Plavë – Të premten, më 3 korrik 2026, ministri i Diasporës në Qeverinë e Malit të Zi, Mirsad Azemoviq dhe kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, kanë nënshkruar marrëveshjen mbi organizimin e manifestimit “Ditët e Diasporës”, e cila këtë vit, pos Plavës, do të mbahet edhe në dy komuna në veri të Malit të Zi.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq ka shprehur kënaqësi për bashkëpunimin e deritashëm me ministrin Azemoviq, duke theksuar se që në fillim ekziston relacioni partneritet, komunikim cilësor dhe përkushtim i përbashkët i avancimit të lidhjeve me diasporën.
Me këtë rast, kryetari Canoviq ka falënderuar ministrin e Diasporës për mbështetjen dhe nismat e përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin e këtij komuniteti lokal.
Ministri i Diasporës, Mirsad Azemoviq ka theksuar se posaçërisht e gëzon fakti që Komuna e Plavës edhe këtë vit përgatit program të begatë kushtuar diasporës, si të Plavës po ashtu edhe rajonit.
“Ndiej kënaqësi që Komuna e Plavës gjatë muajve të verës organizon program të pasur, të përbërë nga përmbajtjet turistike dhe kulturore-argëtuese dedikuar diasporës sonë. Manifestimet e tilla paraqesin rast që njerëzit tanë nga diaspora të kalojnë kohë kualitative në vendlindjet e veta, të forcojnë lidhjet me atdheun dhe t’i kontribuojnë zhvillimit të komunitetit lokal. Ministria e Diasporës do të vazhdojë të përkrahë nismat që fuqizojnë lidhshmërinë e diasporës me Malin e Zi”, ka thënë ai.
Bashkëbiseduesit kanë porositur se në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë bashkëpunimin intensiv në projektet që i kontribuojnë zhvillimit lokal dhe forcimit të lidhjeve me diasporën.
Sh. Hasangjekaj
