
Trajtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me opusin krijues të autorëve të ndryshëm, paraqet obligim profesional që mund të trajtohet në shumë aspekte, varësisht nga qasjet e autorëve përkatës. Në rastin konkret Basri Çapriqi te opinioni shqiptar është i njohur si poet, sepse si i tillë ishte i veçantë dhe vlerësohej nga kritikët e kohës, por nuk duhet harruar së ai ka dhënë një kontribut me peshë edhe në fushën e eseistikes, sidomos në dekadën e parë të veprimtarisë së tij krijuese. Esetë e shkruara kanë trajtuar aktualitetin botës shqiptare në periudhën e thyerjeve të mëdha shoqërore e ideologjike dhe janë botuar kryesisht në revistën “Fjala”, e cila ishte prestigjioze jo vetëm në Prishtinë por edhe në hapësirën mbarëkombëtare, duke mbetur model për kohën kur janë shkruar e botuar. Andaj, edhe analiza e këtyre eseve duhet trajtuar në varshmëri të kohës, por ndonëse kanë kaluar rreth tridhjetë vite nga botimi i tyre, ato kanë vlerën e tyre edhe në kohën tonë.
Kalaja e Ulqinit dhe autorët shqiptarë
Për ata të cilët nuk janë nga Ulqini, por janë jashtë tij, të cilët në këtë qytet kanë ardhur gjatë verës për të kaluar pushimet, nuk kanë njohuri se autorët vendas nuk e kanë pasur mundësinë të shpalosin vlerat e tyre kulturore në mjediset e Kalasë dymijë e pesëqind vjeçare. Jo se diçka të tillë e kanë dëshiruar autorët shqiptar, por ishte pushteti monist i kohës që ndaj kulturës shqiptare kishte qasje mohuese e me të edhe të vetë autorëve. Është dashur të ndryshojë sistemi shoqëror ku nga viti 1990 u miratua pluralizmi ku filluan ndryshime edhe në fushën e kulturës, e kryesisht duke iu falënderuar shoqërisë civile, përmes formimit të subjekteve kulturore.
Në Kala të Ulqinit, prezantimi i autorëve shqiptar ndodhi vetëm pas rënies së monizmit(1990) e pikërisht në gusht të vitit 1992, ku për të parën herë u prezantuan autorët shqiptarë, dr.Ruzhdi Ushaku me promovimin e librit “Ulqini në rrjedhë të shekujve” më 12 gusht 1992 e më pas takimi me shkrimtarin Mehmet Kraja, ndërsa i treti autor ishte Basri Çapriqi ku më 16.6.1993, iu organizua promovimi i librit “Aksidenti i orës shqiptare”, botuar nga “Fjala” në Prishtinë në vitin 1993.
Ndërkaq, autori i katërt i cili është prezantuar në Kala të Ulqinit, pikërisht në Kullën e Balshajve, në muajin korrik 1997, ishte Milazim Krasniqi, ku është diskutuar për veprimtarinë e tij letrare e publicistike. Ishte kjo një mbrëmje e veçantë dhe e para e kësaj tematike deri atëherë në Ulqin, ndonëse kemi pasur pengesa në “defekt” të rrymës elektrike, ishim të detyruar që mbrëmja të me qirinj(!).
Këto takime u organizuan nga Shoqata “Art Club”, si subjekti i parë joqeveritar i shqiptarëve në Mal të Zi, i themeluar më 28.12.1990, në Ulqin, duke dëshmuar përkushtimin për kulturën shqiptare e cila ishte injoruar dhe anatemuar në monizëm, sepse ekzistonte një refuzim i vazhdueshëm institucional. Por, përmes kësaj Shoqate, u bë një kthesë e madhe në organizimin e veprimtarive të ndryshme kulturore, shkencore, artistike si dhe u bënë botime në gjuhën shqipe, qofshin ato revista apo botime të veçanta të profileve të ndryshme, kryesisht të autorëve vendorë.
Ngjarjet në vitet 1989-1990 dhe shqiptarët
Ngjarjet që kanë të bëjnë me vitet 1989-1990 kanë pasur përmasa të gjëra në nivel regjional e europian dhe si të tilla nuk kanë pasur mundësi të anashkalojnë edhe shqiptarët. Janë pikërisht këto vite që iu paraprinë ndryshimeve të mëdha, ku kemi fillimin e fundit të falimentimit të sistemit socialist, përkatësisht të dëshmit të ideologjisë komuniste dhe shpërbërjen e shteteve të ish kampit socialist në Europën Juglindore.
Pas vitit 1981, në saje të demonstratave të studentëve në Kosovë dhe masave represive të pushtetit jugosllav të kohës ndaj shqiptarëve, viti 1989 ishte me ngjarje dramatike për shqiptarët në Kosovë, sepse më 23 mars 1989 Kosovës iu hoq autonomia, duke e bërë një provincë në kuadrin të Serbisë. Ishte ky fillimi i shpërbërjes së shtetit me emrin Jugosllavi që u shpërbë në vitin 1991, me rastin e pavarësimit të Sllovenisë e Kroacisë, duke pasuar më pas të luftërave pushtuese të drejtuara nga politika serbe në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe së fundmi në Kosovë(1998-1999).
Në aspektin ndërkombëtar, më 9 nëntor 1989, përfundimisht u shemb muri i Berlinit, duke e paralajmëruar shembjen e komunizmit në Europën Juglindore.
Në dhjetor 1989, revolta popullore në Rumani, likuidimi i ish presidentit N.Çaushesku me bashkëshorten, përshpejtoi rënien e komunizmit,
Më 23 dhjetor 1989, në Prishtinë themelohet LDK, partia e parë shqiptare e cila vulosi fillimin e pluralizmit te shqiptarët dhe përfundimin e komunizmit te shqiptarët në Kosovë e kudo ku kishte shqiptar në ish – Jugosllavi.
Ndërsa viti vijues 1990, vazhdoi me dinamikën e vet kur më 2 korrik u bë shpallja e Deklaratës kushtetuese, ndërsa më 5 korrik mbyllja e RTP si dhe e gazetës së vetme ditore „Rilindja“, ndërsa nga vjeshta u mbyllën shkollat dhe Universiteti i Prishtinës, ku nga pushteti serb u inaugurua aparteidi kolonial nga pushteti serb si rast specifik në Europë.
Në Shqipëri jehona e ndryshimeve në Europën Juglindore e bëri të vetën, ndonëse me vonesë, që arsyetohet me pushtetin e diktaturës si askund në vendet e ish-kampit socialist. Pas protestës së parë antikomuniste më 14 janar 1990 në Shkodër, më pas ka pasur edhe protesta të tjera, ku duhet veçuar atë të 2 korrikut 1990, eksodin e rreth 5000 qytetarëve të Tiranës e disa qyteteve të tjera, në disa ambasada të shteteve perëndimore(kryesisht të RFGJ), si dhe emigrimin e tyre më pas me anije nga porti i Durrësit për në Brindizi (Itali) dhe më pas në Gjermani, përmes Kryqit të Kuq Gjerman.
Ngjarjet e 2 korrikut 1990 në Prishtinë e Tiranë, ndodhën brenda një dite, duket si koincidencë, por mbetet të hulumtohet në të ardhmen, për të dhënë përfundime të argumentuara e jo me paragjykime e konsipiracione për kohën.
Në Shqipëri, këto ngjarje vazhduan më pas në vjeshtë e duke u mbyllur me protestat e studentëve të Universitetit të Tiranës në dhjetor 1990, si dhe me lejimin e pluralizmit politik, me themelimin e Partisë Demokratike më 9 dhjetor 1990. Ishte ky një moment historik, duke i dhënë fund periudhës së diktaturës 46- vjeçare, dhe hapjen e Shqipërisë me botën e lirë demokratike.
I kemi cekur këto ngjarje sepse si të tillat ato ndikuan edhe te shqiptarët si brenda kufijve politikë të shtetit amë në Shqipëri, por edhe jashtë saj në hapësirën etnogjeografike shqiptare si dhe në diasporë.
Ndikimet e para ishin te krijuesit e fushave të ndryshme shkencore, kulturore, artistike e në veçanti te mediat, të cilat tash kishin një frymëmarrje të lirë që e kishin të ndaluar dekada më radhë.
Në këtë aspekt, në Kosovë, mediat e shkruara i paraprinë zhbllokimit informativ, ku në veçanti dallohet revista „Fjala“, me përmbajtjen dhe temat e trajtuara nga autorë të profileve të ndryshme shkencore e kulturore.
(vazhdon)
