhe kësisoji më 16 janar 2021 shfrytëzova mirësinë e Omer Dragovojës dhe dolëm të ecim rrugës së Krruçit. Rrugë e vjetër kjo që gjithmonë ka ekzistuar e që lidhet me Krythën e Ulqinit, Braticën dhe del në Ulqin. Ne si mision atë ditë kishim gjetjen e disa krojeve që ishin buzë rrugës si dhe disa nga mullinjtë e vajit që kanë ekzistuar dikur aty.
U takuam ke Mulliri vajit “Dragovoja” e që ndodhet mu te Lisi i mençurisë qindravjeçarë te Kroni i Gjeraviqit. Ky krua kishte ujë të bollshëm madje edhe verës e që kur shihje lisin qindravjeçarë të cilin nuk mund ta përthakojnë as 6 burra e kupton se rrënjët e lisit thithin ujin nga zemra e tokës. Si gjithmonë intriguese është emri i kronit, prej nga? Si? Omeri jep një shpjegim logjik me të cilin unë plotësisht pajtohem. Aty jetojnë disa brejtës të vogël pylli të cilët vendasit i quajnë gjere dhe kjo përnjëmend të çon në mendje Kroi i Gjerave e që sot nën ndikimin e gjuhës sllave bëhet Gjeraviqit. Vazhdojmë të ecim rrugës së Krruçit që kalon sipër mullirit të vajit Dragovoja dhe pas 5 minutash ecje arrijmë te kroni tjetër që quhet Kroni i Pervanit. Edhe ky krua sikurse ai i pari është i punuar me gurë të latuar dhe ka formë të drejtëkëndëshi. Sipër daljes së ujit dallohet një mbishkrim i vjetër osman por që koha kishte bërë të veten dhe shumë pak dallohej. Bëra matjet e duhura dhe fotografitë dhe vazhduam rrugën.
Duke ecur e biseduar arrijmë në vendin e quajtur Shige e që aty ishte një pus që quhej me të njejtin emër pra Pusi i Shiges. Omeri e shfrytëzoi rastin dhe rreth pusit e çkmesi pak ashtu që pusi filloi të frymojë më lirshëm ia hoqa kapakun e metalit që e kishte sipër dhe bëra matjet e fotografitë e duhura. Interesante se si kjo anë e Malit të Mozhurit i cili shikon kah deti ishte përplot me kroje, përrocka dhe puse. Ngadalë filluam të ngjitemi dhe ullinjtë flisnin me ne. Dalloja shumë shpesh trungje ulliri që vendasit i quajnë kazana. Janë këta ullinjë që përbëhen nga 2, 3 e më shumë trungje andaj edhe biseda zhvillohej rreth ullinjve të vjetër që njëri nga më të vjetrit ishte pronë e familjes së tij. Kur u ngjitëm në maje të rrugës para se të fillonim zbritjen në anën e djathtë dalluam disa virane e që shpjegimi për to ishte se ishin dy mullinjtë e vajit të ullirit që dikur ishin të njohur si Mulliri i Omer Millës dhe Mulliri i Januz Millës. Shpjegimi fillon së pari për Omer Millën pasi që nëna e tij vinte nga ajo derë. Mua në mendje më vie libri për ullishtarinë që e kishte punuar Bahri Brisku ku në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar kishte bërë fotografitë në terren dhe sot unë qëndroja mu para atij mulliri dhe bëja po të njëjten fotografi që kishte bërë profesor Bahriu para 50 viteve. Sot për fat të keq mulliri ishte në gjendje të mjerueshm, kurse vegjetacioni kishte mbërthyer fort gjithë elementet e mullirit. Gurët për bluarje ishin të robëruar nga bimësia, por përfundimisht ia arrita që ta bëj fotografinë identitke si të Bahriut. Adrenalina ishte në maksimum. Omeri mundohej ta çlironte mullirin nga bimësia, por ishte e kotë. Të supozojmë që ai vend nuk ishte pastruar 20 vitet e fundit dhe kjo mjafton që të kuptojmë se në çfarë gjendje ishin mullinjtë e shkretë. Më në fund u bindëm se nuk mundemi asgjë më shumë të bëjmë dhe vazhduam rrugën tonë. Nuk vonuam shumë dhe arritëm te Kroni i Hidrës i cili kishte një dybek mjaft të madh. Më kujtohet se libri i Maksut Haxhibrahimit për toponominë e Ulqinit jep të dhëna se kroni quhet i Adem Hidrit por që unë më tepër parapëlqej që emrin e kronit ta vendos në një kohë diku më të lashtë, për shembull fjala Hidër sipas fjalorit shpjegohet kështu – sipas mitologjisë Përbindësh ose gjarpër i madh me shumë koka, të cilat rriteshin përsëri po t’i prisje.
Bëra procedurën e rregullt dhe vazhduam drejt Kronit të Kshtenjës i cili sipas të gjitha gjasave kemi menduar se është shumë më afër, por doli që ai ishte pothuaj në fshatin Krythë të Ulqinit. Papritmas u shfaq edhe kroni. Ambienti ishte përrallor apo më mirë të themi mitik. Unë u magjepsa nga pamja. Vende të tilla mund të shihje vetëm nëpër filmat e prodhimeve Holivudiane e unë qëndroja pranë një ambienti të tillë në realitet dhe atë në Ulqin, Krruç. S’ka dyshim burimi është shumë i vjetër, që nga koha e ilirëve. Një ndërtim i thjeshtë. Një rezervoar uji i futur në tokë dhe i punuar me rrasa guri e të mbuluara po me rrasa guri që formonin një trekëndësh me brinjën më të gjatë prej 1.7 m e që ishin të vendosur në tre nivele. Ishte ky një vend ku uji që delte nga zemra e tokës akumulohej aty dhe shuante etjen e kalimtarëve të rastit. A thua vallë këtu ka shuar etjen edhe Teuta. Dikur këtu do të ketë pasë shumë gështenja pasi që kroni mbanë atë emër por që sot nuk ka asnjë. Uji rrjedhte nëpër shkëmb lehtë dhe unë hamendësoja vallë a gjendemi te Kroni i Kshtenjës apo te Kroni i Teutës. Kishte edhe pushimore, u ulëm, pushuam dhe unë nuk mund të ngopesha me ambientin. Bëmë fotografitë e duhura dhe matjet dhe unë i premtova vetes se shumë shpejt do të kthehem prapë në këtë vend mitik.
Kthimi ishte shumë i shpejtë. Pothuaj nuk flisnim më. Para se të arrinim te vendi ku ishin mullinjtë e Millaçakëve, Omerit iu kujtuan fjalët e Nadil Ishmakut se aty afër është edhe Kroni Dragoj të cilin e gjetëm menjëherë pasi që ndodhej nën rrugë në një largësi prej 50 m. Por, prapë unë nën përshtypjet e kronit të mëparshëm që pëlqeja ta quaja i Teutës, tani Kroni Dragoj lidhej me Dragua. E pse jo. Filluam me brejtësit e vegjël gjere, vazhduam me përbindëshin mitik Hidrën, arritëm te Kroni i Teutës dhe po e përfundojmë me Dragua. Ku ka kësi udhëtimi përveç se në Ulqin, në Krruç.
Kështu përfundoi një ditë shumë e veçantë përplot histori, mitologji. Rizbuluam 5 kroje, sepse të gjashin Kronin e Madh nuk mundëm ta shohim ngaqë ishte mbuluar nga vegjatacioni dhe dheu që kishte sjellë aty një bashkëfshatar i papërgjegjshëm. Rizbuluam një pus e dy mullinj vaji ulliri. Përshkuam një rrugë që ndoshta vetëm gjyetarët dhe kafshët e egra e përshkojnë. Rruga nëpër vegjetacionin natyror me pushimore të pasura me kroje të cilat rrezatojnë plot legjenda e mite e që për fat të keq askush nuk i mirëmban përveç nënës natyrë. E që kur mendon ndoshta më mirë të kujdeset vetë natyra, sepse njeriu vetëm shkatërron. Misioni Krruç do të vazhdojë prapë, sepse sipas shënimeve nga literatura në këtë vend janë 17 kroje, 6 puse, 6 përrocka dhe 5 mullinj për bluarjen e ullirit. Disa i kam rizbular, mbesin të tjerët…

Teksti dhe fotografitë:
Gazmend Çitaku

Të fundit

më të lexuarat