Mallëngjimi për dukuritë negative dhe vuajtjet e shqiptarëve

Përjetimet e ngjarjeve të shtjelluara nga autori vijnë si shprehje e mllefit, dhembshurisë dhe pamundësisë për të ndikuar në mënyrë tjetër ndaj të gjitha këtyre dukurive negative të shoqërisë shqiptare, që vazhdojnë të jenë aktuale sot e kësaj dite

Hajrullah Hajdari

Ditë më parë doli nga shtypi romani më i ri “Hienat e Pinjeshit” i autorit Ibrahim Berjashi. Ai është autor i pesëmbëdhjetë veprave letrare në poezi dhe prozë. Ky është romani i tretë i tij. Autori librin e ka ndarë në dy pjesë, në kreun e parë dhe të dytë, të cilat nëpërmes ngjarjeve dhe brengave që ka autori për kohën e kaluar, por edhe për të tanishmen, ndërlidhen me mjeshtëri dhe krijojnë një tërësi. Dukuritë negative të shoqërisë shqiptare, kudo që ata jetonin, për të cilat autori shpreh mallëngjimin e tij, janë grumbulluar, pothuajse gjatë gjithë jetës së tij, jo vetëm krijuese. Gjeografia e gjerë e ngjarjeve, duke filluar nga Ulqini (Pinjeshi), ku autori jeton dhe punon mbi 40 vite e duke përfunduar në Australinë e largët, ku jetojnë e punojnë shumë bashkëvendës të tij, tregon më së miri brengat e autorit dhe mishërimin e tij me vuajtjet e tyre. Temat e shtjelluara në këtë roman janë me tematika interesante, me ngjarje të ndryshme që e kanë preokupuar autorin dhe jo veç atë. Vetë titulli i librit “Hienat e Pinjeshit”, që në mënyrë figurative do të thotë njeri gjakpirës, grabitqar, i ndyrë e i pamëshirshëm, paralajmëron lexuesin se në vazhdim do të ndeshet me veprimet e pushtetmbajtësve dhe me vuajtjet shpirtërore të krijuara shqiptarëve nga “librezëkuqët”, UDB-ashat, punëtorët e sigurimit shtetëror dhe spiunët matrapazë të kohës.
Në kreun e parë, autori nëpërmes personazheve të imagjinuara, por domethënëse, Sheshirit, Sollakut, Lakur-it, Minakut apo Gjuro Udbashit e Adem Sigurimit, trajton trafikimin e vajzave beqaresha, grave të divorcuara apo edhe të vejushave, si “mall” shumë i kërkuar në Evropë. Ngjarjet vendosen, kryesisht, në ato vende të ish-Jugosllavisë, ku dhe nga ku bëhej trafikimi i femrave dhe ku ato, në shumicën e rasteve, gjetën zhgënjimin e tyre (Maribor, Rijekë), pasi ndjeheshin të mashtruara.
Për veprimet e Sheshirit dhe Sallakut, autori thotë: ”Nuk janë për herë të parë në këtë kodër e në këtë qytet bregdetar. Ata kanë hangër njerëz të pafajshëm në kohën e librezëkuqëve”. Pasi thekson se këta dy persona njihen si dëshmitarë të Gjuro Udbashit e Adem Sigurimit, thekson: “Qofshin të mallkuar për mot e jetë”.
Ikja e intelektualëve, madje edhe me grada të larta shkencore nga Ulqini, për të siguruar bukën diku tjetër, është brenga e radhës së autorit. Por ajo çka më së tepërmi e mundon shkrimtarin Ibrahim Berjashi është mënyra e trafikimit të femrave shqiptare dhe vuajtjet e tyre për të gjetur ekzistencën materiale, qoftë edhe në atë rrugë, por edhe dukuria, për mua e shëmtuar, e shitjeve të vajzave të reja shqiptare burrave të moshuar serbë.
Autori në mënyrë simbolike ngjarjen e vendosë tek Ura e moçme e Shkodrës e pastaj në ndonjë restorant peshku në Shirokë, ku nënshkruhen kontratat martesore, sigurisht me përfitime, të cilat do të vërtetoheshin në gjyq, në praninë e Lakur-it dhe Minakut, sepse ata ishin dy ndërmjetësit kryesorë të këtyre veprimeve mashtruese, por gjithsesi fitimprurëse për ta.
”Po përtërihen fshatrat tona”, kishte thënë Tihomiri. “Janë mbi pesëdhjetë në krahinën e Shumadisë në Serbi”, lavdërohej ai.
Arratisja e shqiptarëve me gomone, vdekja e tyre në mes të detit dhe problemet e lëna familjarëve të tyre, sidomos të vejave apo vajzave të tyre të mitura. të cilët për të mbijetuar detyrohen të shkojnë në Spanjë, në shtetet skandinave apo kudo tjetër në Evropë, ku s’i pret gjë tjetër përveçse prostitucioni dhe mashtrimi, është preokupimi i radhës i autorit.
Ela, një vajzë 16-vjeçare që kishte rënë pre e Lakur-it dhe Minakut, të cilët në bashkëpunim me banditët malazias, kosovarë, shkodranë, elbasanas e durrsake, gjatë viteve 1998-1999, nëpër Evropë kishin shitur mbi 1000 vajza shqiptare. Në Bari të Italisë kishte lindur një vajzë, të cilën e kanë lënë në maternitetin e atij qyteti. Kjo dukuri e dhimbshme, që edhe sot haset te shqiptarët, përfundon me kërkimin e foshnjës, të cilën e kishin vendosur diku në një foshnjore, nga e ëma, por burokracia, ryshfetet dhe interesat e çifteve, si Lakuri dhe Minaku, e vështirësojnë këtë proces. Megjithatë, mbetet dilema se a do ta gjejë nëna bijën e saj?
Duke qenë se autori, për çdo mëngjes kur zgjohej nga gjumi, nga dritaret e shtëpisë ku lindi dhe u bë 15 vjeç, takimin e parë e kishte me majën e Maranajit dhe rrezet e diellit që ledhatonin me butësi Liqenin e Shkodrës, s’është çudi që një nga ngjarjet e vendosi po aty. Liqeni i vjetër i Labeatëve apo i Shkodrës tani, gjatë historisë ka përjetuar shumë ngjarje, zaptues, luftëra e furtuna të llojllojshme, të cilat i ruan në thellësinë e tij. I ruan, por askush nuk u interesua, asnjë ekspeditë apo arkeolog, të gjurmojë fundin e liqenit për të zbuluar ndonjë amforë apo edhe toteme të ndryshme të popullsisë së këtyre anëve e që shprehin, ndoshta, një pjesë të së kaluarës sonë të lashtë.
Pjesën e fundit të kreut të parë, autori, si edhe në shumë veprat e tij, ia kushton dashurisë, por një dashurie ndryshe. Vija kufitare, e vendosur padrejtësisht, e kishte ndarë Krajën nga Shkodra, i kishte ndarë dy të dashuruar, Shegën që kishte mbetur në Shkodër dhe Halilin që kishte mbetur në anën tjetër të Taraboshit. Edhe pse me shumë sakrifica për 50 vjet e ruajtën dashurinë. Halili u detyrua të bashkëpunojë me Gjuro Udbashin e sidomos me Adem Sigurimin, vetëm për dashurinë ndaj Shegës.
Autori kreun e dytë e fillon me krijimin e Klubit të Studentëve të Krajës, anëtar i të cilit ishte edhe ai vetë. Ai flet me mallëngjim për këtë periudhë kohore në të cilën “drugarët” e “kursistët” e Krajës, të konsideruar si “shqiptarë të ndershëm” e si bashkëpunëtorë të Gjuro Udbashit, gëzonin respekt, ndërsa çdo e keqe u përshkruhej mësuesve të rinj dhe studentëve, sidomos pas mitingut madhështor që u mbajt në qendër të Krajës. Pagëzimi i një vajze të posalindur me emrin Liridonë, apo ndërrimi i mbiemrave nxënësve pa lejen e prindërve dhe zyrtarëve vendorë, ngriti në këmbë strukturat politike, shoqërore… komunale dhe shtetërore. “Drugarët” thonin se këtë e kanë bërë studentët, veçon autori.
Mallëngjimin e vet autori e shprehë edhe me mosvendosjen e një pllake përkujtimore në afërsi të Monopolit, për të përkujtuar Masakrën e Tivarit. Pothuajse të gjitha ngjarjet e përshkruara në këtë roman autori i lidhën me emigrimin. Kështu, shumë prindër kanë mbetur vetëm në pleqërinë e tyre. Autori këtë dukuri e ilustron me shembuj konkretë, të cilët mund t’i shohësh në çdo lagje apo fshat. Pleqtë e mbetur vetëm, shpeshherë detyrohen të kërkojnë partnere, martohen, u shkruajnë pasurinë, por në fund shpesh edhe zhgënjehen nga sjelljet e tyre.
Dodona, të cilën moshatarët e vet filluan ta thërrasin “kopileee”, ngase e ëma e kishte lënë në maternitet menjëherë pas lindjes, është personazhi i radhës për të cilën autori shpreh keqardhje për çdo gjë që i ndodhi në jetën e saj, sepse në realitet këto ngjarje janë, sot e kësaj dite të pranishme.
Më duket se mallëngjimin e fundit, autori e zhvendosi përsëri në vendlindjen e tij, duke treguar edhe një herë dashurinë dhe brengat e tij, por jo vetëm të tijat, për mëmëdhenë. Xha Ahmeti kishte shumë vite që kishte ikur në Australi, kishte punuar, edhe ishte martuar atje. Por fati e deshi që gruaja t’i vdiste, ndërsa vajza e tij Klaudia u martua në Zelandën e re. Mbeti vetëm dhe vendosi të kthehet në vendlindje, në kullën e tij. Por kulla tashmë, si edhe shumë shtëpi në Krajë, Anë të Malit, Malësi, Plavë e Guci, me kalimin e kohës ishte bërë e pabanuar. Por, ndjesia për të vetin bëri që për dy ditë shtëpia e xha Ahmetit të bëhet e banueshme. Për çdo mëngjes “puthte muret e kullës, shkëmbinjtë e Vaut, liqenin e nuk ngopej”, e mua duke lexuar me vëmendje më bëhej se po dëgjoj fjalët e poetit të shquar, Çajupit: “Mëmëdhe quhet toka ku më ka rënurë koka, ku kam dashur mëm’e atë, ku më njeh dhe gur’ i thatë”.
Përjetimet e ngjarjeve të shtjelluara nga autori vijnë si shprehje e mllefit, dhembshurisë dhe pamundësisë për të ndikuar në mënyrë tjetër ndaj të gjitha këtyre dukurive negative të shoqërisë shqiptare, që vazhdojnë të jenë aktuale sot e kësaj dite. Ai përdor një stil të lehtë shkrimi, të kuptueshëm për të gjitha shtresat e lexuesve dhe si i tillë mundëson t’i kuptojmë më mirë qasjet e autorit rreth tematikës së trajtuar, me mundësi që në cilëndo mënyrë të ndikojmë në përmirësimin e imazhit të personazhit kryesor të këtij romani – popullit shqiptar në këto troje.

Të fundit

më të lexuarat