Ta njohim historinë e së kaluarës

Në fundjavë të parë të muajit qershor nxënësit dhe kolektivi punues i Institucionit Publik Shkolla ”Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Triesh kremtoi Ditën e shkollës dhe njëherë shënoi dhe 137 – vjetorin e themelimit, përkatësisht të punës dhe veprimtarisë së saj duke organizuar edhe piknik – shëtitje jashtë ambientit të përditshëm shkollor me moton ”Ta njohim historinë e së kaluarës”.
Kështu në kuadër të programit për vizitat e nxënësve jashtë shkollës, këtë radhë, fillimisht vizituan Medunin (Meteonin) – Kështjellë e fortifikuar me mure ciklopike me blloqe të mëdha të gurëve ku dhe gjendet faltorja ilire kushtuar gjarprit – mbrojtësit të qytetit parahistorik ilir në krahinën e Kuçit.
Muzeu që gjendet mu në këtë kështjellë gjigande e të lashtë paraqet një pasuri të rrallë të së kaluarës mbi njëqind vjeçare të pajisur me arte – fakte e eksponate origjinale të kohës së Mark Milanit, prijës i fisit të Kuçit, ndër tjera edhe autor i veprave domethënëse: ”Jeta dhe zakonet e shqiptarëve”, ”Shembuj burrërie e trimërie”, ”Fisi i Kuçit, në këngët dhe tregimet popullore”, vepra të cilat krahas vlerave historike ruajnë dhe vlera etno-psikologjike – thekson shoqëruesi mikpritës – kustosi i Muzeut Aleksandar Mugosha duke theksuar, pos tjerash, edhe bashkëjetesën e malazezëve me shqiptarët nëpër kohëra. Vend të rëndësishëm zënë etnografia shqiptare. Të ekspozuara ishin edhe veshjet e burrave shqiptarë, pastaj veshja e gruas malësore – xhubleta me të gjitha dekorimet që përmban e shumë eksponate e përmbajtje tjera të cilat nxënësit dhe arsimtarët kureshtarë i soditën me shumë vëmendje, duke u ndarë më se të kënaqur e të entuziazmuar.
Jo larg Medunit gjendet Koja, vendbanim i Malësisë, pika jonë e radhës për t’i bërë vizitë. Krahinë që tërheq me pozitën e saj gjeografike, e rrethuar pothuaj në çdo anë me male të thepisura e të larta, dikur e populluar me shumë banorë e sot vendbanim gati i braktisur. Ndalemi në qendër të kësaj zone piktoreske e cila i ngjan më tepër një sheshi urban, rregulluar kohë më parë me shumë shije nga mërgimtarët të cilët dot nuk e harrojnë vendlindjen. Sheshi i ndërtuar për bukuri, i stolisur me stola, ujësjellës, ndriçim publik, pemë dekorimi, që lëshojnë hije mbi gurët e shtruar enkas me mjeshtri të renditur e që vizitorit i krijon ambient të kënaqshëm qëndrimi. Kënaqësia është edhe më e madhe, sepse shumë prej nxënësve për herë të parë gjenden në këtë cep të Malësisë.
Pamjen e zbukuron Kisha ”Shën Mitri” me shtatoren pranë të Nënë Terezë, varrezat mirë të rregulluara që pasqyrojnë kulturën e banorëve të këtushëm.
Aty pranë, apostafat rregulluar, si në ballkon, është ngritur Përmendorja madhështore e tejet impozante kushtuar shtatë kojasve, shtatë dëshmorëve që dhanë jetën për liri me 6 prill 1911 në Deçiq – Kryengritjen e Malësisë së Madhe kundër pushtuesve osmanë.
Mbi këtë ngjarje kujtime nga historia e Kojës e mbi këta dëshmorë solli e evokoi me shumë pasion drejtori i shkollës Leon Gjuravçaj duke vlerësuar lart aktet burrërore të këtyre malësorëve, që edhe krahas sfidave të kohës arritën të mbijetojë nëpër shekuj, duke ruajtur e mbrojtur vlerat më fisnike të identitetit kombëtar.
Më pas nxënësit improvizuan program të shkurtër të gërshetuar me recitime e pika muzikore, duke u freskuar me pije e ëmbëlsira të cilat kishin arritur nga bashkëvendësi, mësimdhënësi e kolegu Ivan Ivanaj, tani nënkryetari i Komunës së Tuzit.
Në vazhdim të kësaj rute njëditore arritëm ku më bukur se në Bjeshkën e Koritës.
Duke iu drejtuar nxënësve, mësimdhënësve dhe të gjithë të pranishmëve drejtori Leon Gjuravçaj theksoi se ndihet i lumtur, sepse në atmosferë më se të hareshme e të gëzueshme shënojmë edhe një përvjetor të suksesshëm të shkollës. Ne si institucion, tha ai, vazhdojmë t’iu njoftojmë me bukuritë e shumta natyrore, historinë e bujshme të Malësisë dhe të krahinave fqinje, pra me monumente historike, figurat më madhështore të tyre, ashtu siç edhe na detyrojnë plan-programet mësimore, pikërisht nga historia.
Ky piknik, po ashtu, mbi të gjitha ka karakter mësimor, por dhe argëtues, ku të gjithë nxënësit e shkollës amë shoqërohen me nxënësit e paraleleve Rudinë e Cem i Trieshit. Gjuravçaj, më tej theksoi se çdo institucion shkollor ka motiv parësor: më shumë punë, më shumë angazhim, më shume rezultate.
Në të ardhmen e afërt presim të realizojmë edhe projekte tjera.
Drejtori Gjuravçaj falënderoi profesorin z. Mark Dushaj dhe Gjon Dushaj, bashkëpronarë të diskonit ”Kroni” nga Tuzi i cili falas siguroi lëngje e pije freskuese për nxënësit dhe kolektivin punonjës.
“Faleminderit të dashur nxënës për angazhim në procesin mësimor, aktivitete shkollore! Faleminderit kolektiv punonjës, kolege e kolegë për mësimdhënie cilësore, për raport kolegjial dhe bashkëpunim korrekt!”, tha në fund drejtori i shkollës Gjuravçaj.
Në atmosferë tejet të hareshme, sofër të begatë për nxënës dhe kolektiv punonjës, rekreacion sportiv dhe me tingujt e muzikës argëtuese dhe tradicionale u mbyll ky piknik njëditor mirë i organizuar.

Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat