Të nderuar!
Me anë të kësaj letre të hapur shpreh shqetësimin tim për moskryerjen e detyrimeve që administrata lokale ka ndaj meje si ish-nëpunës i Komunës së Ulqinit, e tash pensionist (më 19 korrik 2026 janë mbushur 10 muaj), lidhur me kontributet që sipas Ligjit të punës duhen shlyer atë ditë që punëmarrësi e merr Aktvendimin për daljen në pension, ose më së largëti 30 ditë pas marrjes së Aktvendimit, detyrim që punëdhënësi as pas 10 muajsh nuk e ka kryer.
Lidhur me këtë dhe jo vetëm, para rreth 80 ditësh i jam drejtuar me shkrim kryetarit të Komunës së Ulqinit dhe sekretariateve të përmendura, por përveç Sekretariatit për Vetëqeverisjen Lokale nuk kam marrë asnjë përgjigje tjetër. Sa i përket përgjigjeve po përmendi vetëm një shqetësim timin. Unë shkresat i kam dërguar në gjuhën shqipe, kurse Sekretariati më ka kthyer përgjigje (përgjigje i thënçin) në gjuhën serbe! Pak është të thuash se kjo është shqetësuese. Jo, është alarmante, sepse këtu kemi shkelje të Statutit të Komunës së Ulqinit dhe të Kushtetutës së Malit të Zi, që garantojnë të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Shqetësimi që kam shprehur në shkresën e 11 majit 2026 ka të bëjë me kontributet e pashlyera, si dhe disa padrejtësi të tjera që më janë bërë gjatë punës sime afro 18-vjeçare në administratën e Komunës së Ulqinit. Me këtë rast nuk do t’i përmendi, por në ndonjë rast tjetër pse jo?
Moskryerja e detyrimeve, mospagesa e kontributeve dhe sjellja mospërfillëse ndaj një problemi i cili sot është preokupim i imi, e nesër edhe i juaji, është sjellje shumë e ulët dhe e papërgjegjshme.
Përjashtimi i punëtorëve të Komunës nga e drejta e zahiresë (i atyre që sipas ligjit u takon zahireja, që kanë punuar 6 muaj pa ndërprerje), nuk është aspak respektim i ligjit, por i një akti nënligjor. Ata të fushës e dinë se akti nënligjor nuk e ka fuqinë e ligjit, kurse në rastin tim, por besoj se edhe të të pensionuarve të tjerë, punëdhënësi ka aplikuar dispozitat e një akti nënligjor.
Unë kam qenë gjithmonë dhe jam për respektimin e ligjit. Hipotetikisht po e pranoj se punëdhënësi sa i përket zahiresë e paska zbatuar ligjin dhe shumë mirë ka bërë, nëse është ashtu. Me plot të drejtë shtroj tash një pyetje të thjeshtë: Pse nuk e respekton ligjin sa i përket kontributeve? Për mua kjo është shkelje më e rëndë e ligjit. Me javë të tëra e kam shtyrë këtë reagim timin, duke u besuar disa zyrtarëve se kinse përllogaritja e kontributeve bëhet këtë të hënë, martë, …, premte. Edhe me këtë rast ka shkelje, sepse përllogaritja e kontributeve që e kërkon Agjencia për Zgjidhjen Paqësore të Mosmarrëvshjeve të Punës ka një afat i cili duhet respektuar e Sekretariati për Financa dhe Buxhet nuk e ka respektuar. Për të mos e zgjatur, sepse ndoshta do të më jepni mundësi që përsëri të reagoj, po e mbylli me faktet e përmendura më sipër.
Për sa më sipër, ju bëj thirrje që përfundimisht të reflektoni dhe t’i jepni zgjidhje këtij problemi të krijuar, jo nga ish-punëtorët e Komunës, tash pensionistë të përkohshëm, por nga papërgjegjshmëria e administratës lokale që e kanë detyrim të merren me këto çështje.
Nëse ky problem nuk zgjidhet brenda një afati 15 ditor, atëherë jam i detyruar që zgjidhjen ta kërkoj përmes organeve kompetente të shtetit. Nuk funksionon gjithçka dhe gjithmonë si ajo thënia “Ligji në dorën e Maliqit”. Vërtet që ka Maliq, por duhet ditur se ka edhe ligj.
Sabri Halili
(ish-nëpunës i Komunës së Ulqinit në pension)
