Përurohen disa projekte infrastrukturore

Vizita e funksionarëve të lartë të Qeverisë së Malit të Zi është konfirmim i përkushtimit për avancimin dhe zhvillimin e mëtejmë të Gucisë përmes fuqizimit të infrastrukturës, arsimit, sigurisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë me diasporën

Guci – Një delegacion i Qeverisë së Malit të Zi, i përbërë nga disa ministra, ka zhvilluar të premten, më 3 korrik 2026, një vizitë zyrtare në komunën e Gucisë.
Pjesë e delegacionit të lartë qeveritar ishin ministrja e Punëve Publike, Majda Axhoviq, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq – Stojanoviq, ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, ministri i Diasporës, Mirsad Azemoviq, si dhe drejtori i Drejtorisë së Policisë, Llazar Shqepanoviq.
Mysafirët e lartë nga Podgorica i pritën dhe u dëshiruan mirëseardhje kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, me nënkryetarët Hajrija Feratoviq dhe Asdren Çelaj, kryetari i Kuvendit të Komunës, Edvin Bektesheviq me nënkryetarin Fadil Ulaj si dhe disa bashkëpunëtore të tyre.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, ka thënë se është i bindur se bisedimet e zhvilluara sot do të rezultojnë me projekte konkrete dhe investime që do të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve.
“Ne si pushtet lokal do të vazhdojmë të investojmë në të gjitha pjesët e komunës sonë, duke siguruar zhvillim të barabartë për çdo zonë. Vizita e sotme dhe projektet e paralajmëruara janë dëshmia më e mirë se përmes bashkëpunimit të Komunës së Gucisë dhe Qeverisë së Malit të Zi, po krijojmë kushte më të mira të jetës për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”, është shprehur ai.
Gjatë qëndrimit të funksionarëve të sipërpërmendur me bashkëpunëtorë në Guci, u iniciuan dhe filloi realizimi i disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore për këtë komunë. Kështu, zyrtarisht u inaugurua faza e parë e rrugës Guci-Vuthaj, u vendos gurthemeli për rindërtimin e fazës së parë të rrugës Guci-Krushevë, u vendos gurthemeli i objektit për rindërtimin dhe zgjerimin e Kopshtit të Fëmijëve, u bë promovimi i objektit të adaptuar të Stacionit të Policisë dhe Filialit për Punë të Brendshme dhe Administrative në Guci, u inspektuan punimet në rikonstruksionin e urës mbi lumin Grnçar në hyrje të Gucisë, u vizituan punimet në ndërtimin e shtegut për këmbësorë në fshatin Dosugje, në anën e djathtë të rrugës rajonale Guci-Plavë, si dhe u nënshkrua marrëveshja për organizimin e Ditëve të Diasporës në Guci.
Drejtuesit e Komunës së Gucisë falënderuan mysafirët për kohën e ndarë dhe kontributin e dhënë, dialogun e hapur dhe gatishmërinë për të punuar së bashku për zhvillimin e Gucisë.
Vizita e funksionarëve të lartë të Qeverisë së Malit të Zi është konfirmim i përkushtimit për avancimin dhe zhvillimin e mëtejmë të Gucisë përmes fuqizimit të infrastrukturës, arsimit, sigurisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë me diasporën.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat