Veç një herë deti u bë i bardhë

Hajredin Kovaçi

MASAKRA E TIVARIT

Ne për Ju, mbajtëm, jo një minutë
por, gjashtëdhjetë e pesë vjet heshtje!
Një tufë me lule për Ju
ku ta vendos s’e di
në Tivar të Vjetër
apo, në Tivar të Ri
këmbët ku t’i vë
mbi varre s’eci dot
ku janë të gjallët
që s’u kujtuan deri sot?
Sa herë shkoj te Monopoli në Tivar
më duket se notojnë mbi gjak
plisat e bardhë
ah, sa keq që thonë
se pushkën e parë
mbi ta e shkrepi një shqiptar!
Katër mijë lule do t’i vendosi
aty ku gjaku shkonte si lumë
askush s’e bëri deri sot
prandaj po e bëj unë
“Magna krimen” në Tivar
Varreza më e madhe për shqiptarë!
Varrezat e mëdha
maten me Tivar
si s’u kujtua kush
as dje, as sot
t’u ngrejë një lapidar.

DETI I BARDHË

Sado dëborë që të bjerë
detin s’e zbardhon dot
çdo gjë tjetër u bë e bardhë
nga dëbora që ra sot!
Veç një herë deti u bë i bardhë
nga plisat e burrave kosovarë
atje, në Tivar!

DËSHMITARI NGA TIVARI

Shtatë ditë e shtatë net
pa ngrënë e pa pi
në një shpellë, pa vënë gjumë në sy
na gjeti një zagar
pas tij erdhi një gjuetar
kishte qenë njeri i mirë
na mori na çoi në shtëpi

na dha të hamë kaçamak
mos hani shumë na tha
hani pak nga pak
jeni të lodhur e të rraskapitur
të pafuqi e të uritur
unë për Ju, kaçamak kam boll
mos hani përnjëherë, hani prapë më vonë
tani rehatohuni e rrini të qetë
pa më vra kush mua
me dorë kush s’ju prekë.

SHTATËDHJETË E PESË VJET, HESHTJE

Shtatëdhjetë e pesë vite më parë
një masakër e madhe ndodhi në Tivar
të gjithë i mbyllën veshët edhe sytë
për këtë tragjedi që kurrë mos u përsërittë!

Shtatëdhjetë e pesë vite më parë, në Tivar
i vranë në pabesi, mbi katër mijë
askund asnjë shenjë, asnjë varr!

Shtatëdhjetë e pesë vite më parë, në Tivar
edhe deti u bë i bardhë
nga plisat e burrave kosovarë!

Shtatëdhjetë e pesë vite më parë, në Tivar
qielli lotoi, deti u trazua, toka rënkoi
veç shteti shqiptar, as pau, as dëgjoi!

Shtatëdhjetë e pesë vite më parë, në Tivar
mbi katër mijë mbetën të vrarë
si s’u kujtua kush, as dje, as sot
t’u ngrejë një lapidar!

PSE HESHTËM KAQ GJATË?

Dikush e quan masakër
dikush tragjedi
plojë a kasaphhane
Holokaust a Aushvic
s’ka rëndësi hiç
afër nesh ajo ka ndodhur
dhe akoma sot nuk është zbardhur!

Ata që i shpëtuan masakrës
me shumë mundime mbërritën
në shtetin shqiptar
s’pat vend për gëzim, se
prapë i kthyen në Tivar
përse vallë?

i vranë, o i vranë
vetëm pse ishin shqiptarë!

Të fundit

më të lexuarat